Presidenti Biden çel sezonin e festave; ‘fal’ dy gjela

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Presidenti Joe Biden vazhdoi një traditë 75-vjeçare të hënën dhe fali dy gjela deti për Festën e Falenderimeve, të cilëve u ishin dhënë emra sipas shijeve të tij të preferuara të akullores. Ai gjithashtu bëri shaka me arritjet më të mira se ç’pritej të partisë së tij politike në zgjedhjet e mesmandatit që u mbajtën këtë muaj.

 

“Votat u hodhën, u numëruan dhe u verifikuan”, tha Presidenti Biden teksa mirëpriti gjelat e detit Chocolate dhe Chip përpara qindra njerëzve që u mblodhën në kopshtin jugor në një mot të ftohtë. “Nuk ka mbushje kutish. Nuk ka lojë manipuluese. E vetmja dallgë e kuqe këtë sezon do të jetë nëse pastori gjerman Commander rrëzon salcën e boronicës së kuqe në tryezën tonë”. Commander (Komandanti) quhet qeni i presidentit.

Chocolate dhe Chip, secili me peshë rreth 23 kilogramë, u sollën nga Karolina e Veriut të shtunën. Ata u vendosën në një dhomë në hotelin Willard, pranë Shtëpisë së Bardhë, për të pritur vizitën e tyre me presidentin dhe deklaratën e tij që u jep lirinë.

Advertisement

 

Chocolate chip (çokollatë e thërrmuar) është lloji i preferuar i akullores për Presidentin Biden. Presidenti bëri shaka në këtë aktivitet duke thënë se “mund t’i kishim emërtuar “Chips dhe Science”, sipas Ligjit me buxhet 280 miliardë dollarë CHIPS dhe Shkencë, që ai mbështeti dhe firmosi në fuqi këtë vit.

 

“Unë i fal Chocolate dhe Chip-in”, deklaroi Presidenti Biden. Përpara ceremonisë, djali i tij Hunter Biden nxori jashtë djalin e tij të vogël, Beau, i cili është pothuajse 3 vjeç, që të shikonte gjelat.

Advertisement

Të dy gjelat janë nga Monroe, Karolina e Veriut, njoftoi Federata Kombëtare e Gjelave të Detit, sponsore e traditës së gjelit të detit, e cila daton që në vitin 1947, me Presidentin Harry Truman.

 

Fillimi i aktiviteteve të festave në Shtëpinë e Bardhë pasoi një fundjavë të ngjeshur personalisht për Presidentin Biden dhe familjen e tij, së bashku me zgjedhjet e mesmandatit në të cilat Partia Demokrate e presidentit pati rezultate të mira dhe sfidoi tendencat historike që kishin parashikuar humbje të mëdha. Demokratët do të mbajnë kontrollin e Senatit dhe megjithëse republikanët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kur Kongresi i ri të fillojë punën në janar, demokratët i mbajtën në minimum fitoret e Partisë Republikane në atë dhomë.

 

Advertisement

Pema zyrtare e Krishtlindjes e Shtëpisë së Bardhë u dorëzua të hënën dhe çifti Biden ndihmoi në shërbimin e një darke në stilin e Festës së Falënderimeve në një bazë të Korpusit të Marinsave në Karolinën e Veriut.

Presidenti Biden dhe gruaja e tij, Jill, do të largohen nga Uashingtoni të martën për të vazhduar traditën e tyre familjare duke e kaluar Festën e Falenderimeve në ishullin Nantucket, të shtetit Masaçusets. Ata organizuan dasmën e mbesës së tyre Naomi Biden në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, e ndjekur nga një drekë familjare të dielën për ditëlindjen e 80-të të presidentit./voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy