Geishat, kush janë “zonjat argëtuese” enigmatike të Japonisë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Geishat, kush janë “zonjat argëtuese” enigmatike të Japonisë

Me kalimin e kohës, dhe sidomos gjatë epokës së lulëzuar perandorake Heian, Geishat u vendosën me banim në oborrin Perandorak Japonez. Në atë kohë një theks i madh iu vu bukurisë, dhe Geishat janë mishërimi i atij koncepti. Por nga ana tjetër është e rëndësishme të kuptohet koncepti japonez mbi “bukurinë”.

Kjo e fundit gjendet tek gjërat e thjeshta dhe delikate, tek eleganca fizike dhe paqja shpirtërore, tek qetësia dhe natyra e thjeshtë. Kështu, Geisha është elegante, ajo i kryen gjërat ngadalë dhe me masë.

Ajo është melankolike dhe ka një sjellje shumë paqësore.

Gjatë periudhave të Mesjetës dhe të modernitetit të hershëm, Geisha nisi të shfaqë çdo aspekt të asaj që konsiderohej si bukuri. Ajo paraqitej së jashtmi me një grim të rëndë në fytyrë: Aristokratet japoneze dhe Geishat, paraqiteshin me fytyra të bardha me shumë pudër, buzëkuq shumë të shndritshëm dhe dhëmbët e zinj.

Advertisement

Ekziston një keqkuptim modern – që filloi pas Luftës së Dytë Botërore – se Geishat janë kurtizane dhe punëtore seksi. Por kjo është larg të vërtetës. Para shekullit VII-të Pas Krishtit, Geishat dilnin vërtet nga kurtizanet, sidomos nga ato rangjeve më të larta. Por ato ishin të afta në vallëzim, në shkrimin dhe recitimin e poezive, në aftësi të ndryshme sociale, si dhe në luajtjen e instrumenteve të ndryshme.

Nga ai moment ato morën rolin e Geishës siç është edhe sot, që nuk lidhet ekskluzivisht me aktivitetin seksual. Shoqëria japoneze – si çdo shoqëri tjetër në këtë botë – ka pasur prostituta dhe konkubina, por ato nuk ishin Geisha. Nga ana tjetër, Geisha mund të zgjidhte të kishte një partner apo mbrojtës më intim.

Ai njihet si partneriteti “danna”, ku Geisha mund të kishte një mbrojtës që i paguante shpenzimet, i blinte dhurata, dhe që do të përfshihej më shumë personalisht me të. Kjo marrëdhënie përfshinte shpesh seksin, dhe shpesh ishte e rezervuar për burrat më të pasur dhe më me ndikim në shoqërinë japoneze.

Por Geisha e bënte këtë me dëshirën e saj, dhe shpesh e nxitur nga dashuria e saj për personin në fjalë. Është një fakt i trishtë që shumica e Geishave në periudhën mesjetare të Japonisë, e kishin origjinën nga shtresat më të varfra të shoqërisë.

Advertisement

Një okiya – shtëpia e Geishave – rekrutonte vajza të reja nga familjet që detyroheshin t’i  shisnin vajzat e tyre për shkak të varfërisë ekstreme. Ai moment ishte gati në çdo rast hera e fundit që vajza do ta shihte familjen e saj. Kur të hynte në okiya, vajzat do të jetonin në një shoqëri rreptësisht matriarkale, pa burra përreth.

Okaa-san, ose ‘nëna’ e shtëpisë, ishte një grua e martuar që mbikëqyrte trajnimin rigoroz

të kandidateve për Giesha, proces që zgjaste shpesh për dekada. Ajo do të investonte shumë në një Geisha potenciale, dhe nga vajza pritej që ta shlyente atë borxh më vonë gjatë karrierës së saj. Kjo është arsyeja pse shumë Geisha vendosën të kishin një bamirës, ​​një  mbrojtës “danna”, që do të paguante një pjesë të shpenzimeve të tyre të mëdha.

Një jetë e përkushtuar këtij profesioni, dhe një trajnim shumë rigoroz

Advertisement

Natyrisht, një Geisha e mundshme do të duhej të ngrihej gradualisht në rangjet e hierarkisë. Në fillim, një vajzë e re do ta fillonte si një shërbëtore e thjeshtë e shtëpisë, dhe më vonë mund të bëhej një nxënëse. Me kalimin e viteve, dhe pas shumë mësimeve të marra, ajo mund të ngrihej në gradën e lakmuar të një Geishe me një status të plotë.

Nuk ishte ndonjë sekret fakti, që vajzat e sapoardhura të shiheshin shpesh shtrembër, apo të keqtrajtoheshin nga vajzat me përvojë të shtëpisë. Por në këto rrethe, kishte edhe shumë lidhje dhe miqësi të forta, sidomos kur një vajzë bëhej nxënëse e një Geishe veterane.

Një hap vendimtar në rrugën e vajzës së re për t’u bërë një Geishë, ishte ceremonia e quajtur  mizuage. Një ngjarje prestigjioze dhe plot detaje, mizuage ishte ankandi i virgjërisë së një vajze të re. Burra të rangut të lartë, të pasur dhe me ndikim, të cilët duhej të ishin të nderuar dhe me sjellje të qytetëruara – do të ofronin çmimin më të lartë për t’i zhvirgjëruar ato.

Shuma e parave të paguara do të merrej për “nënën” e shtëpisë, dhe do të ishte pjesë e shlyerjes së borxhit të Geishës së ardhshme. Kur prostitucioni në Japoni u ndalua me ligj, u ndal edhe kjo praktikë. Nuk ishte e pazakontë që burrat të binin dëshpërimisht në dashuri me një Geisha.

Advertisement

Kjo pasi ato ishin mishërimi i nurit dhe i elegancës femërore. Në një epokë kur martesat bëheshin me shkes, burrat ishin shpesh të pakënaqur nga familja e tyre. Kështu, ata kërkonin shpesh shoqërinë e një Geishe.

Këta ishin zakonisht komandantë ushtarakë të rangjeve të larta, biznesmenë të pasur, apo figura politike me ndikim. Me paratë dhe prestigjin e mjaftueshëm, këta burra mund të siguronin një takim kokë më kokë me një Geisha, e cila nuk përfshinte intimitetin.

Një seancë do të zgjasë për aq kohë sa të digjej një shkop i bërë prej drurit të temjanit, senkodai. Me kalimin e kohës, një burrë që magjepsej nga një Geisha, mund të bëhej mbrojtësi i saj, danna, gjithnjë nëse binte dakord kjo e fundit.

Mbrojtësi do të bëhej bamirës dhe dashnor i Geishës. Sa më i fuqishëm dhe me ndikim të ishte ai, aq më shumë do të rritej reputacioni i Geishës. Nëse do ishte shumë i pasur, i dashuri i saj mund të ndihmonte në shlyerjen e borxhit të saj të madh, dhe t’i garantonte asaj një jetë me prestigj dhe ndikim.

Advertisement

Një Geisha mund të ketë vetëm një “danna” të vetëm në të njëjtën kohë, dhe mund t’i jepte fund lidhjes nëse dëshironte, dhe të kërkonte një lidhje të re. Me stilin e tyre shumë kompleks, dhëmbët e nxirë, stilin unik të flokëve, mirësjelljen, dhe veshjet e tyre të shtrenjta kimono, Geishat ishin ato që diktonin tendencat e modës në kohën e tyre. Sigurisht, për shkak të kostos së madhe të këtyre privilegjeve, shumica e këtyre tendencave ishin gati të pamundura për t’u arritur nga gratë e tjera.

Këmbëngulje përgjatë gjithë epokave, ashtu siç e di vetëm një Geisha

Lufta e Dytë Botërore, pati efekte shkatërrimtare në të gjithë kulturën japoneze dhe traditat e saj, përfshirë Geishat. Pas luftës, një pjesë e madhe e popullsisë së Japonisë u zhvendos, dhe u harruan traditat e vjetra. Në fund të luftës, shtëpi të shumta të Geishave u shkatërruan nga trupat amerikane.

Geishat e gjetën veten në një botë, ku hasën jo pak vështirësi të rruanin bukurinë, dhe të gjenin kohë për ta shijuar edhe një herë atë. Kjo i detyroi shumë Geisha veterane të kërkonin punë të tjera.

Advertisement

Po ashtu, punonjëset e zakonshme të seksit ishin në gjendje të imitonin Geishat, duke e maskuar veten si të tilla, dhe duke ofruar shërbime seksuale për trupat amerikane. Nga ana tjetër kjo krijoi një keqkuptim të shumë-përhapur, se Geishat ishin në të vërtetë prostituta të shoqërisë së lartë.

Kjo nuk është e vërtetë. Lufta i zbehu traditat e Geishave, dhe reduktoi ndjeshëm numrin e tyre. Për pasojë sot në Japoni ka vetëm disa qindra Geisha të vërteta dhe tradicionale, kryesisht në Kioto. Sigurisht, në kohët moderne, të qenit Geisha nuk nënkupton më një jetë as strikte sa dikur.

Shumica e këtyre grave bëjnë një  jetë normale:ato mund të ndjekin shkollën e lartë, të martohen, dhe të krijojnë një familje. Sidoqoftë, rruhen ende tiparet më të famshme të Geishës, të cilat përmirësohen në një nivel të lartë aftësimi, duke e vazhduar kësisoj këtë traditë shekullore. Dhe është pikërisht Geisha, ajo që ndihmon në ruajtjen e misterit të Japonisë dhe traditave të saj të pavdekshme.(CNA.al)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy