Një histori gati e pabesueshme: Boji – qeni nga Stambolli që po merret me politikë (pa vullnetin e tij)

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Një histori gati e pabesueshme: Boji – qeni nga Stambolli që po merret me politikë (pa vullnetin e tij)

Nga Enver Robelli 

Boji është një yll.
Boji i ka ka gati 128 mijë ndjekës në Twitter.
Boji është i njohur.
Boji është figurë prominente e jetës publike.
Boji është një qen.
Një qen nga Stambolli.

Për Bojin kanë shkruar gazeta e portale turke.
Bojin e kanë portretuar media gjermane dhe zvicerane.
Për Bojin ka shkruar madje edhe CNN.

Chris McGrath, fotograf i agjencisë Getty Images, e ka shoqëruar një ditë në Stamboll Bojin. Chris McGrath thotë: «Boji është një shpirt i lirë».
Pse është Boji kaq interesant?

Advertisement

Sepse ai çdo ditë udhëton me dhjetëra kilometra në metronë e Stambollit dhe me tramvaj. Nganjëherë edhe me anije.

Boji më së shumti ka qejf të shkojë te stacioni i tramvajit Kabatas në anën europiane të Stambollit dhe nga aty të shikojë mbi Bosfor drejt Azisë.

Duke e parë potencialin e Bojit për të reklamuar qytetin, administrata e Stambollit e ka marrë këtë qen shtegtar nën kujdes. Ia ka hapur një profil në Twitter. Aty Boji i ka, siç u tha më lart, gati 128 mijë ndjekës. Çdo dy javë Bojin e dërgojnë te veterinari. Boji ka në qafë një transmetues GPS.

Duket se ka njerëz që janë xhelozë që Boji është bërë shumë i njohur. Duket se ka rivalë politikë të kryetarit të Stambollit, të cilët mendojnë se qeni Boji mund t’ia rrisë popullaritetin Ekrem Imamoglut. Ai i përket partisë CHP, e cila në nivel të Turqisë është kundërshtarja kryesore e Rexhep Taip Erdoanit. Të premten e kaluar në Twitter u shfaq një fotografi. Aty shihej një ulëse e ndotur e tramvajit me shënimin se «qeni i kryetarit të qytetit» e ka kryer nevojën në transportin publik. Pas kësaj akuze zëdhënësi i kryetarit të qytetit postoi një incizim nga kamera e sigurisë. Aty nuk shihej Boji duke bërë hatanë, por një burrë që tinëzisht ndot karrigen e tramvajit me jashtëqitje qeni.

Advertisement

Në profilin e tij Boji bëri të ditur se ndihet i ofenduar nga akuza. Ai tha se atë ditë nuk kishte hipur në tramvaj, por kishte qenë te veterinari. Fotografia që njolloste Bojin u përhap nga një profil në Twitter, i cili është i afërt me AKP-në e Erdoanit dhe njihet për sulme kundër kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Kështu edhe një qen shtegtar në Turqi ka potencial të shndërrohet në pjesë të një skandali politik. Para se të sulmohej në mënyrë perfide Boji kishte postuar në Twitter këtë fjali: «Hava güzel, güneş iyi, keyfim yerinde», përkthyer në shqip pak a shumë i bie kështu: një qen në disponim shijon motin e mirë dhe diellin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy