Parlamenti i Moldavisë miraton qeverinë e re pro-perëndimore

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Parlamenti i Moldavisë miraton qeverinë e re pro-perëndimore

Parlamenti i Moldavisë miratoi të enjten një qeveri pro-perëndimore të udhëhequr nga Kryeministri Dorin Recean, i cili u zotua të ringjallë ekonominë e vendit dhe të ndjekë një kurs drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

 

Presidentja Maia Sandu emëroi të premten 48-vjeçarin Recean për të zëvendësuar zonjën Natalia Gavrilita, qeveria e së cilës dha dorëheqjen pas 18 muajve të vështirë në pushtet, që u shoqëruan me trazira ekonomike dhe siç thuhet, ndërhyrje nga Rusia.

 

Advertisement

Zoti Dorin Recean, ish-ministër i brendshëm dhe ndihmës, siguroi mbështetjen e 62 ligjvënësve në parlamentin me 101 anëtarë. Ai i theksoi planet politike përmes një programi të titulluar “Moldavia e begatë, e sigurt dhe evropiane”.

 

“Ne duam që të jetojmë në një botë të sigurt ku respektohen traktatet ndërkombëtare, ku problemet mes vendeve zgjidhen përmes dialogut, ku ka respekt për shtetet e vogla”, thuhet në program. “Ne duam të jemi anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

 

Advertisement

Zoti Recean tha para votimit parlamentar se qeveria e tij do të ketë vetëm katër ministra që nuk ishin në qeverinë e kaluar – ministrat e financave, infrastrukturës, drejtësisë dhe energjisë.

 

Ai është një politikan me përvojë që ka shërbyer si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë, një organ këshillues mbi çështje të sigurisë ushtarake dhe kombëtare. Po kështu ka shërbyer si Ministër i Brendshëm që nga viti 2012 deri në 2015.

 

Advertisement

Dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, Moldavia ka 2.5 milionë banorë dhe kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë, anëtare të BE-së. Tashmë Moldavia është kandidate për anëtarësim në BE, por procesi zakonisht zgjat disa vite.

 

Ekonomia e Moldavisë varet së tepërmi nga gazi rus dhe vendi po ndikohet nga efektet e luftës në Ukrainë ndërsa është shndërruar dhe në një strehë, për një numër të madh ukrainasish, të zhvendosur për shkak të agresionit rus. Në vitin 2022, çmimet e larta të energjisë, ushqimeve dhe rritja e inflacionit, shkaktuan protesta të mëdha kundër qeverisë./voa

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy