Frikë nga gara e armëve bërthamore pasi Rusia pezullon Traktatin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Frikë nga gara e armëve bërthamore pasi Rusia pezullon Traktatin

Pasi presidenti rus njoftoi se do të pezullojë pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e armëve bërthamore të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, janë rritur shqetësimet për një garë të re të armëve bërthamore. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell frika e kësaj gare të mundshme ekziston jo vetëm mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe midis fuqive të tjera bërthamore, përfshirë Kinën.

 

Traktati i ri START është marrëveshja e fundit bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ajo u nënshkrua në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev.

 

Advertisement

Këtë javë, presidenti Vladimir Putin njoftoi se po pezullonte pjesëmarrjen e Rusisë duke thënë se traktati ishte “absurd” në një kohë kur NATO po ndihmon Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Ai tha se kishte urdhëruar, që armët bërthamore që lëshohen nga toka, të vendoseshin në gjendje gatishmërie luftarake. Presidenti Putin u zotua edhe për investime të mëtejshme.

 

“Ne do të vazhdojmë prodhimin masiv të sistemeve ajrore hipersonike ‘Kinzhal’ dhe do të fillojmë furnizimet masive të raketave detare hipersonike ‘Zircon’ ” tha presidenti rus.

 

Advertisement

Por analistët thonë se pezullimi i traktatit bërthamor nga Moska nuk ka gjasa të ketë një ndikim të menjëhershëm.

 

“Traktati do të skadonte gjithsesi, kështu që përfundimi i tij nuk do të ndryshojë shumë në thelbin e marrëdhënieve ushtarake midis dy shteteve”, thotë Ian Hurd, profesor i shkencave politike në Universitetin Northwestern.

 

Advertisement

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara së bashku kanë mbi 90 për qind të armëve bërthamore në botë. Traktati i Ri START i kufizon të dyja palët të mos kenë kenë më shumë se 1550 mbushje bërthamore, si dhe i lejon ato të inspektojnë objektet bërthamore të njera tjetrës.

 

Inspektimet u pezulluan për tre vjet për shkak të pandemisë dhe ato nuk vazhduan më. Për këtë Uashingtoni fajëson Moskën.

 

Advertisement
Shtetet e Bashkuara mund t’ia kalojnë Rusisë nëse dëshirojnë; është një ekonomi shumë më e madhe.

 

“Traktati është në interes të të dy vendeve, sepse vendos kufizime në garën e armëve bërthamore. Shtetet e Bashkuara mund t’ia kalojnë Rusisë nëse dëshirojnë; është një ekonomi shumë më e madhe. Më shumë gjasa, Rusia dëshiron ta përdorë këtë si një mjet pazaresh për t’i thënë presidentit Biden: ‘Mbështetja juaj për Ukrainën ka kosto’”, thotë Jane Kinninmont, nga organizata “European Leadership Network”, një organizatë jo qeveritare mbarë-evropiane me seli në Londër.

 

Presidenti Biden e quajti pezullimin nga Rusia të traktatit bërthamor një “gabim të rëndë”. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje që Moska t’i kthehet marrëveshjes.

Advertisement

 

Pavarësisht ngrohjes së lidhjeve mes Pekinit dhe Moskës, Kina gjithashtu bëri thirrje të mërkurën që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të respektojnë marrëveshjen bërthamore.

 

“Ne shpresojmë që të dyja palët t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut konstruktiv për të siguruar zbatimin e traktatit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Advertisement

 

Tani ekziston frika e një gare të re armatimesh, jo vetëm midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe midis fuqive të tjera bërthamore, përfshirë Kinën.

 

“Si mund t’i thotë dikush Kinës që të kufizojnë programet e tyre, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë kufizime?”, pyet zonja Kinninmont nga organizata “European Leadership Network”.

Advertisement

 

Pa ofruar ndonjë provë, Presidenti Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të rifillojnë provat bërthamore dhe shtoi, se një rast të tillë, edhe Rusia do të kryente provat e veta. Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Britania dhe Kina i ndaluan provat bërthamore në vitet 1990./voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy