Modernizmi i politikës dhe jetës sociale të vendit përmes faqeve të librit “Politika si Ide”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Dr Dorian Koçi

Janë të rallë librat e politikanëve që lexohen me kërshëri pasi zakonisht në to gjen apologjitë për jetën politike të llojit: “Politika nuk ka moral, çdo gjë në të është e lejueshme”. Kjo është shprehja lapidare që dëgjon lart e poshtë, sa herë ndihet në ajër që prishen aleanca të vjetra dhe krijohen të reja, tradhtohen ideale dhe përqafohen kauza të dyshimta. Ky mosbesim ndaj politikës reflektohet dhe në mosbesimin ndaj çdo gjëje të shkruar që lënë politikanët.

Kjo gjë ka ardhur dhe për shkak të lakunave të shumta, uljeve dhe ngritjeve të tensioneve politike që kanë karekterizuar historinë tonë moderne, ku gjithësesi mes burrave dhe grave të arsyeshme që kanë kontribuar në paqen sociale dhe prosperitetin e Shqipërisë, një vend të rëndësishëm zë Zonja Valentian Leskaj. Karriera e saj e gjatë administrative e politike ka lënë gjurmë në shumë akte qeverisje, hartim legjislacioni e politikash afatgjata por edhe në shoqërinë civile përmes promovimit të planifikimit urban, feminizmit dhe tolerancës në shoqëri.

Shkrimi dhe publikimi i librit “Politika si ide”, (botim i shtëpisë botuese “Toena”), nga Valentina Leskaj, është një dëshmi e angazhimit të saj shoqëror e politik, një ftesë për debat në çështjet më të debatueshme në botën e sotme. Libri është i konceptuar në formën e një bashkëbisedimi e interviste të gjatë me gazetaren Alda Bardhyli, ku mes përgjigjeve Znj. Leskaj shpalos vizionin e saj për një botë që ndryshon vazhdimisht. Edhe pse shkrimi i librave të tillë është një praktikë mjaft e njohur në shtetet e demokracive të mëdha, në Shqipëri ajo është lëvruar pak dhe, si e tillë, meriton një vëmendje të veçantë.

Advertisement

Së pari, besoj se ai është një traktat për feminizmin si rrymë mendimi e prakticiteti i ushtruar në Shqipëri. Në libër gjenden konsiderata dhe mendime për kontributin e pionerëve të feminizmit në vendin tonë – të Ollga Plumbit dhe Qibrie Ciut, zhvillimeve të situatës së gruas shqiptare në vitet e mbretërisë, reflektim i gjerë i pozitës së gruas në totalitarizëm si dhe reflektimit të valëve të feminizmit botëror në dritaren e ngushtë sociale të Shqipërisë.

Periudha moderne e pas viteve 90’ në Shqipëri, përsa i përket femizmit, vjen në libër si një reflektim ndaj asaj që shpesh herë pasqyrohet në mënyrë të gabuar si kërkesa për barazi gjinore e plotësim kuotash gjinore në politikë. Znj Leskaj e vendos feminizmin në një kornizë më të gjerë, si një pasqyrim i përmirësimit të vazhdueshëm të lirive dhe të drejtave të njeriut, ku nuk synohet më vetëm barazia e fituar prej kohësh, por përsosja e mekanizmave shoqërorë dhe vetpërsosja e gruas shqiptare për të përballuar sfidat e sotme botërore si Globalizmi, Ekologjia, Planifikimi Urban, Pandemia etj. Në këtë mënyrë, mund të themi se për herë të parë në mendimin social shqiptar kemi një përshkrim të saktë të post-feminizmit, dukuri që ka kohë që ka ngërthyer mendimin evropian e botëror. Së dyti, libri është një kontribut fort i çmuar për politikën shqiptare, qasjes ndaj saj, si dhe për përkthimin e sfidave sociale në politikën e ditës.

Znj. Leskaj vjen nga një eksperiencë e gjatë në politikë, duke ushtruar disa detyra të rëndësishme si ministre, kryetare e grupit parlamentar të P.S, nënkryetare e Parlamentit dhe nënkryeatre e Asamblesë së Këshillit të Evropës. Kjo eksperiencë e madhe në politikë nuk ka kaluar pa lënë gjurmë edhe në mendimet dhe idetë për të gjeneruar një klimë të përshtashme politike e habitat politik të përshtatshëm për vende në zhvillim si Shqipëria. Ajo beson fort se lufta kundër varfërisë nuk është vetëm një detyrë morale për të rritur mirëqenien, por nxit dhe çliron energji të reja në vend.

Gjatë kohës kur ka qenë Ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale ajo ka inicuar komitetin ndërqeveritar me rreth 11 përfaqësues nga ministri të ndryshme duke krijuar kështu një traditë të admirueshme që duhet vazhduar për përballimin e sfidave botërore. Po kështu gjatë kohës kur ushtronte detyrën e ministres, Shqipëria nënshkroi për herë të parë Kartën Ndërkombëtare të Punës, duke vendosur një ligjshmëri dhe monitorim të së drejtave të punojësve dhe të punëdhënësve. Kontributi i saj si Kryetare e Grupit Parlamentar të PS gjatë viteve 2007-2009 refletohet në libër në kontributin e Partisë Socialiste për hyrjen e vendit në NATO si dhe arritjes së konsensusit të madh të partive politike për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që i hapën udhë reformave të ndryshme në vend. Ajo dëshmon përmes faqeve të librit për një politikë ndryshe, që duhet të shkojë përtej llogoreve të konfrontimit dhe të bëjë të mundur të përbashkojë dëshirat dhe vullnetet më të mira të shoqërisë shqiptare.

Advertisement

Si një përfaqësuese dhe aktiviste e hershme e shoqërisë civile në Shqipëri, Znj Leskaj ka përcjellë në politikë koncepte të rëndësishme si analizat e gjuhës së urrejtjes, antisemitizmin, sfidat e planifikimit urban, shqetsimin ndaj ambjentit e ngrohjes globale e deri tek sfida më e re e pandemisë. Ajo është anëtare e disa organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë ku spikat zgjedhja më së fundi anëtare e Bordit Këshillues të Lëvizjes Kundër Antisemitizmit. Këto koncepte të trajtuara në libër e pasurojnë dhe e modernizojnë politikën shqiptare duke dëshmuar në të njëjtën kohë edhe kredot sociale të saj. Në pasqyrimin e tyre ndihen shqetsimet dhe përpjekjet për të bërë të mundur që habitati politik e social i vendit t’i ngjaj atij evropian dhe Amerikës së Veriut.

Librat që lindin e gjenerojnë ide moderne të zhvillimit e qeverisjes së vendit përcjellin një frymë pozitive dhe optimiste për sfidën e madhe të Shqipërisë në këto vite, aderimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Znj. Leskaj përmes takimeve të shumta që rrugëtimi i saj profesional i ka lejuar të ketë me figura të njohur të politikave botërore, si Madlain Allbright, Nelson Mandela, Hillary Clinton, sjell këndëvështrimet krahasuese me realitetet shqiptare duke ia lënë në dorë lexuesit të përsoset, për të kërkuar ndaj politikës shqiptare principe dhe vlera morale njëlloj si ato të plotikës botërore. Ky libër është një udhëtim në kohë, hapësirë, ide dhe vizion dhe besoj se do të kthehet në një libër referencial për të kuptuar më mirë të shkuarën, sfidat e së sotme dhe për më tepër të ardhmen.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy