Perëndimi ka të drejtë t’i mohojë Rusisë pasjen e një “sfere ndikimi”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Perëndimi ka të drejtë t’i mohojë Rusisë pasjen e një “sfere ndikimi”

Nga Andreas Kluth “Bloomberg

Ne kemi qenë në të njëjtën situatë shumë herë përgjatë historisë. Sërish, diplomatët që përfaqësojnë fuqi të mëdha dhe antagoniste, po mblidhen në një tryezë për të vendosur për fatin e kombeve që as nuk përfaqësohen në këto negociata.

Disa shpresojnë të parandalojnë luftën. Të tjerë po vënë bast se lufta, ose kërcënimi i saj, është një kosto e drejtë dhe që duhet paguar për të siguruar “sferën e ndikimit” të vendit të tyre. Një sferë e tillë – një zonë gjeopolitike kontrolli, ku përjashtohet ndikimi i rivalëve – është ajo që presidenti rus Vladimir Putin e ka kërkuar zyrtarisht në 2 draft-traktate që ai i bëri publike muajin e kaluar.

Njëri prej tyre i drejtohej SHBA-së, ndërsa tjetri NATO-s. Së bashku ato përbëjnë një shantazh të hapur ndaj gjithë “Perëndimit”, dhe talljen ndaj çdo gjëje që ka mbetur ende nga rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.

Advertisement

Putin po na thotë:Më jepni feudin tim, përndryshe do t’iu sulmoj! Ai dëshiron që NATO të angazhohet zyrtarisht që nuk do ta pranojë kurrë Ukrainën apo ndonjë vend tjetër të rajonit si anëtare të aleancës, pavarësisht se çfarë preferon kombi në fjalë.

Dhe ai kërkon që aleanca veriatlantike të çmilitarizojë vendet që janë tashmë pjesë e NATO-s, por që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik, si Estonia apo Letonia etj. Duke rikujtuar një thënie të famshme që dikur i referohej Gjermanisë, Putini po e sheh me vëmendje Evropën Lindore, dhe do që Perëndimi të dalë nga aty, rusët të hyjnë, dhe ukrainasit të rrinë të nënshtruar.

Nëse ky mentalitet tingëllon i kuptueshëm për disa ekspertë, kjo gjë ndodh sepse për pjesën më të madhe të historisë kjo ka qenë diçka e paracaktuar. Siç përshkroi dikur historiani grek Tukididi, ishin sferat konkurruese të ndikimit ato që çuan Athinën dhe Spartën në përplasjen e tyre 27-vjeçare.

Rivalitetet e mëvonshme shkaktuan Luftërat Punike midis Kartagjenës dhe Romës (fillimisht mbi ishullin e Siçilisë), dhe shumë konflikte të tjera gjatë shekujve. Parë nga këndvështrimi i Moskës apo Pekinit, vendet që sot e konsiderojnë veten si Perëndim po tregohen hipokrite, sepse ishin ato që e ngritën në një formë arti këtë qasje ndaj politikës botërore.

Advertisement

Politika e hershme e jashtme e SHBA-së, bazohej tek Doktrina Monro, e cila u thoshte fuqive evropiane të qëndronin jashtë “botës së re”, pasi ajo ishte hemisfera e Amerikës. Nga ana e tyre fuqitë evropiane e përhapën me gëzim ndikimin e tyre në gjithë kontinentin afrikan dhe pjesën më të madhe të Azisë.

Traktatet e para, që i referohen në mënyrë eksplicite “sferave të ndikimit” u nënshkruan midis Britanisë dhe Gjermanisë, kur këto vende ndanë mes tyre Gjirin e Guinesë në vitet 1880. Në shekullin XX-të, ky zakon u rikthye në një mënyrë djallëzore.

Në vitin 1939, me Paktin e fshehtë Molotov-Ribbentrop, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik, ndanë mes tyre Evropën Lindore. Viktimat e tyre:Finlanda, Estonia dhe Letonia (që u caktuan në sferën e ndikimit të Stalinit), Lituania (fillimisht në atë të Hitlerit), Polonia (e ndarë mes të dyve) e kështu me radhë.

Shumë prej këtyre vendeve janë sërish në ankth. Gjatë Luftës së Ftohtë, e gjithë bota ishte e ndarë në vetëm dy sfera ndikimi. Por po atë kohë lindi një projekt, që u bë më vonë Bashkimi Evropian. Kjo konfederatë e re, e ndërtuar mbi rrënojat e Evropës së vjetër, e përkufizoi veten si një kritike ndaj politikës së urryer të fuqive të dikurshme.

Advertisement

Ashtu si idealistët gjatë gjithë epokave, këta evropianë ëndërronin një rend në të cilin të mëdhenjtë(si Gjermania apo Franca) të mos dominonin mbi të vegjlit (si Luksemburgu apo Malta), dhe ku autoriteti rrjedh nga rregullat dhe jo nga forca brutale. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, atë aspiratë e përkrahën edhe amerikanët.

“Fuqia nuk përcaktohet nga sferat e ndikimit. . . apo të fortët që imponojnë vullnetin e tyre tek të dobëtit”- deklaroi ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice. Edhe Moska post-sovjetike para Putinit, dukej se e pranonte këtë ideal.

NATO dhe Rusia kërkojnë “një hapësirë ​​të përbashkët sigurie dhe stabiliteti, pa vija ndarëse apo sfera ndikimi që kufizojnë sovranitetin e ndonjë shteti”- thuhej në një deklaratë të përbashkët të të dyjave në vitin 1997. Sot studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare mendojnë se amerikanët, evropianët dhe të tjerët, imagjinuan në rastin më të mirë se mendësia e sferave të ndikimit mund të kapërcehej.

Në realitet, për një moment të shkurtër në histori, ekzistoi vetëm një sferë, ajo amerikane. Çdo rend global i bazuar në rregulla, ka nevojë për policim nga një i ashtuquajtur hegjemon. Hiqeni këtë hegjemoninë – një Pax Romana, Pax Britannica apo Pax Americana – dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të shndërrohen në ataviste.

Advertisement

Kjo logjikë ofron një shpjegim për rikthimin kohët e fundit të diplomacisë së sferave të influencës. Fuqia relative e Amerikës është në rënie, teksa po rritet ajo e Kinës dhe Rusisë në Azi, ndërsa Turqia dhe fuqitë e tjera po rriten në rajonet rreth tyre.

Javët, muajt dhe vitet e ardhshme do të tregojnë nëse bota po shkon në një epokë tjetër të politikës reale ku triumfon e drejta, apo nëse ne jemi të destinuar të rikthehemi në qasjen amorale dhe cinike ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, që i redukton vendet e vogla në pengje në tabelat e shahut të fuqive të mëdha. /abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy