Putin paralajmëron për hakmarrje nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Putin paralajmëron për hakmarrje nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për hakmarrje të shpejtë nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë.

Rusia u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të mos dërgojnë armë në Ukrainë, duke thënë se armët që po dërgon Perëndimi janë duke nxitur konfliktin.

Duke folur para ligjvënësve në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Perëndimi dëshiron të ndajë Rusinë në copëza të vogla dhe ka akuzuar atë se po e shtyn Ukrainën në konflikt me Rusinë.

“Nëse dikush dëshiron të ndërhyjë nga jashtë për ngjarjet që janë duke vazhduar, dhe të krijojë kërcënime strategjike, që janë të papranueshme për Rusinë, ata duhet ta dinë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të shpejta si rrufe”, ka thënë Putin sipas mediave shtetërore ruse.

Advertisement

“Ne kemi të gjitha mjetet për këtë gjë, mjete që askush nuk i ka tani. Ne nuk do të mburremi, ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Dua që të gjithë ta dinë këtë gjë”.

Pushtimi rus në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Për pasojë janë shkatërruar qytete e qyteze dhe mbi pesë milionë njerëz janë detyruar të ikin nga shteti.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione dhe dërgim të armëve për Ukrainë për ta forcuar atë në luftën që ka rritur shqetësime se mund të zgjerohet.

Advertisement

Rusia e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës dhe mbrojtjes së këtij shteti nga fashistët.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky është arsyetim i rremë për një luftë të paprovokuar, të nisur nga Putin.

Teksa Rusia vazhdon luftën e saj në juglindje të Ukrainës, beteja e saj ekonomike me Perëndimin kërcënon furnizimet me gaz në Evropë dhe rrezikon ta përballë ekonominë ruse me krizën më të rëndë prej vitit 1991, kur ka rënë Bashkimi Sovjetik.

Ukraina ka thënë se Evropa nuk duhet të jetë e varur nga gazi rus, pasi Rusia ka ndalur furnizimet me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, me arsyetimin se nuk kanë paguar në valutën ruse, rubla./ Rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy