Shqipëria është zgjuar sot më e pikëlluar dhe më pak e shëndetshme,  pa Doktor Shahin Kadarenë.

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Shqipëria është zgjuar sot më e pikëlluar dhe  më pak e shëndetshme,  pa Doktor Shahin Kadarenë.

Doktor Shahin Kadareja eshtë ndarë nga jeta, sot në orët e para të mëngjesit, pas një beteje më pak se njëvjeçare me një sëmundje të rënde.
Ai është një nga të parët Doktore të Shkencave në fushën e mjekesise, me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet onkologjike, si referues në dhjetra konferenca dhe kongrese ndërkombëtare shkencore. Ai ka botuar studimet e tij shkencore në revistat më të njohura të mjekësisë në botë.

Doktor Shahin Kadare fillimisht u diplomua në vite ’60 në Tiranë dhe më pas kreu një specializim në Rumani. Ndershmëria, përkushtimi dhe profesionalizimi i tij, e kthyen atë në një autoritet të padiskutueshëm shkencor në fushën e onkologjisë. Ai është themelues i Laboratorit të Morfologjisë Patologjike dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e kësaj dege të mjekësisë në Shqipëri, përmes diagnostifikimit mikroskopik të tumoreve. Ai arriti të krijoje në bashkëpunim me kirurgët shqiptarë të kohës, skemën e trajtimit operativ të tumoreve, duke verifikuar rrezikshmërinë e tyre qysh gjatë operacionit.
Nga ana tjetër Doktor Shahini ishte një simbol i përkushtimit dhe përgjegjësisë njerëzore për jetën dhe shëndetin e njerezve. Ai do të mbahet mend si doktori që lehtesonte dramën e madhe të sëmundjeve të rënda me të cilët përballej me pacientët e tij, me durimin dhe qetësinë e një profesionisti të rrallë.
Përtej autoritetit të tij shkencor, Doktor Shahini ishte një qytetar shembullor që i bënte pacientët e tij të ndiheshin të forte në betejën e tyre me sëmundjen e rëndë.
Me po aq kurajo dhe qetësi e përballoi dhe vete këtë betejë.
Shahin Kadareja ishte një qytetar i angazhuar, një intelektual antikonformist, një refuzues i mediokritetit dhe banalitetit në jetën publike dhe sidomos politikën shqiptare.
Ai është një nga themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1990, deputet i parë i saj, dhe një nga kritikët e parë të mëdhenj të lidershipit të saj si refuzues i autoritarizmit post-komunist.
Ai shërbeu për disa vite, pas vitit 1997 si ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe vende të tjera, por iu rikthye sërisht profesionit të mjekut.
Doktor Shahin Kadare është vëllai i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me të cilin pat ndërtuar një raport të rrallë njerëzor dhe intelektual.

Advertisement

Ai ishte adhurues i madh intelektual i tij, lexuesi më i madh i tij, kritiku më pa drojë i jetës dhe veprës së tij dhe mbështetësi më i madh në jetën e tij. Së bashku me gruan dhe fëmijët e tij, ndërtuan një raport familjar dhe njerëzor, që e bëri Familjen Kadare më të madhe dhe me te forte.
Doktor Shahin Kadareja la pas gruan dy fëmijë të suksesshëm, të shkolluar në Perëndim, të cilët e bëne atë krenar deri në fund të jetës së tij.
Shqipëria është zgjuar sot më e pikëlluar dhe natyrisht më pak e shëndetshme, pa Doktor Shahin Kadarenë.

Tema

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy