Lajçak: Të hënën do të bisedojmë për afatet e zbatimit të propozimit evropian

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Lajçak: Të hënën do të bisedojmë për afatet e zbatimit të propozimit evropian

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, deklaroi se pret që Kosova dhe Serbia të pranojnë planin e zbatimit të propozimin evropian për normalizimin e raporteve gjatë rundit të ri të dialogut që do të zhvillohet më 27 shkurt në Bruksel.

 

“Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak në një intervistë për Tanjug.

 

Advertisement

Ai tha se në rundin e ri të dialogut të Brukselit do të diskutohet për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

 

“Gjithçka për të cilën biem dakord nën ndërmjetësimin tim, nuk ka vetëm pjesën politike, por edhe atë që flet qartë se kush është përgjegjës për çfarë, në çfarë afati, kështu që kjo është edhe pjesë e propozimit tonë që do ta diskutojmë të hënën. Pra, plani i zbatimit. Do të kemi të definuar konkretisht se çfarë dhe në cilat afate duhet të bëhet dhe BE-ja do të luajë një rol qendror në monitorimin e përmbushjes së detyrimeve”, theksoi Lajçak.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar propozimi evropian për normalizim, apo siç njihej edhe si propozimi franko-gjerman.

Advertisement

 

Kosova dhe Serbia kanë deklaruar se e pranojnë këtë propozim, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian është një bazë e mirë për negociata.

 

Propozimi evropian nuk është bërë publik. Megjithatë, Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një draft, në të cilin nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Advertisement

 

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Kosova insiston që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke. Por, Serbia – që ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vijë e kuqe për të – kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./rel

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy