Kina ka regjistruar sërish një numër të lartë të rasteve me Covid, pavarësisht masave të rrepta për të eliminuar koronavirusin dhe vaksinimit masiv.
Infektimet kanë përfshirë kryesisht Pekinin si dhe qendrën jugore tregtare Guangzhou.
Të mërkurën Kina regjistroi mbi 31,500 raste, numër ky më i lartë se ai i shënuar në muajin Prill me rreth 28,000 të regjistruar.
Vala në rritje e rasteve vjen disa javë pasi vendi reduktoi disa nga kufizimet e tij.
Karantina për kontakte të afërta u shkurtua nga shtatë ditë në strukturat shtetërore në pesë ditë dhe më pas në tre ditë në shtëpi. Por përballë një rritjeje të rasteve në Pekin, si dhe vdekjeve të para nga virusi këtë muaj zyrtarët kanë rikthyer masat në vendet e mbyllura si dyqane, shkolla dhe restorante.
Kina po ndjek një proces të çrrënjosjes së Covid me testime masive si dhe rregulla strikte për eliminimin e virusit. Megjithatë koronavirusi po vijon të përhapet në 31 provincat.