Rreziqet e rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rreziqet e rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së

 

Nga Michael Gerson “Washington Post

Është gjithnjë e më e qartë se perspektiva e makthit në politikën amerikane – kontrolli i unifikuar republikan i qeverisë federale në duart e një Donald Trump të rizgjedhur në detyrë dhe akoma më të plotfuqishëm në vitin 2025 – është rezultati i mundshëm.

Arsyeja pse ky është një makth, duket të jetë shumë e qartë. Çdo lloj informacioni i publikuar në lidhje me sjelljen e Trump pas zgjedhjeve të vitit 2020 – së fundmi një raport i përkohshëm nga Komiteti Gjyqësor i Senatit – zbulon një përpjekje serioze dhe të bashkërenduar për të përmbysur qeverinë legjitime të Amerikës, që doli nga zgjedhjet e vitit të kaluar.

Advertisement

Gati në të njëjtën kohë kur Trump po përpiqej të frikësonte anëtarët e Kongresit më 6 janar 2021, ai ishte duke u bërë presion udhëheqësve të Departamentit të Drejtësisë që të gjenin një justifikim ligjor ndaj përpjekjeve të tij për të penguar certifikimin e zgjedhjeve.

Kur ata refuzuan, Trump komplotoi me një zyrtar besnik të nivelit më të ulët për të marrë nën kontroll departamentin, për ta drejtuar atë sipas diktatit të tij. Por nën kërcënimin e dorëheqjeve masive, në fund Donald Trump u tërhoq. Mbrojtësit e Trump, siç është Brit Hume, përpiqen ta vlerësojnë Trump për tërheqjen që bëri në fund.

“Trump vendosi kundër vetes”- shkroi Hume në Twitter. “Kjo nuk është për meritën e tij, por tërheqja është një fakt që nuk duhet harruar. Por për vetë Turmp kjo tërheqje ishte një pranim i pozitave të dobëta ku ndodhej, dhe jo një shfaqje e virtytit publik.

Gjëja që ka më shumë rëndësi është kjo:pretendenti aktual për të qenë sërish kandidati i republikanëve në zgjedhjeve e vitit 2024, do ta kishte shkatërruar rendin kushtetues nëse do të kishte mundësinë ta bënte këtë.

Advertisement

Ndërkohë, është e qartë se i njëjti njeri që nuk njeh ligje dhe që vepron zakonisht në mënyrë të pamatur, ka përpara një rrugë krejtësisht realiste për t’u rikthyer në pushtet. Partia Republikane është aktualisht një shpurë të korruptuarish dhe servilësh, por rrymat politike që mendojnë sot për nesër janë në favor të tij.

Dhe kjo nuk përbën një problem vetëm për administratën e Joe Biden. Përkundrazi, ajo pasqyron sfida më të thella politike, të përshkruara kohët e fundit me shumë realizëm nga Ezra Klein dhe David Shor. Sipas këtij të fundit votuesit amerikanë po polarizohen gjithnjë e më shumë në aspektin e arsimimit (dhe ky është një simbol i problemeve komplekse të klasës dhe racës).

Të bardhët me arsim universitar mbështesin kryesisht demokratët. Të bardhët pa arsim universitar mbështesin republikanët. Dhe kjo i vendos demokratët në disavantazh. Pasi shumicës së votuesve u mungon arsimi universitar.

Për me tepër,votuesit me arsim universitar priren të vendosen në zonat urbane, gjë që centralizon dhe për pasojë e zvogëlon ndikimin e tyre. Si kolegji elektoral ashtu edhe metoda kushtetuese e përfaqësimit të Senatit, shpërblejnë ata që kontrollojnë hapësira të gjëra.

Advertisement

Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Do të thotë që demokratët duhet të tejkalojnë dukshëm republikanët në përballjet elektorale kombëtare, për të marrë rezultate qoftë edhe modeste në garat presidenciale dhe ato për në Senat. Do të thotë se që të mbeten konkurues, demokratët duhet të fitojnë në zonat ku aktualisht nuk po fitojnë, të joshin grupet që nuk i mbështesin aktualisht, dhe të flasin në dialektet kulturore që nuk i flasin aktualisht.

Kjo analizë ka ndezur një debat të fortë të parashikueshëm. Disa aktivistë demokratë duan që Partia Demokratike të fokusohet pa pushim në mbështetjen e politikave të saj populiste, ndërsa të nën-theksojë lidhjen e saj me çështje shumë përçarëse (si emigracioni dhe ndryshimet klimatike).

Të tjerët e shpërfillin mundësinë që mesazhet politike mund të ndryshojnë mendimin e

disa amerikanëve, duke e vënë më shumë theksin në nxitjen e entuziazmit në radhët e demokratëve. Por ankesa kryesore e Klein, është se disa ligjvënës demokratë në nivel kombëtar – të cilët jetojnë kryesisht midis liberalë të arsimuar në universitete, po i kushtojnë pak vëmendje emergjencës së situatës.

Advertisement

Ky lloj ndryshimi në fokusin elektoral, ka të ngjarë të përfshijë edhe ndryshime të mëdha ideologjike dhe strategjike. Por kush në debatin kombëtar midis demokratëve mbi përparësitë buxhetore, ka treguar interesin më të vogël mbi këto çështje?

Kjo është një emergjencë kombëtare, dhe jo vetëm e demokratëve në SHBA. Donald Trump e ka forcuar identifikimin e tij me forcat që ai grumbulloi më 6 janar para Capitol Hill. Ai ka përqafuar teoritë konspirative gjithnjë e më absurde dhe dashakeqe. Ka treguar edhe më pak stabilitet, humanizëm, përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje.

Dhe mbështetja e tij në mesin e republikanëve është rritur. Trump dhe mbështetësit e tij më të fortë janë nxitës të radikalizimit. Nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, shumë nga kufizimet e mëparshme ndaj pushtetit të tij do të hiqen enkas.

Shumë nga profesionistët dhe patriotët që e kundërshtuan në ditët e tij të fundit të detyrë, do të shkarkohen nga puna. Nuk ka asnjë arsye psetë besohet se Trump nuk do të përpiqet të forcojë pushtetin e tij personal mbi njësitë ushtarake dhe federale të zbatimit të ligjit, për t’i përdorur ata në kohët e trazirave civile.

Advertisement

Nuk ka asnjë arsye që ai të vetëpërmbahet dhe mos të përdorë burimet federale për të bullizuar kundërshtarët e tij politikë, për të minuar lirinë e shtypit, dhe për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Këto janë qëllime të përcaktuara më parë. Çfarë qëndrimesh dhe veprimesh kërkon nga ne ky rrezik? Çdo reagim duhet të fillojë me një pranim të kthjellët të rrezikut. Katastrofa është këtu pranë. Dhe parashikime përfshijnë edhe apokalipsin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy