Botës i duhet një plan B për të dalë nga pandemia

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Botës i duhet një plan B për të dalë nga pandemia

Nga Thomas Wright

“The Atlantic”

Nuk ka asnjëherë një kohë të mirë për një pandemi, por kjo e koronavirusit të ri mund ta ketë goditur botën në momentin më të keq të mundshëm. Në dekadën që i parapriu, Kina ishte bërë më diktatoriale dhe më agresive. Nacionalistët populistë ishin në pushtet në Shtetet e Bashkuara, Indi dhe Brazil.

Tensionet gjeopolitike u rritën, jo vetëm midis Pekinit dhe Uashingtonit, por edhe brenda vetë Perëndimit; dhe po vihej në pikëpyetje vetë koncepti i të vërtetës objektive. Gjërat nuk ndryshuan as me shfaqjen e kësaj pandemie.

Advertisement

Bashkëpunimi global u prish thuajse plotësisht, pjesërisht për shkak se shumë udhëheqës nuk flisnin me njëri-tjetrin. Organizata Botërore e Shëndetit ra viktimë e presionit të Kinës, dhe më pas u “grushtua” fort nga Shtetet e Bashkuara. Gjërat pozitive që mund të vëreheshin ishin shumë të pakta.

Pandemia nuk ka mbaruar ende, dhe tashmë një numër ekspertësh po bëjnë thirrje që liderët e botë të mblidhen, ta reformojnë OBSH-në, dhe të përgatiten për pandeminë e radhës. 18 muajt e fundit kanë ngritur një pyetje shqetësuese, por jetike:Si funksionojmë kur jemi në kaos?

Leksioni i vërtetë i 2020-ë, është se ne kemi nevojë për një plan, për t’u përballur me problemet e mëdha globale në momentet kur tensionet janë në kulm. Covid-19 nuk ka pse

të ishte një sëmundje kaq e dhimbshme dhe e kushtueshme. Në fakt, nuk duhej të ishte kështu.

Advertisement

Në 17 vitet që nga epidemia SARS-it e viteve 2002-2003, të cilën në fillim Kina e fshehu, Pekini e rishikoi plotësisht arkitekturën e tij të shëndetit publik për të garantuar një përgjigje më transparente, më të shpejtë dhe më efektive. Kjo përfshinte fuqizimin e Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ngritjen e një sistemi të ri për raportimin e të dhënave, dhe një bashkëpunim më i ngushtë me komunitetin shkencor ndërkombëtar, përfshirë amerikanët.

Por edhe para kësaj pandemie, shenjat ishin që Kina mund të tërhiqej nga përkushtimi i saj ndaj shëndetit publik global. Për librin që kemi shkruar bashkë, unë dhe Colin Kahl biseduam me 4 zyrtarë të lartë, të ishin me punë në ambasadën amerikane në Pekin kur nisi përhapja e koronavirusit.

Ata na thanë se bashkëpunimi mes institucioneve kineze dhe komunitetit ndërkombëtar, ishte duke degraduar që para shfaqjes së Covid-19. Prioriteti kryesor i ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë, ishte të bindte qeverinë kineze të ndante plotësisht me ta mostrat e një lloji të ri të gripit të shpendëve të njohur si H7N9, për të cilin ekspertët besonin se mund të ishte burimi i pandemisë së ardhshme.

Kur u shfaq koronavirusi i ri, shumë nga reformat që u ndërmorën në Kinë pas SARS-it ishin anuluar. Kreu i CDC-së kineze mësoi nga mediat sociale për virusin e ri. Profesionistët amerikanë të shëndetit publik që ndodheshin në ambasadën tonë në Pekin, zbuluan se ishin prishur kanalet e tyre të komunikimit.

Advertisement

Disa analistë bënë përgjegjës sekretin e hershëm të mbajtur nga vetë zyrtarët rajonalë, të cilët nuk donin t’i jepnin Pekinit lajme të këqija. Por kur situatën e mori në vetë Xi Jinping, mungesa e transparencës u forcua akoma më shumë. Edhe ndarja e shumë-propaganduar e sekuencës gjenetike të koronavirusit, ndodhi sepse një shkencëtar kinez kundërshtoi urdhrin e qeverisë kineze.

Ai ishte një moment kthjellimi për pjesën tjetër të botës. Reforma dhe angazhimi që supozohej ta kishte transformuar rolin e Kinës në shëndetin publik global, kishte përfunduar. Pasi e vuri nën kontroll përhapjen e virusin në vend, Kina u bë më agresive në politikën e saj të jashtme, duke e goditur Hong Kongun, duke u hakmarrë ndaj Australisë vetëm pse kërkoi një hetim ndërkombëtar mbi origjinën e virusit, duke u përfshirë në një përplasje kufitare me Indinë, dhe duke përdorur në të gjithë botën diplomacinë agresive të “ujqërve luftëtarë”.

Për Kinën, pandemia konfirmoi fuqinë dhe aftësitë e saj, i krijoi më shumë hapësirë që ajo të bënte si të donte, dhe zbuloi rënien e pashmangshme të Perëndimit. Kërcënimet e zakonshme, sikurse janë pandemitë, supozohej se do t’i bashkonin kombet. Në vend të kësaj, Kina ndoqi rrugën e saj.

Prej vitesh, aleatët e SHBA-së ishin të shqetësuar se administrata Trump, do të ishte tërësisht e paaftë për t’u përballur me një krizë të madhe të politikës së jashtme. Dhe kur një krizë e tillë mbërriti, si për ironi, disa figura të larta në Shtëpinë e Bardhë e kuptuan seriozitetin e kërcënimit shumë kohë para homologëve të tyre evropianë.

Advertisement

Megjithatë nacionalizmi instiktiv i presidentit Trump dhe qasja e tij luftarake ndaj aleatëve të Uashingtonit, zbehën çdo lloj shprese se ata mund të përfitonin nga kjo. Në fillimin e vitit 2020, qeveria amerikane ishte e ndarë në lidhje me qasjen ndaj Kinës.

Një grup e shihte rivalitetin përmes një objektivi ekonomik dhe tregtar; tjetri e shihte si një luftë më të gjerë gjeopolitike. Para pandemisë, Trump gjendej në grupin e parë. Në marsin e vitit të shkuar, ai u hodh në kampin tjetër. Ndikimet e atij ndryshimi u shtrinë përtej administratës Trump.

Edhe ekipi i Joe Biden miratoi shikimin e Kinës si një konkurrente strategjike, ndërsa qëndrimet evropiane ndaj Kinës u ngurtësuan. Nga ai moment, administrata Trump e pa pandeminë kryesisht si simptomë të një sfide më të madhe nga ana e Kinës. Problemi ishte se ky botëkuptim nisi të diktojë, por dhe kufizojë reagimin ndaj pandemisë në përgjithësi.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo këmbënguli që në një komunikatë të G7-ës të përdorej termi“virusi i Kinës”. Por kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e kujdesshme. Kur i telefonoi për t’i thënë kundërshtimin e saj ndaj kësaj qasjeje, Trump i zemëruar i ulëriti dhe i mbylli telefonin. Sipas një diplomati të lartë gjerman, të dy udhëheqësit nuk folën më kurrë.

Advertisement

Pasi e mbylli ekonominë amerikane dhe e ktheu atë kundër Kinën, Trump sulmoi OBSH-në, duke njoftuar se po mendonte pezullimin e fondeve amerikane ndaj kësaj organizate. Me SHBA-në me një këmbë jashtë, obstruksionizmi i Kinës arriti kulmin dhe kreu i saj kapitulloi.

Një episod i këtij fillim-viti ishte shumë domethënës. OBSH-ja dërgoi më në fund një ekip në Kinë për të hetuar origjinën e virusit. Më 27 shkurt, ekipi dha një konferencë për shtyp për të njoftuar gjetjet e tij të përkohshme. Peter Ben Embarek, kreu i ekipit hetimor, tha se teoria se koronavirusi kishte dalë nga një laborator ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

Ekipi la të hapur edhe 2 hipoteza të tjera të promovuara nga qeveria kineze: se koronavirusi mund të ishte importuar në Kinë nëpërmjet ushqimeve të ngrira, dhe se një shpërthim i parë epidemik mund të kishte ndodhur jashtë Vuhanit, madje edhe jashtë Kinës.

Pandemia parashtron pyetje tejet të vështira, nëse bashkëpunimi global është i mundur në një epokë të nacionalizmit dhe rivalitetit të shfrenuar. Ndërsa bota po e kthen vëmendjen drejt përgatitjes për pandeminë e ardhshme të pashmangshme, shumë njerëz mund të tundohen t’i nxisin udhëheqësit të bëjnë më mirë, pra të nënshkruajnë traktate të reja, të bien dakord të punojnë me njëri-tjetrin, dhe të kenë gjithmonë në plan të parë të mirën globale.

Advertisement

Pa dyshim, kjo do të ishte ideale, por ne nuk mund të mbështetemi tek ajo. Bota ka nevojë për një plan B. Administrata e Biden duhet të ushtrojë presion për reformimin e OBSH-së. Por ndërkohë, ajo duhet të krijojë një aleancë të re të vendeve që ndajnë të njëjtën qasje me të. Çdo vend mund të anëtarësohet në të, për sa kohë që pajtohet me kushtet shumë të rrepta të anëtarësimit, përfshirë nivelet shumë më të larta të transparencës dhe qasjes për inspektorët e OBSH-së. Kur të na godasë pandemia tjetër, kjo aleancë mund të koordinojë kufizimet e udhëtimit dhe tregtisë, si dhe mesazhet publike, ndëshkimet financiare dhe sanksionet ndaj vendeve që refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht me OBSH-në.

Covid-19 është një paralajmërim. Pandemia tjetër mund të jetë më vdekjeprurëse dhe më pak e ndjeshme ndaj vaksinave. Ne nuk mund të presim që bota të lërë mënjanë nacionalizmin dhe rivalitetet gjeopolitike. Teksa përpiqemi të rregullojmë rendin botëror, ne duhet të përgatitemi për t’u përballur me pandemitë e ardhshme.

Shënim: Thomas Wright, është anëtar në Institutin Brukings dhe bashkautor me Colin Kahl i librit “Pasgoditjet: Politikat pandemike, dhe fundi i Rendit të Vjetër Ndërkombëtar”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy