Filmat e 11 Shtatorit, si u soll në ekran tragjedia amerikane

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Filmat e 11 Shtatorit, si u soll në ekran tragjedia amerikane

Më 11 Shtator, e gjithë bota ndali frymën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nju-Jorku, Pensilvania dhe Pentagoni ishin në qendër të vëmendjes. Ishin orë ankthi, frike e paniku. Amerika po sulmohej… Ajo e martë kish nisur vrullshëm për miliona amerikanë. Ishte një ditë e zakonshme, që për pak minuta mbërtheu të gjithë botën…

Nuk kaloi shumë dhe regjisorët e parë në Hollivud nxituan të zgjedhin një histori personale të asaj dite, si për të rrëfyer historinë…

Që në vitin 2002 në transmetim doli dokumentari i parë i 11 Shtatorit, me dëshmi e intervista të atyre që ose i mbijetuan sulmeve ose ishin shumë pranë Kullave Binjake, në momentin e përplasjes së avionëve.

Më pas, nisën të shfaqen në kinema, njëri pas tjetrit, filmat dedikuar 11 Shtatorit. Titujt mbeteshin po ato, “11 Shtatori”, “Fluturimi 93”, “Qendra Tregtare Botërore”. Por më shumë sesa titulli, pamjet dhe historitë ishin ato që provokuan emocione të forta, përgjigje po ashtu të forta, duke treguar se sa e vështirë është të lundrosh në një film, bazuar në tragjedi reale, një tragjedi që e përjetoi jo vetëm çdo amerikan, por e gjithë bota.

Advertisement

Janë mbi 20 filma që iu dedikuan asaj dite, por këto janë ndër më të famshmet, ato që shkaktuan më shumë reagime.

“WORLD TRADE CENTER”

Është filmi që rrëfen historitë e punonjësve të ekipit të kërkim-shpëtimit që u përpoqën të evakuojnë godinën e Qendrës Tregtare Botërore pas sulmeve terroriste, me dy të mbijetuarit që u nxorën nga rrënojat. Filmi u shfaq premierë 5 vjet pas sulmeve, në vitin 2006, nën regjinë e Oliver Stone, nën interpretimin e yjeve të kinematografisë, Nicolas Cage, Mario Bello, Michael Pena, Stephen Dorff dhe Miachel Shannon dhe bazohej në historinë e vërtetë të Dave Karnes dhe Jason Thomas. Xhirimet e filmit zgjatën 1 vit dhe arkëtoi fitime, pas shfaqjes në kinema, prej 163 milionë dollarësh.

“UNITED 93”

Advertisement

Është triller dramatik, i shkruar dhe prodhuar nga regjisori Paul Greengras. Filmi rrëfen historinë e pasagjerëve të “Fluturimit 93” të “United Airlines”, një nga 4 avionët e rrëmbyer nga terroristët, më 11 shtator 2001. Filmi ritregon edhe njëherë momentin e rrëmbimit dhe skenat kaotike që pasojnë gjatë fluturimit, siç ka ndodhur në të vërtetë, bazuar në bisedat që pasagjerët e ndjerë kanë ndarë në ato pak minuta përmes telefonit, me familjarët e tyre. Pavarësisht përpjekjeve të pasagjerëve për të rimarrë kontrollin e avionit, për të mos lejuar që ai të përplaset me Shtëpinë e Bardhë apo godinën e Kapitolit, siç kishte ndodhur me 3 avionët e tjerë, United Airlines u përplas në fushën e Kontesë Somerset, në Shenksvill të Pensilvanisë. Paul Greengrass fitoi nominimin për një çmim “Oscar” si regjisori më i mirë për filmin e vitit 2006. Fitimet e siguruara nga shfaqja në kinema gjatë atij viti, iu dhuruan familjeve të 40 viktimave. Në total, “United 93” siguroi fitime prej 76,3 milionë dollarë në mbarë botën.

“ZERO DARK THIRTY”

Është trilleri i vitit 2012, me regji të Kathryn Bigelow dhe shkruar nga Mark Boal. Filmi dramatizon ndjekjen dhe gjurmimin për thuajse 1 vit të Osama Bin Laden, liderët të Al Qaeda-s, ideatorin e sulmeve të 11 Shtatorit dhe në fund, vrasjen e tij nga ekipi i Navy Seals, drejtuar nga Jessica Chastain. Filmi përshkruan ndjekjen e tij deri në kompleksin në Pakistan, atje ku ushtria e vrau Bin Laden më 2 maj 2011. Filmi u shfaq në kinema në janar 2013, thuajse 2 vjet pas vrasjes së Bin Laden dhe kritika ishte e jashtëzakonshme, me arkëtimet që në mbarë botën arritën në shifrat e 132 milionë dollarëve. Filmi u nominua edhe për 5 çmime Oscar si regjia më e mirë, aktorja më e mirë për Chastain, skenari më i mirë origjinal dhe efektet më të mira muzikore.

“12 STRONG”

Advertisement

Është një tjetër prodhim që i dedikohet ngjarjeve të 11 shtatorit. Filmi dramatik i luftës, prodhim i 2018, rrëfen të vërtetën e një ekipi të vogël të forcave special amerikane, që udhëtuan qark Afganistanit me kuaj, pas 11 shtatorit, për t’u bashkuar më pas me forcat aleate, në luftë kundër talebanëve. Aktori Chris Hamsworth është lideri i njësisë me 12 marinsa, që portretizon në personazh, beretën e kuqe Mark Nutsch. Ekipi u dërgua në Afganistan fill pas sulmeve. Pavarësisht çmimeve me të cilat u vlerësua ndërkombëtarisht, kritikat nuk munguan sa i takon pasqyrimit të ekzekutimeve apo krimeve të tjera të luftës në Afganistan.

“EXTREMELY LOUD & INCREDIBLY CLOSE”

Është filmi dramë, që rrëfen jetën dhe thirrjet dëshpëruese të një djaloshi të vogël që humbi të atin në sulmet terroriste në World Trade Center. Tom Hanks, Sandra Bullock, Thomas Horn, Viola Davis dhe Max Von Sydow janë pjesë e kastit të filmit të 2011-s, që siguroi nominimin për një Oskar për regjinë më të mirë, si dhe nominim për aktorin më të mirë joprotagonist. Historinë e rrëfen vetë Oskar, djaloshi 9-vjeçar që të martën e 11 shtatorit, kthehet më herët në shtëpi dhe në sekretarinë telefonike dëgjon 6 mesazhet e lëna nga i ati, që ka mbetur nën rrënojat e Kullave Binjake. Nga frika, Oskar fshihet nën shtrat, atje ku e gjejnë familjarët orë më vonë. Pas zemërimit, edhe në funeralin e të atit, Oskar i premton vetes se do ta zbulojë çfarë ndodhi atë ditë. Këtu nis misioni i tij.

“FAHRENHEIT 9/11″

Advertisement

Është filmi dokumentar i vitit 2004, i shkruar dhe prodhuar nga regjisori dhe komentatori politik Michael Moore. Filmi është një vështrim kritikues për presidencën e Xhorxh W. Bush, për luftën në Irak dhe mbulimin e saj nga media. Në film, Moore pretendon se korporatat mediatike amerikane ishin nxitës për pushtimin e vitit 2003 në Irak dhe nuk siguruan dot një analizë objektive të luftës dhe fataliteteve. Edhe titulli i filmit dokumentar, “Fahrenheit 11 Shtator” është përzgjedhur nga Moore si analogji e temperaturës së lartë dhe sulmeve të 11 shtatorit, siç përshkruhet edhe në film me fjalët “Temperatura në të cilën liria shkrumbohet”. Kur u publikua, në vitin 2004, filmi shkaktoi shumë reagime, kryesisht mes mbështetësve të presidentit të 43-të amerikan. Por, pavarësisht kritikave, filmi fitoi Palmën e Artë në Festivalin e filmit në Kanë dhe siguroi fitime prej 120 milionë dollarësh, vetëm në Amerikën e Veriut.

“REIGN OVER ME”

Është filmi i vitit 2007, drama e shkruar dhe prodhuar nga Mike Binder, me regji të vëllait të tij, Jack Binder. Filmi flet për një burrë që humbi gjithçka kishte në sulmet terroriste të 11 Shtatorit, që çuditërisht, rrëfen dhimbjen dhe trishtimin e tij, me një shok të vjetër të shkollës. Protagonist të filmit janë emra të njohur si Adam Sandler, Don Cheadle, Jada Pinkett Smith, Liv Tyler etj.

“REMEMBER ME”

Advertisement

Është një film dramatik me regji nga Allen Coulter dhe interpretuar nga Robert Pattinson, Emilie de Ravin dhe Pierce Brosnan. Filmi tregon historinë e Taylor, një djalë 21-vjeçar, që rebelohet me sistemin dhe familjen. Një ditë, babai i tij e fton në Qendrën Tregtare të tij për të folur: është 11 shtatori. Teksa ishte në mësim, Tyler kthen kokën nga Kullat Binjake, kujtohet që zyra e të atit Charles është në katin e 10-të të kullës veriore. Mendohet dhe vendosë të falë të atin, të bisedojë me të për gjithçka ka ndodhur ndër vite mes tyre. Babai nuk arrin të shkojë në takim. Djali shkoi në kohë. Ai mbeti viktimë e sulmit terrorist. Gjithçka la pas ishte ditari i tij.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy