Kronikë e një udhëtimi kafkian

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kronikë e një udhëtimi kafkian

Nga Virgjil Muçi

Diku Platoni është shprehur se nuk është autori që e përzgjedh librin e tij, por është ky i fundit, pra libri që, falë një mekanizmi të mistershëm dhe të pashpjegueshëm logjikisht, shkon dhe e gjen autorin. Kjo sentencë platoniane, ma do mendja, i shkon krejt pas shtatit Alfred Lelës dhe sprovës më të fundit publicistike nga ana e tij që mbart titullin elokuent “Karantinë për një”.

Paradoksi është se, për arsye që kritikët letrarë kurrsesi nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë sado hamendje të ngrenë, në historinë e letrave kemi një mori shembujsh që na dëshmojnë se disa prej veprave të shkruara në kohë diktaturash e mbylljesh hermetike, kur individi privohet nga liria fizike dhe nuk i mbetet veçse ajo shpirtërore, shkrimtarët kanë prodhuar vepra të arrira, asish që lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive e mbahen mend për një kohë të gjatë.

Libri vjen si një rrëfim sa intim aq edhe universal në sfondin e dy tragjedive të mëdha për autorin. Intim ngase lidhet me lëngatën e rëndë të njeriut më të dashur, nënës së tij dhe universal ngase përshkruan tragjedinë e Covid-19 (me ironi autori e krahason këtë emër ngjethës me atë të një loje play station), tragjedi që ka prekur mbarë njerëzimin. Në lexim e sipër të këtij libri të veçantë për bibliotekën e librit shqip, si e para – intimja – ashtu edhe e dy – universalja – vijnë e shkrihen në një dhimbje të vetme e të pandashme, duke e bërë atë edhe më të prekshme dhe të afërt për lexuesin, ashtu siç mund të ngjasë rrallëherë në ekzistencën tonë të përkohshme të kësaj bote, atëherë kur përjetohen konflikte të mëdha, siç janë luftrat, fatkeqësitë natyrore të përmasave apokaliptike që e kanë prekur herë pas herë njerëzimin përgjatë historisë së tij.

Advertisement

Libri ndërtohet në dy pjesë: pjesa e parë përmban një ditar 14 ditor, ndërsa e dyta mban titullin Përsiatje dhe përmbledh një cikël shkrimesh që i përshkon si lajtmotiv atmosfera e krijuar prej koronavirusit.

Ditari shkon e përfundon Ditën e 14-të, ashtu siç përfundon një karantinë dhe ngjarja vijon me largimin e autorit nga Italia, vendi ku ai ndodhet për shkak të sëmundjes të së ëmës e shtrimit të saj në një spital në veri të Italisë, dhe udhëtimin me Air Albania drejt atij vendi që ne shqipëtarët e quajmë Shqipëri, për të ngritur siparin e Përsiatjeve shqiptare.

Në këtë pikë lexuesi me naivitet – lexuesit përgjithësisht janë naivë ngase besojnë gjithçka që thotë autori, kushdoqoftë prej tyre – mund të krijojë iluzionin ose rremendjen, siç i pëlqen ta shqipërojë autorit – se me mbërritjen në atdhe ke shpëtuar nga murtaja e koronavirusit – për hir të së vërtetës, më e rëndë se ajo që frymëzoi Kamynë të shkruajë librin e vet të famshëm -, falë traditës popullore me hudhra e raki ballë kazani, por edhe vaksinat kundër TBC-së me të cilat komunizmi na i paskërka imunizuar shqiptarët si rrallëkënd në planet. Por duke i shfletuar njëra pas tjetrës Përsiatjet e Lelës, ti si lexues e kupton se të gjitha këto janë thjesht një rremendje, ashtu si shumëçka në këtë vend të bekuar.

Me ca penelata të shpejta me një dorë të sigurtë falë mprehtësisë vëzhguese të syrit të gazetarit me përvojë, Lela na jep kompleksitetin e jetës të qyteteve të Italisë së Veriut, ku ai gjendet ndërkohë, në kulmin e pandemisë, ndonëse i njëjti peizazh surrealist mbizotëron kudo në Europë. E këtu nuk ke sesi të mos pajtohesh me autorin kur thotë:

Advertisement

“Brenda natës Unioni Europian është shndërruar në Bashkimin e Karantinës”. Në vëzhgim e sipër dhe më pas gjatë procesit të të shkruarit duket sheshit se autorit i rri ngushtë petku i gazetarit dhe aq më fort ai i kronistit. Atëherë ai zhvendoset pa u sforcuar në një tjetër regjistër, atë të shkrimtarit dhe përmes refleksioneve dhe tropeve letrare, mjaft të gjetura më duhet të them jo pa një dozë zilepsjeje, si dhe ironisë e humorit më fort british sesa shqip, shkrimtari depërton e shkon përtej fasadës, matanë murit të heshtjes për të zhbiriluar atë çka është e qenësishme, çfarë ndodh me njerëzit të mbyllur pas dyerve të banesave (apo mos duhet thënë, pas dyerve të frikës?!), kush ka për të qenë fati i tyre dhe çfarë i pret në të ardhmen, një dimension kohor tanimë i harruar, duke qenë se për momentin ka rëndësi vetëm e tashmja, të mbijetuarit. Në këtë skenar dantesk që e rrethon autorin në Ferrin e përmbitokshëm, syrit të autorit nuk i shpëton prania e kamionëve ushtarakë rusë.

Çizmja “çlirimtare” e ushtarit rus që nuk e shkeli Italinë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ja ku mbërrin tash në atdheun e Dantes me një mision humanist, një vend anëtar i BE-së që ngjan fillikat dhe i braktisur prej aleatëve në këtë gjëmë, duke na ofruar një lectio magistralis në gjeopolitikë; gjeopolitika nuk do t’ia dijë nga pandemia, madje është më e fortë se ajo.

Edhe pse i shkruar në kohë monstruoze, kur Vdekja duket sikur e ka zbythur Jetën dhe kjo e fundit e pa ndihmuar nga njerëzit e ka humbur busullën dhe qorrollepset si një Edip incestuoz dhe atvrasës, ky libër është një himn për dashurinë; në radhë të parë për dashurinë ndaj njeriut më të shtrenjtë, Nënës, krijueses së jetës, por edhe dashuri për Njerëzimin tok me të mirat e të ligat e tij, defektet e padrejtësitë.

Por, në fund të fundit, a nuk janë të gjitha këto cene që na shtyjnë drejt vetëpërsosjes në rrekjen tonë të pandalshme për t’u barabitur me Zotat tanë, si ata në Tokë ashtu edhe në Qiell?

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy