“Nuk më lejuan të shkoja në Festivalin Ballkanik të Filmit, se s’pranova të hiqja intervistën e Kadaresë për Lasgushin…”, dëshmia e regjisorit të ish-Kinostudios

Pinterest LinkedIn Tumblr +

I ftuar në emisionin ‘Memorie’ në TV Scan, (të dy gazetarëve të njohur, Dashnor Kaloçi dhe Artjan Tepelena), regjisori dhe aktori i njohur Edmon Topi, ka folur dhe bashkëbiseduar për rreth 90 minuta, për filmin dokumentar, “Nositi”, kushtuar poetit të famshëm, Lasgush Poradeci, të cilin ai e realizoi para viteve ’90-të, kur punonte në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në fillim të emisionit, regjizori Topi, tregoi se pas diplomimit në Instituti e Lartë të Arteve në mesin e viteve ’80-të, ai u emërua si asistent regjizor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, (ku asokohe u aktivizua dhe si aktor në filma), duke kryer edhe një specializim për regjizurë, së bashku me disa kolegë të tij nga Kinostudio.

Pasi punoi në disa filma artistik si asistent regjizor, diku nga viti 1987, tashmë në rolin e regjizorit, Edmon Topi vendosi që të realizonte një film-dokumentar për poetin Lasgush Poradeci, skenarin e të cilit e shkroi kolegu dhe miku i tij, Petrit Ruka, që asokohe punonte në redaksinë e skenarit në Kinostudio. Pasi kaluan të gjitha barrierat dhe i’u aprovua nga strukturat përkatëse të institucionit ku ata punonin, filluan punën për realizimin e dokumentarit, por sipas regjizorit Topi, që në fillim ata u ndeshën me vështirësi të shumta, pasi mungonte e gjithë literatura e nevojshme që duhej për realizimin e dokumentarit në fjalë, sepse në atë kohë, Lasgushi në Shqipërin ishte pothuaj i panjohur.

Advertisement

Ndryshe nga Shqipëria ku vepra dhe jeta e Lasgushit pothuaj nuk njihej fare dhe ishin të paktë ata njerëz, që e dinin se Lasgush Poradeci jetonte ende, në Kosovë ishte botuar një libër i tij me titull “Nositi”, me parathënie nga shkrimtari i njohur, Sabri Hamiti. Nisur nga këto, regjizori Topi tregoi se ata patën shumë probleme, edhe për materialin që u duhej të merrin nga Biblioteka Kombetare në Tiranë dhe veç kësaj, në atë kohë as foto të Lasgush Poradecit nuk gjendeshin! Ndërsa po ndesheshin me shumë vështirësi që në fillim të punës për realizimin e dokumentarit, grupit realizues u ra “bomba” tjetër, pasi pak kohë pasi kishin filluar xhirimet, morrën lajmin e keq se Lasgushi kishte ndërruar jetë.

Kjo gjë u’a vështirësoi më shumë punën dhe ata u detyruan që të përdornin disa regjistrime dhe intervista që kishte bërë kohë më parë, regjizori i njohur, Mevla Shanaj, si dhe kineasti Endri Keko, një nga ikonat e kinematografisë shqiptare. Pasi siguruan ‘lëndën e parë’, falë punës që kishin bërë regjizorët e njohur Keko dhe Shanaj, grupi realizues i dokumentarit filloi regjistrimet që zgjatën më shumë se dy vjet, pasi në atë kohë ishte teknollogji e prapambetur, ku intervistat bëheshin në natyrë, ndërsa zëri regjistrohej në studio e zërit dhe kalonte më pas nëpër studiot e montazhit.

Lidhur me këtë, regjizori Topi tregoi se vetëm intervista me shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare, (një nga miqtë më të ngushtë të Lasgush Poradecit) zgjati gati gjashtë muaj për t’u realizuar, pasi përveç regjistrimeve që u bënë në ambientet e Kalasë së Krujës dhe në Pogradec, zëri regjistrohej në studio dhe asokohe ishte e vështirë që të gjendej edhe koha për ta takuar Kadarenë, i cili kishte angazhimet e tij shumë të mëdha. Regjizori Topi, tregoi se që në bisedën e parë që ai bëri me shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare, për të diskutuar rreth intervistës që do realizonin për Lasgushin, Kadare në koefidencë, midis të tjerash i tha: “Shiko,…kta, nuk e kanë shumë qejf, Lasgushin, madje nuk e duan fare…”!?

Lidhur me këtë, regjizori Topi u shpreh: “Me fjalën kta, Kadare e kishte fjalën për regjimin komunist, i cili në një farë mënyre, me heshtjen që kishte mbajtur ndaj Lasgushit, e kishte abandonuar fare atë”. Sidoqoftë, grupi i xhirimit me në krye regjizorin, Topi, arritën që t’ja merrnin intervistën Kadaresë, e cila u “qeth” në studiot e montazhit dhe fimi-dokumentar u mbarua aty nga vera e vitit 1990 dhe u shfaq para drejtuesëve kryesorë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, të cilët patën disa vërejtje, (trajtimi i Kosovës në film), të cilat Topi tha se u detyrua që t’i priste në montazh.

Advertisement

Mbarimi i filmit-dokumentar me titull “Nositi”, ishte një arritje e madhe jo vetëm për grupin realizues, por edhe për Kinostudion dhe në veçanti për regjizorin e ri, Edmon Topi, (asokohe 29 vjeç), që e kishte punën e parë si regjizor dhe “qershia mbi tortë”, ishte përzgjedhja e atij filmi në FestivaliN Ballkanik që do mbahej në nëntorine  atij viti në qytetin e Strugës, në Maqedoninë e asaj kohe, që ishte një nga gjashtë Republikat e Jugosllavisë.

Lidhur me këtë, regjizori Topi u shpreh: “Pjesmarrja ime si regjizor i atij filmi-dokumentar në Festivalin Ballkanik të Filmit, ishte një ngjarje e jashtëzakonëshme dhe mezi prisnim të shkonim. Por, ndërsa kishim bërë çdo gjë gati, ndodhi ajo që nuk e prisnim…?! Teksa makina e Kinostudios me të cilën do të udhëtonim për në Strugë, u bë gati me gjithë bagazhet tona, te porta kryesore, nuk e lanë të dilte…!? Shoferi erdhi më takoi te kafja ku sapo ndahesha me disa kolëgë dhe më tha se më kërkonin shefat lart në zyrë! Thashë se do kishin ndonjë porosi që mund ta kishin harruar nga ato që na thanë para nisjes, por u shtanga, kur një prej drejtuesëve kryesorë të institucionit tonë, më shumë zor dhe gjithashtu me dashamirësi, me gjysëm zëri ma tha se duhej të futesha urgjent në studion e montazhit, për të hequr intervistën me Kadarenë, pasi prej afro një muaji, Kadare ishte larguar nga Shqipëria, duke kërkuar azil politik në Francë. Dhe pas kësaj të niseshim urgjent për në Struge

Unë që në fillim u thashë se atë gjë nuk do e bëja kurrë, madje duke u thënë se: unë si person, nuk e dënoja aktin e largimit të Kadaresë nga Shqipëria. Me thënë të drejtën, duke parë se si po rrokulliseshin ngjarjet, në atë kohë ishim bërë dhe pak trima, (diskutonim si do vrisnim kopmunistat, etj), e nuk pranova në asnjë mënyrë ta hiqja intervistën e Kadaresë. Shefi që po ma kërkonte atë gjë, për të cilin edhe sot kam konsideratën më të lartë, (pasi ka qenë një nga njerzit prej të cilit kemi mësuar shumë, unë dhe plot të tjerë aty në atë institucion), tentoi të ma mbushte mëndjen, pasi i vinte keq edhe për mua që isha regjizor i ri, pasi do penalizohesha nëse nuk do e bëja atë gjë, për të cilën as ai nuk ishte dakort, por urdhëri nga “lart”. Edhe pas kësaj unë nuk pranova dhe kështu nuk na lejuan të merrnim pjesë në Festivalin Ballkanik të Filmit në Strugë. Por filmi u ruajt në arkiv ashtu i paprekur dhe ai mundi të shfaqej vetëm pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri…”, e përfundoi dëshminë e tij, regjizori Edmond Topi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy