Bëni Like Struga.info në Facebook


Opinion: Dërgimet e tankeve gjermane shans për korrigjim gabimi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Opinion: Dërgimet e tankeve gjermane shans për korrigjim gabimi

Déjà-vu! Këtë e kemi parë edhe njëherë: Ukraina dhe partnerët në lindje vështrojnë me nervozitet në rritje rinformimin e trupave ruse, si në Bjellorusi dhe vrasin mendjen se ku dhe kur do të godasë Putini. Gati një vit pas luftës në Ukrainë kjo është pjesë e taktikës së tij të goditjes. Gjermania edhe njëherë po vendoset nën presion gjithnjë e më të madh për dërgimin e më shumë armëve, në një kohë që Britania e Madhe merr iniciativën dhe si vendi i parë i NATO-s do të dërgojë tanke luftarake. Kritika ndaj Berlinit është rritur, në twitter ofendimi i Gjermanisë është sërish në modë. Problemet e vjetra të Europës lindore dhe Gjermanisë kërcënojnë të rihapen sërish. Kjo të kujton gjendjen në janar shkurt 2022, kur Estonia donte të dërgonte tanke artilerie nga rezervat e RDGJ-së, kurse Berlini bllokonte, dhe vetëm pas marshimit rus në Ukrainë ra dakord.

Zhdavaritje e dyshimeve të fundit ndaj besueshmërisë së gjermanëve

Pika kryesore e debatit këtë herë është produkti më i njohur dhe më i kërkuar i industrisë gjermane të armëve, tanket Leopard 2. Ai është ndërkohë një simbol. Kievi i drejton prej muajsh lutje Berlinit për këto tanke e deri tani dëgjon përgjigje negative. Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck bëri të qartë, se Berlini nuk do të bllokonte, nëse vendet e tjera duan të dërgojnë tanke. Polonia dhe vende të tjera të NATO-s, si edhe Finlanda janë gati të dërgojnë tanket e veta Leopard 2 në Ukrainë, por kanë nevojë për këtë për miratimin e Gjermanisë, vendit ku u zhvilluan armët.

Në fillim të sulmit rus ndaj Ukrainës, Berlini u kritikua shumë për qëndrimin hezitues. Ky rezervim dhe ndërtimi i gazsjellësit Nord Stream 2 ishin gabimet më të mëdha gjermane para sulmit rus. Që nga kjo kohë Gjermania e korrigjoi kursin e saj – ajo i dha fund varësisë nga furnizimet energjitike ruse, Ukraina u furnizua me armë. Vetëm para pak javësh, Berlini bëri të ditur, se do të dërgojë tanket mbrojtës Marder dhe sistemin antiraketor Patriot në Ukrainë. Tanket Leopard 2 janë një shans të hiqen edhe dyshimet e fundit për besueshmërinë gjermane, për korrigjimin e gabimeve të shkuara dhe mbylljen e këtijn kapitulli.

Advertisement

Shans për ministrin e ri të Mbrojtjes, Pistorius

Berlini duhet ta japë miratimin dhe do ta japë. Presioni po rritet, shenjat për këtë po shtohen, është vetëm çështje kohe. Shtyrje të tjera pa një humbje të madhe të imazhit të Gjermanisë janë gati të pamundura. Pas njoftimit të Britanisë së Madhe, ky nuk do të ishte më veprim i veçuar, të cilin kancelari Scholz e refuzon duke respektuar dyshimet në popullsi. Në një artikull parimor për revistën “Foreign Affairs” në dhjetor, Olaf Scholz schkroi, se Gjermania është gati “të marrë përgjegjësinë si një nga garantet kryesore të sigurisë në Europë.” Ai premtoi trajnimin e forcave ukrainase të sigurisë dhe pajisjen e tyre.

Miratimi për tanket Leopard 2 do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim: sa më shpejt, aq më mirë. Rasti tjetër do të ishte takimi i ministrave të Mbrojtjes për ndihmën ndaj Ukrainës në fund të kësaj jave në bazën amerikane në Gjermani, Rammstein. Ministri i ri i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka shansin unik të shkojë me një njoftim historik për dhënien e dritës së gjelbër për tanket Leopard. Ukraina dhe partnerët e saj nuk kanë shumë kohë, faza më brutale dhe e përgjakshme e luftës është ende përpara. Gjermania nuk mund të jetë më hezituese./DW

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy