FOTOT e rralla nga panairi i Joan Vladimirit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Andre Llukani

Të kremten e shenjtit, më 4 qershor, në manastir bëhej panair i madh. Prandaj thirrej paria e disa qyteteve e u bëhej një pritje madhështore. Sipas studiuesit gjerman Hahn, panairi zgjaste tri ditë. Pelegrinëve u jepej bukë, ullinj dhe djathë. Ata hidhnin të holla aq sa e kishin menduar. Paratë i mblidhte kujdestari i manastirit. Në panairin që bëhej në manastirin e Joan Vladimirit, kujdestaria e parë i takonte Durrësit, e dyta Kavajës dhe e treta Tiranës. Ndërmjet të tjerave, aty bëhej edhe pazari i shitjes së gjedhit. Pelegrinët nga Tirana, Durrësi, Dibra, Korça, Berati, Struga, Ohri dhe Manastiri vinin një ditë më parë, pra që më 3 qershor. Kishte njerëz me probleme shëndetësore, që flinin natën në kishë, duke iu lutur shenjtit të bënte mrekullinë. Gratë vinin rroba të ndryshme pranë arkës së shenjtit, ndërsa burrat fërkonin qeleshet dhe festet tek arka e shenjtit. Të tjerë këndonin në oborrin e kishës, ndërsa tregtarët ambulantë u shërbenin pelegrinëve me produkte ushqimore. Pas liturgjisë hyjnore zhvillohej ceremonia e rrotullimit të lipsanit tri herë rreth kishës. Arka me lipsanët e shenjtit dilte nga dera jugore e kishës. Procesionin e paraprinin eksapterët dhe kryqi; pastaj vinin priftërinjtë që mbanin arkën me lipsanet e shenjtit; më pas vinte populli me qirinj të ndezur. Të gjithë me lutje, psalme dhe litani shoqëronin arkën me lipsanet e shenjtit. Më pas, arka vendosej mbi një tavolinë përpara kishës dhe priftërinjtë shpërndanin pambukun që kishin lipsanet e shenjtit. Njerëzit prisnin në radhë dhe pasi puthnin arkën, merrnin pambukun dhe largoheshin me shprestari. Pambukun e vendosnin në djepet e fëmijëve për mbarësi, e mbanin me vete kur udhëtonin ose e mbanin në këndin e lutjes në shtëpi. Më pas, të gjithë të pranishmit drekonin së bashku.

Mbresëlënëse janë kujtimet e Imzot Visarion Xhuvanit rreth kremtimit të panairit të vitit 1930. Me manastirin e Joan Vladimirit, Visarionin e lidhnin kujtimet e viteve të fëmijërisë së tij, sepse një hallë e tij, Jaja Dona ka qenë murgeshë në manastir deri në fundin e jetës së saj. Në revistën “Kisha kombëtare” të datës 27 korrik të vitit 1930 ai ka shkruar: “Nuk mbahet mend të jetë kremtue si simvjet festa e Shën-Gjonit t’Elbasanit. Dhjetë Priftna dhe Kryepeshkopi me ndihmësit e tij Imzot Eugjenin t’Episkopatës muerën pjesë si në mbramsoret edhe në Meshë, në të prumit të Shenjtit rreth Kishës; ceremonija qe tepër impozante dhe muerën pjesë gadi 3000 vetë. Qe dhanë urdhën me paraqitë për nderim nji batalion paraushtarakësh, mbasi Shenjti në fjalë ka qenë Mbret i Zetës dhe ra dëshmor në vende Shqiptare”. Pesë vjet më vonë, në vitin 1935, me anën e një qarkoreje Imzot Visarioni urdhëronte Zavendësinë Mitropolitane të Elbasanit të merrte masa që festa e Shën Joanit dhe përshpirtja për Konstandin Kristoforidhin të bëheshin sa më madhështore. Në qarkore shkruhej që ditën e panairit të merrnin pjesë qytetarë dhe katundarë dhe të thirreshin autoritetet civile dhe ushtarake të qytetit.

Kjo traditë vazhdoi deri më 4 qershor të vitit 1964. Prej asaj dite, panairi i Shën Joan Vladimirit nuk u zhvillua më. Më 14 korrik 1964, kryepeshkopi Paisi Vodica i dërgoi një letër kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, me anën e së cilës e vinte në dijeni mbi disa ngjarje që kishin ndodhur nëpër kishat dhe manastiret e Shqipërisë. Kryepeshkopi e vinte në dijeni Kryeministrin se në Elbasan, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Miti Rapo, me preteksin për të shmangur sëmundjen e brucelozës, më 3-4 qershor 1964 nuk lejoi të zhvillohej panairi në Shën Joan Vladimir. Jo vetëm besimtarët nuk u lejuan të shkonin, por edhe personeli i manastirit nuk u lejua të meshonte. Në vitet e demokracisë manastiri është restauruar tërësisht dhe shërben si vend pelegrinazhi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy