Përse Dita e Fitores në Rusi është e ndryshme këtë vit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Përse Dita e Fitores në Rusi është e ndryshme këtë vit

Sulmi ndaj Ukrainës do të thotë se më pak tanke ruse dhe pajisje të tjera ushtarake do të përshkojnë Sheshin e Kuq të Moskës të hënën, kur vendi do të shënojë fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ethet patriotike që shoqërohen me këtë festë të shenjtë mund të jenë megjithatë po aq të forta sa më parë.

 

Dita e Fitores e këtij viti nuk do të nderojë thjesht konfliktin që mori fund 77 vite më parë. Shumë rusë do të jenë duke menduar për mijëra forcat ushtarake që po luftojnë në Ukrainën fqinje. Shenjat e mbështetjes për ushtarakët janë shtuar në mbarë vendin, që kur filloi sulmi më 24 shkurt. Gërma “Z” shfaqet nëpër stenda, tek shenjat e rrugëve dhe stacionet e trenave, si dhe në televizione dhe mediat sociale.

 

Advertisement

Kremlini ka refuzuar t’i referohet luftimeve në Ukrainë me fjalën “luftë”, dhe e quan “një operacion special ushtarak”. Disa vëzhgues besojnë se Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë këtë festë për ta shpallur më në fund operacionin një luftë, me synimin për të rritur angazhimin mbarëkombëtar të Rusisë ndaj kësaj përpjekjeje.

 

Por çfarë domethënieje ka Dita e Fitores në Rusi?

 

Advertisement

LUFTË DHE KUJTESË

 

Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, e cila u quajt Lufta e Madhe Patriotike. Konflikti që rrënoi qytete dhe fshatra, shkaktoi vuajtje të jashtëzakonshme dhe la plagë të thella në psikikën kombëtare.

 

Advertisement

Dita e Fitores është një ngjarje e rrallë në historinë përçarëse post-sovjetike të vendit që adhurohet nga të gjithë aktorët politikë dhe Kremlini e ka përdorur këtë ndjesi për të inkurajuar krenarinë patriotike dhe për të nënvizuar rolin e Rusisë si një fuqi globale.

Festimet vjetore përfshijnë një paradë masive ushtarake në Sheshin e Kuq ku paraqiten armatimet më të fundit, që nga tanket, avionët luftarakë dhe deri tek raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore.

 

Këtë vit, moria e armëve që do të shfaqen në paradë është zvogëluar në mënyrë domethënëse krahasuar me vitin e kaluar, me sa duket si reflektim i angazhim të madh të ushtrisë në Ukrainë.

Advertisement

 

LUFTA NDAJ “NEO-NAZISTËVE

 

Kur dha urdhërin për sulmin, Presidenti Putin deklaroi se synonte “çmilitarizimin” e Ukrainës për të eliminuar një kërcënim ushtarak ndaj Rusisë nga “neo-nazistët” – një retorikë kjo që është denoncuar nga Ukraina dhe Perëndimi si një mbulesë fiktive për një akt të qartë agresioni.

Advertisement

 

Në përpjekje për ta mbështetur këtë pretendim, Presidenti Putin dhe zyrtarët e tij kanë përmendur admirimin e grupeve të djathta ukrainase për udhëheqësit nacionalistë Stepan Bandera dhe Roman Shukhevych, të cilët morën anën e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përdorën simbolet e njësive naziste.

 

Kjo retorikë është përdorur gjithashtu nga Kremlini në përpjekje për të nxitur mbështetjen e publikut për luftën, ndërkohë që ka humbje të mëdha të forcave dhe paisjeve ushtarake, si dhe një dëm masiv ekonomik nga sanksionet e Perëndimit.

Advertisement

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është hebre, e ka hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit për “denazifikimin”. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u kundërpërgjigj duke bërë paralelizma mes zotit Zelenskyy dhe Adolf Hitlerit – një deklaratë kjo që u kritikua ashpër nga Izraeli.

 

PËRSHPEJTIMI I OFENSIVËS?

Advertisement

 

Disa në Ukrainë dhe në Perëndim mendojnë se Presidenti Putin do të kërkojë avancime të shpejta përpara festës së 9 majit, në përpjekje për t’i paraqitur si një fitore vendimtare dhe për ta përdorur këtë si një mënyrë daljeje nga një situatë shkatërrimtare që po i shëmbëllen një moçali që po thith çdo ditë burimet e Rusisë dhe që po rrezikon stabilitetin e saj.

 

Pas një përpjekjeje të dështuar për të marrë Kievin dhe qytetet e tjera të mëdha në veriun e Ukrainës gjatë fazës së parë të luftës, Kremlini e ka zhvendosur vëmendjen drejt zemrës industriale në lindje të vendit, të njohur me emrin Donbas, ku rebelët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat qeveritare që në vitin 2014. Konflikti filloi disa javë pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Advertisement

 

Ushtria ruse ka riarmatosur dhe rifurnizuar forcat e saj të tërhequra nga Kievi dhe i ka zhvendosur ato në Donbas në një përpjekje të dukshme për të rrethuar dhe shkatërruar forcat më të afta dhe më të sprovuara ukrainase të përqendruara atje. Por ofensiva në lindje është përballur me mbrojtjen e vendosur ukrainase dhe ka bërë vetëm përparime të vogla, duke ia ulur shpresat Kremlinit për një fitore të shpejtë. Fitoret e rëndësishme duken të pamundura para 9 majit.

 

Në një intervistë këtë javë, zoti Lavrov tha se: “Ushtria jonë nuk do ta lidhë artificialisht veprimin e saj me asnjë datë, përfshirë Ditën e Fitores”.

Advertisement

 

RRITJA E RISKUT

 

Disa rusë të linjës së ashpër e kanë kritikuar Kremlinin për përdorimin vetëm të një force të kufizuar dhe kanë kërkuar një përpjekje mobilizimi mbarëkombëtar. Disa zyrtarë dhe vëzhgues perëndimorë besojnë se Presidenti Putin mund ta përdorë 9 majin për të shpallur zyrtarisht luftën dhe një mobilizim total të popullsisë për të rritur numrin e forcave për ofensivën.

Advertisement

 

“Ai po përgatit situatën, duke krijuar terrenin për të qenë në gjendje që të thotë: ‘Shikoni, kjo është tani një luftë kundër nazistëve dhe ajo që më duhet janë më shumë njerëz’, tha Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace për Radion LBC javën e kaluar.

 

Shefi i zbulimit të Ukrainës, Kyrylo Budanov, bëri një paralajmërim të ngjashëm të hënën, duke pretenduar se Rusia ka filluar fshehurazi përgatitjet për një mobilizim të gjerë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i hodhi poshtë pretendimet si “të pakuptimta” të mërkurën.

Advertisement

 

Autoritetet ruse kanë pohuar se vetëm ushtarë vullnetarë me kontratë kanë luftuar në Ukrainë, edhe pse shumë rekrutë u zunë rob në ditët e para të luftës. Ushtria ruse ka rreth 1 milion personel aktiv – 400 mijë prej tyre ushtarë me kontratë, përfshirë 147 mijë në forcat tokësore. Zyrtarët perëndimorë e vlerësuan fuqinë fillestare të forcës pushtuese të Rusisë në rreth 180 mijë.

 

Ushtria pranoi se kishte humbur 1,351 ushtarë që nga 25 marsi dhe nuk i ka përditësuar numrat e viktimave që atëherë. Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se humbjet ruse ishin shumë më të rënda dhe vlerësuan se deri në një e katërta e forcës fillestare sulmuese ishte bërë e papërshtatshme për luftim.

Advertisement

 

Nëse lufta zgjatet, numri aktual i forcave ruse në Ukrainë mund të jetë i pamjaftueshëm për të mbështetur operacionet, duke e detyruar Kremlinin të mbështetet tek rekrutët e trajnuar dobët ose tek thirrja në shërbim e rezervistëve.Kremlini përballet me një zgjedhje të ashpër midis përpjekjes për të fituar luftën me një forcë të kufizuar ose përpjekjes për të përforcuar trupat në Ukrainë me rekrutime të reja dhe me rezervistë, një lëvizje që  mund të sjellë zemërim publik dhe që mund të destabilizojë situatën politike./VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy