Modelimet inteligjente dhe shkencat e jetës në fokusin e Akademisë së Shkencave

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Matematizimi i shkencave dhe, sidomos, informatizimi i plotë i përpunimit të informacioneve të mbledhura dhe rezultateve eksperimentale, siguron një zhvillim të rëndësishëm të tyre dhe zbatime me vlera të mëdha në teknikë, prodhim, shëndet si dhe në të kuptuarit e themeleve të dukurive të fushave përkatëse, për parashikime zhvillimore evolutive, të mëtejëshme dhe perspektive për afate të ndryshme.

Ky përbën një nga drejtimet themelorë të parashikuara në aktivitetin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Filluar me Njësinë e Nanoteknologjisë asaj të Bioteknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale të miratuar kohët e fundit, impulse të rëndësishme po jepen në fushat e Biologjisë, Bioenergjitikës, Gjenetikës dhe Mjekësisë me ngritjen e njësive zhvillimore përkatëse nxitjen e zhvillimeve në Biomatematikë dhe Bioinformatikë në vendin tonë. Në qendrat tona kërkimore dhe në departamentet universitare, ka filluar me sukses të kultivohen element esencialë të modelimeve matematike dhe algoritmeve kompjuterike në ndihmë të studimeve të proceseve të ndryshme në fushat biologjike, mjekësore, mjedisore dhe ekologjike dhe të përftimit e ideimit të zgjidhjeve të problematikave të shumëllojëshme që paraqiten.

Kohët e fundit, u zhvillua Simpoziumi Modele Matematikore dhe Komputacionale për Shkencat e Jetës me pjesëmarrje të studjuesve të huaj drejtues kërkimesh dhe profesorë, atyre shqiptarë në institucione përkatëse jashtë vendit dhe të studjuesve shqiptarë brenda vendit (po aq të huaj sa edhe shqiptarë), përfaqësues të fushave studimore e inxhinierike të Biomatematikës dhe Bioinformatikës të aplikuara. Aty u referuan punime bashkëkohore dhe shpalosën ide, mendime, propozime e rekomandime për projekte e skicë-ide për zhvillime të afërta dhe afatgjata të këtyre disiplinave në Shqipëri. Komisionet e Matematikës e Informatikës dhe Biologjisë, Veterinarisë e Shkencave Bujqësore kanë filluar të planifikojnë organizimet e nevojëshme kërkimore e akademike për fuqizimin e kësaj veprimtarie shkencore në vend.

Në fokusin e Simpoziumit u shfaqën trajtimet e problematikat e sotme, të zhvilluara më tej nga modelimet matematike dhe trajtuar me algoritme të reja lidhur me modelimet e rrjeteve të bashkëveprimeve proteinike të kulturave biologjike dhe lidhjeve me ADN për komandimin e shprehjes gjenetike, dinamika e biodiversitetit shkaktuar nga shtamet mikrobiale në përbërje të një organizmi qelizor duke pasqyruar bashkëveprimet specifike dhe ato imunitare, operacione kombinatore në studimin e rritjeve qelizore parazitare në procesin e ndarjes e specializimit qelizor, ndikimi i infektimit virusal në transformimin e qelizave të organizmit të virusuar nëpërmjet interferimit në shprehjen e gjeneve në përputhje me sitet aktive, statistika e sistemeve dinamike në studimin e rezistencës mikrobike ndaj drogave terapeutike, analiza e të dhënave gjenetike molekulare në studimin e patologjive kancerigjene me pasoja në vendimarrjen klinike antikancerigjene, modelime matematike të sistemit të përhapjes metastazike të qelizave kancerigjene, mundësitë e organizimit dhe mbajtjes në vend të një banke kriogjenike të ruajtjes së qelizave somatike, rrjetet komplekse në epidemiologji, inteligjenca artificale në Mjekësi modele matematike dhe kompjutacionale në Epidemiologji, faktorizimi matricor në studimet biologjike, vlerësime matematike të indeksit të cilësisë së ujrave, përgjithësime në ndikimin e rrezatimeve jo-jonizuese në popullatën e zonave të banuara etj. Si pasqyrim i kohës, zunë vend edhe tema të lidhura me situatë pandemike në botë si: Covid 19 – përshtatja e modeleve me të dhënat konkrete dhe saktësimi i të dhënave të duhura për analizat e ecurive në funksion të parashikimeve, Covid 19 – monitorimi i epidemisë për të ndërtuar modelet pasqyrues të përhapjes së virusit specifik etj.

Advertisement

Një diskutim i gjërë u zhvillua në Simpozium lidhur me si duhen bërë të njohura problematikat e fushave të Biologjisë, Gjenetikës, Mjekësisë e Shkencave Bujqësore karshi metodave e modelimeve matematike e kompjuterike. Njësitë e reja të formuara Akademisë, në perspektivën e institucionalizimit të tyre si njësi kërkimore autonome, duhet të fuqizojnë kërkimin e tyre në këto drejtime dhe të bëhen qendra të përpunimit dhe përhapjes së metodave matematike. Nevoja e formimeve masive trajnuese të vazhdueshme në mjediset universitare si dhe në ato ku aktivizohen dhe punojnë specialist te e fushave përkatëse, rezulton të jetë me rezultate të dukëshme, siç u dëshmua nga mjaft aktivitete të këtyre kohëve në institucione të ndryshme.

Më tej, theksi u vendos, me të drejtë, në formimin universitar dhe ndryshimet që duhet të bëhen në strukturat programore të programeve të studimit në matematikë, informatikë dhe të shkencave të jetës në përgjithësi. Pasurimi i programeve lëndore me lëndë të veçanta u konsiderua risi e domosdoshme, krahas përpjekjeve që duhen bërë për të formuar programe studimi Master me disa profile, në përputhje me realizimet dhe ecuritë bashkëkohore. Nevoja e orientimit të universiteteve dhe shkollave të larta në këto drejtime zuri një vend të rëndësishëm në diskutimet dhe propozimet e shtjelluara në Simpozium.

Impuls i fuqishëm iu dha aktivitetit nga studjuesit shqiptarë të punësuar në institucione kërkimore dhe akademike jashtë vendit, si në pikpamje të kumtimeve, ashtu dhe në organizimin e Simpoziumit, vendosjen e përzgjedhjen e temave dhe shtrimin e ideve konkrete të ndërmarrjes së projekteve ndërkombëtare në kuadrin e bashkëpunimeve me institucionet e tyre. Drejtoret e Kërkimeve Dr. E. Gjini (Universiteti Gubelkian në Lisbonë) dhe Dr. B. Sinaimeri (Universiteti LUISS në Romë dhe INRIA në Lion) të cilat u impenjuan dejtpërsëdrejti në organizimin Simpoziumit, në bashkëpunim të ngushtë me grupin e kërkuesve me eksperience dhe profesorëve të njohur të institucioneve të huaja nga Europa dhe SHBA, dhanë një kontribut të shënuar në konceptimin e organizimin e punimeve të tij që të mund të pasqyronte vlera për vendin, në referimet e tyre dhe në arritjen e këtyre konkluzioneve për zhvillimet e mëtejëshme në Shqipëri.

Shumë shpresëdhënës u paraqit dhe grupi i studjuesve dhe punonjësve akademikë të vëndit, nga Universitetet dhe njësitë kërkimore e aplikuese, si me dijenitë e tyre, ashtu edhe me referimet e cilësinë e tyre. Pritet e shpresohet, sikundër edhe po planifikohet, intensifikimi i mbështetjeve të Akademisë së Shkencave dhe hapa të nevojëshme nga universitetet lidhur me kualifikimin e studjuesve në këto fusha.

Advertisement

Do të jetë me shumë vlera dhe interes ndjekja e materialeve të referimeve dhe punimeve të Simpoziumit si dhe diskutimet e konkluzionet të cilat janë sistemuar në site-in e tij virtual me adresë: https://models4lifealbania.wixsite.com/2021 çka do të shërbejë mjaft për përthithje mendimesh të tjera e propozime nga cilido specialist e bashkëpunëtor i fushave përkatëse apo intelektual i formuar që angazhon kompetencat e tij inteligjente e shkencore në institucione kërkimore e akademike jashtë vendit, për impulse të reja në zhvillimin e këtyre fushave në vendin tonë, në ndikimin të rejave aktuale në Europë dhe në botë.

Prof. Marenglen SPIRO

Komisioni i Biologjisë, Veterinarisë e Shkencave Bujqësore i Akademisë së Shkencave

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy