Angela Merkel, si u bë vajza e vogël nga Lindja udhëheqësja e Gjermanisë dhe gjithë Europës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Angela Merkel, si u bë vajza e vogël nga Lindja udhëheqësja e Gjermanisë dhe gjithë Europës

Nga Paul Carrel dhe Samuel Granados, Reuters

Na ishte një herë, një vajzë e vogël e quajtur Angela, e cila jetonte në një shtëpi në pyll, në një qytezë të vogël të quajtur Templin.

Në atë pyll, babai i saj Horst drejtonte seminare për protestantët, por për Angela-n e vogël, ishte një oazë lirie dhe sigurie nga regjimi komunist në Republikën Demokratike Gjermane, një parajsë ku prindërit e saj ruanin lirinë intelektuale.

Si një nxënëse e dalluar, ajo garoi në Olimpiadën kombëtare të gjuhës ruse dhe u shpërblye për paraqitjen e jashtëzakonshme me një udhëtim në Moskë.

Advertisement

Si për ironi të fatit, në atë udhëtim, ajo bleu albumin e parë të Beatles.

Angela u regjistrua si studente në Universitetin e Lajpcigut, ku studioi për fizikë. Ajo u martua me shokun e shkollës, Ulrich Merkel, por katër vite më pas u ndanë.

Ajo mori Doktoraturën ndërsa punonte në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë Lindore, ku ishte e vetmja grua në sektorin e kimisë teorike.

Kur ra Muri i Berlinit më 9 nëntor 1989, Merkel ishte në sauna me një shok. Më pas ajo kaloi në Perëndim dhe në një pikë e gjeti veten në një apartament bashkë me persona krejtësisht të panjohur.

Advertisement

Të nesërmen u kthye në Perëndim, bashkë me të motrën. Më pas u fut në politikë, duke i ngjitur shpejt shkallët brenda radhëve të Partisë Bashkimi Kristian Demokrat. Kjo ishte një arritje mbresëlënëse për një vajzë të re protestante nga Lindja, në një parti të dominuar nga burra të vjetër katolikë nga Perëndimi.

Në një të mërkurë nëntori të vitit 2005, Kancelarja e re e Gjermanisë, Angela Merkel, mbajti fjalimin e parë mbi politikat e saj, nga një podium në Bundestag dhe hapi shpirtin. “Befasia më e madhe e jetës sime është liria”, u tha ajo deputetëve gjermanë. “Prisja shumë gjëra, por jo dhuratën e lirisë, para daljes në pension”.

Epoka e saj dhe thirrja për bashkim që bëri në atë fjalim, morën një shtysë të madhe në verën e vitit 2006, kur Gjermania organizoi Kupën e Botës, një eveniment që bëri vendin të dashur për tifozët anembanë globit, dhe lejoi popullin gjerman që të ndihej mirë me veten.

Shumë shpejt i dolën përpara sfidat që has një udhëheqës i kalibrit botëror dhe e kaluara e Merkel do ta ndihmonte të përballonte krizat, dhe burrat e fortë. Në vitin 2007, presidenti rus Vladimir Putin, mori me vete qenushen e tij Koni në një takim, edhe pse dihej botërisht që Merkel kishte frikë nga qentë. Ai, madje e pyeti nëse e kishte bezdi. Merkel u përgjigj me ironi, në rusisht: “Në fund të fundit, ajo nuk i ha gazetarët”.

Advertisement

Disa vite më vonë, Merkel vijoi marrëdhënien me të, pavarësisht aneksimit të Krimesë, përfshirjes në Ukrainë dhe mbështetjes ndaj Bjellorusisë, dhe pavarësisht qëndrimit prej “macho” që Putin mbante kundrejt saj.

Kur kriza financiare botërore e vitit 2009 përfshiu edhe eurozonën, Merkel e kuptoi shpejt se këtu bëhej fjalë për të ardhmen e Bashkimit Europian, por taksapaguesit gjermanë nuk mund të pranonin që thjesht të nxirrnin nga borxhet Greqinë dhe shtete të tjera të jugut të Europës, pa minuar mbështetjen e saj për projektin europian.

Pas dhjetëra takimesh dhe samitesh, ajo arriti të siguronte mbështetje financiare për to, me kusht që të reformonin ekonomitë e tyre dhe që Bashkimi Europian të merrte masa që kriza të tilla të mos përsëriteshin në të ardhmen.

Duke lënë mënjanë kujdesin karakteristik, në vitin 2015 Merkel përshpejtoi vendimin për të hapur dyert e Gjermanisë për rreth 1 milionë refugjatë nga Lindja e Mesme. Sipas këshilltarëve të saj, e mori këtë vendim për të shmangur një katastrofë humanitare.

Advertisement

Në këtë pikë të karrierës së saj, shumë ranë dakord që Merkel ishte shndërruar në një prej personave me më shumë ndikim në botë.

Revista “Time” e shpalli “njeriun e vitit” në 2015-n, duke e përshkruar si “udhëheqësen de facto të Bashkimit Europian”. Revista “Forbes” e listoi në krye të listës së 100 grave me më shumë ndikim në botë, dhe në vend të dytë në kategorinë e përgjithshme.

Kriza e emigrantëve pati edhe pasoja negative për Merkel. Kur një vajzë palestineze 14-vjeçare shpërtheu në lot pasi Merkel i tha se mund të deportohej, figura e saj u vu në qendër të talljeve. Vendimi për të hapur kufijtë e Gjermanisë, gjithashtu, ndihmoi rritjen e partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland dhe i kushtoi në rënie të popullaritetit mes gjermanëve.

Megjithatë, me ardhjen e Donald Trump në pushtet në Shtetet e Bashkuara, shumë panë te Merkel shpresën e fundit të madhe të Perëndimit për një demokraci liberale. “Do të doja shumë të isha me të për të ndarë barrën, por ajo është e fortë”, tha ish-presidenti Barack Obama për Merkel, gjatë vizitës së lamtumirës në Berlin në vitin 2016.

Advertisement

Trashëgimia e Merkel ka lënë shumë njolla pas. Antisemitizmi në Gjermani është në rritje, ekonomia e maturuar gjermane është përshtatur me shumë vështirësi dhe me dhembje me epokën digjitale, dasitë Lindje – Perëndim mbeten të dukshme edhe 30 vite pas ribashkimit të vendit dhe panorama politike mbetet e copëzuar, çka ka bërë që për zgjedhjet federale të shtatorit të ravijëzohen koalicione të çuditshme.

Statura ndërkombëtare e Merkel dhe qetësia në udhëheqje bëri që gjermanët të kishin më shumë besim tek ajo gjatë pandemisë së koronavirusit. “Unë kam besim te qytetarët. Besimi është parimi. Nëse nuk kemi më besim që autoritetet lokale dhe ato mjekësore punojnë mirë, atëherë mund të bëjmë të gjithë valixhet gati. Kjo nuk do të ishte më Republika jonë Federale Gjermane”, tha ajo në majin e vitit të kaluar.

Çfarë do të bëjë Merkel kur të largohet nga Kancelaria? “Ka ende kërkesa ndaj meje dhe do të vijoj t’u përgjigjem deri ditën e fundit”, tha ajo në korrik, duke u zotuar se do të vazhdonte të punonte për çështje si ndryshimet klimatike. Por e pranoi se largimi do të jetë emocionues. “Zakonisht e kupton që diçka të mungon vetëm kur nuk e ke më”. (A2)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy