ANALIZA: Si do të përfitojë Kina nga ri-ngjitja e talebanëve në krye të Afganistanit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Si do të përfitojë Kina nga ri-ngjitja e talebanëve në krye të Afganistanit

Nga Ryan Hass

“Brookings Institute”

Ditët e fundit, shumë analistë kanë bërë parashikime se si do të ndikojë tërheqja e Amerikës nga Afganistani në pozitën rajonale dhe globale të Kinës. Disa argumentojnë se tërheqja do të çlirojë burimet amerikane, për t’u përqendruar më shumë tek Kina dhe rajoni  i Indo-Paqësorit.

Për të tjerët, kjo tërheqje krijon një boshllëk që do të shfrytëzohet nga Kina. Të tjerë pohojnë se Tajvani është tani më i brishtë, pasi Pekini e ka marrë sesa e vendosur dhe kompetente është Amerika në angazhimet e saj jashtë vendit.

Advertisement

Ndërsa është e vështirë të dihet me siguri se si po i vlerësojnë zhvillimet e fundit në Afganistan udhëheqësit kinezë, është e mundur të nxirren disa përfundime paraprake. Vëzhgimet e mëposhtme, bazohen tek më shumë se një dekadë diskutime me zyrtarë dhe ekspertë kinezë të fokusuar në çështje të tilla.

Shumica e homologëve kinezë që njoh, janë të paqartë në raport me çdo lloj optimizmi në lidhje me kapacitetin e tyre për ta transformuar Afganistanin. Ata nuk kanë asnjë ambicie për të drejtuar Afganistanin, apo për ta kthyer këtë vend në një model të formës së tyre të qeverisjes.

Pekini ka sigurisht interesat e tij në Afganistan, të cilat janë të orientuara kryesisht nga shqetësimet e sigurisë. Udhëheqësit kinezë shqetësohen për rrezikun e përhapjes së destabilitetit nga Afganistani në rajonet ngjitur, përfshirë vetë rajonet në Kinën Perëndimore, ku ka një pakicë të konsiderueshme myslimanësh.

Po ashtu ata shqetësohen për frymëzimin që militarizmi islamik, mund t’u japë të tjerëve me aspirata të ngjashme. Edhe pse udhëheqësit kinezë nuk janë entuziastë që talebanët e kanë rimarrë kontrollin e Afganistanit, ata nuk do të lejojnë që parimi të pengojë sjelljen pragmatike, siç tha edhe vetë ministri i Jashtëm kinez Wang Yi,pas takimit me udhëheqësin taleban Mullah Abdul Ghani Baradar në Tianjin 3 javë më parë.

Advertisement

Pekini do të njohë qeverinë e talebanëve, dhe do të eksplorojë mënyrat për t’i inkurajuar talebanët që të jenë të vëmendshëm ndaj shqetësimeve të sigurisë që ka Kina. Pekini do t’i nxisë talebanët që të mos jenë një strehë e sigurt për luftëtarët ujgurë dhe grupet e tjera që mund të destabilizojnë Azinë Qendrore apo të dëmtojnë interesat kineze në rajon apo brenda vendit.

Me kalimin e kohës, Kina do të mirëpriste mundësinë e përfitimit nga rezervat e pasura minerale të Afganistanit, dhe përfshirjes së këtij vendi në Nismën e saj të Brezit dhe Rrugës. Por nga ana tjetër, ajo ka të ngjarë të ketë mësuar nga përvoja e hidhur e Amerikës, se në Afganistan edhe pritshmëritë më modeste duhet të merren me rezerva.

Mos-zgjerimi i investimeve të saj në minierën e bakrit Mes Aynak, tregon gatishmërinë e Pekinit për të pasur një qasje plot durim në kthimin e investimit. Përpara se të përpiqet të çojë përpara interesat e tij në Afganistan, Pekini ka të ngjarë të marrë kohën e nevojshme për të parë nëse kërkesat e tij mbi sigurinë do të përmbushen nga talebanët.

Mjetet kryesore përmes të cilave mund të synojë të përfitojë Kina nga tërheqja e Amerikës, mund të jenë përpjekjet e saj për të avancuar narrativën e rënies globale të Amerikës. Zyrtarët e propagandës kineze, ka të ngjarë të synojnë t’i shfrytëzojnë imazhet tragjike të braktisjes nga Amerika të partnerëve afganë, si një provë domethënëse të mungesës së besueshmërisë dhe paaftësisë së amerikanëve.

Advertisement

Këto përpjekje ka të ngjarë të synojnë të arrijnë tek dy audienca: atë vendase dhe atë ndërkombëtar (jo-amerikane). Për audiencën vendase, mesazhi i Pekinit do të jetë se Shtetet

e Bashkuara nuk janë më një shtet model tërheqës për të tjerët. Ndryshe nga Uashingtoni, Pekini nuk do të ndërhyjë në luftërat civile të vendeve të tjera, nuk do të derdhë gjak, dhe as nuk do të lërë pas rrëmujë.

Për audiencën ndërkombëtare, mesazhi ka të ngjarë të jetë se kanë marrë fund ditët më të mira të Amerikës. Afganistani është vetëm një stacion tjetër në procesin e rënies së Amerikës, dhe se historia e së ardhmes është ngritja e Kinës.

Veprimi më i fuqishëm që mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara për të nënvlerësuar narrativën e Pekinit, nuk do të jetë ankesa. Përkundrazi do të jetë puna për të rikthyer besimin në kompetencën e Shteteve të Bashkuara për t’i bërë mirë gjërat e mëdha.

Advertisement

Prestigji i SHBA-së në skenën botërore, do të përcaktohet përfundimisht nga performanca.

Nga pikëpamja e fortë e sigurisë, Tajvani nuk është më i prekshëm sot nga sa ishte një javë më parë. Asnjë nga kufizimet në kapacitetin e Pekinit për të zhvilluar një luftë kundër Tajvanit, nuk është zvogëluar për shkak të zhvillimeve në Afganistan.

Udhëheqësit e Kinës, ka të ngjarë ta kuptojnë se interesi i vetëm jetik i Amerikës në Afganistan, ishte parandalimi i një sulmi terrorist në territorin e saj. Por Tajvani nuk është Afganistani. Ai është një shoqëri demokratike e lulëzuar, një hallkë jetike në zinxhirët e furnizimit global, dhe një partner i ngushtë dhe mik i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në rajon, përfshirë Japoninë dhe Australinë.

Fokusi i afërt i përpjekjes së kinezëve, ka të ngjarë të jetë në përpjekjen për të minuar besimin psikologjik të tajvanezëve tek e ardhmja e tyre. Pekini do të donte të çonte përpara narrativën sipas së cilës Shtetet e Bashkuara janë të largëta dhe jo të besueshme, se Tajvani është i izoluar dhe i vetmuar, dhe se rruga e tij e vetme drejt paqes dhe prosperitetit kalon përmes Pekinit.

Advertisement

Mediat propagandistike kineze, do të synojnë me siguri që t’i përdorin ngjarjet në Afganistan për të çuar përpara narrativën e të preferuar brenda Tajvanit. Por ngjarjet në Afganistan nuk do të ndikojnë tek vendosmëria e Amerikës për të pasur një qasje të fortë dhe të qëndrueshme ushtarake në Paqësorin Perëndimor.

Megjithatë, zyrtarëve të lartë amerikanë do t’u duhet të japin mesazhe të qarta, autoritative për udhëheqësit dhe publikun të Tajvanit, mbi vendosmërinë e Amerikës se mosmarrëveshjet në Ngushticën e Tajvanit, do të zgjidhen përfundimisht në një mënyrë paqësore dhe që reflekton vullnetin e qytetarëve të Tajvanit.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy