Sebastian Kurz si figurë romani: mbi artin e pështymëlëpirësve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sebastian Kurz si figurë romani: mbi artin e pështymëlëpirësve

Një roman i sapo botuar i autorit austriak Elias Hirschl përshkruan tipin e politikanit që i ngjan ish-kancelarit austriak Sebastian Kurz. Por me zhvillimet e fundit në Vjenë, realiteti e ka tejkaluar fiksionin, skandali parodinë dhe shpotia klishenë.

Nga Enver Robelli

Në gusht u botua romani “Salonfähig” i shkrimtarit të ri austriak Elias Hirschl (i lindur më 1984). Fjala gjermane “Salonfähig” në shqip afërsisht domethënë “siç e do etiketa”, “i pranueshëm në shoqërinë politike”, “i prezantueshëm”. Personazhi kryesor i romanit nuk ka emër, por ai ka një idhull, i cili quhet Julius Varga, i cili është shef i partisë. “Për ty, Julius, sakrifikohem. Të dua”, thotë personazhi. Mënyra se si ai i ujit lulet, i ngjan një ceremonie shtetërore. Personazhi i shërben partisë dhe e imiton idhullin e tij, Julius Vargan. Personazhi është i obsesionuar pas markave, dukjes dhe estetikës.

Romani është një portret i një gjenerate të djemve cinikë. Një satirë therëse politike mbi politikanin e llojit të Sebastian Kurzit, i cili me 24 vjet u bë sekretar shteti, me 27 ministër i Jashtëm, me 31 kancelar i Austrisë. Truphollë, sportiv, i krehur me kujdes, i veshur me kostum të ngushtë (slim fit), i përshtatshëm për të qenë dhëndër i çdo vjehrre që i shkëlqejnë sytë para dukjes dhe jo përmbajtjes, i rrethuar me servilë, me “Speichellecker”, siç thuhet në gjermanisht, pra me pështymëlëpirës. Ose siç shkruan Elias Hirschl: “Imazhi i një mendjeje me përvojë e të urtë në trup të ri, të vendosur, një përzierje optimale mes traditës dhe novatorizmit”.

Advertisement

Zhvillimet e fundit politike në Austri, që nisën me bastisje nga hetuesit policorë dhe mbaruan me dorëheqjen e kancelarit Sebastian Kurz (tani 35-vjeçar), e kanë sjellë në vëmendje të publikut edhe romanin e Elias Hirschl. Por zhvillimet në Vjenë po ashtu tregojnë se realiteti shpesh e tejkalon fiksionin. Presidenti austriak Alexander Van der Bellen ka një sens për ironi të lehtë. Pas shpërthimit të skandalit të fundit ai doli para mediave dhe tha se shumë qytetarë tash pyesin: athua çka ndodhi sërish? Autori austriak i romaneve kriminalistike Wolf Haas i fillon romanet e tij përherë me fjalinë: “Tani sërish ka ndodhur diçka”. Duket se Van der Bellen iu referua pikërisht romaneve të Wolf Haasit.

Në një shkrim për gazetën gjermane “Die Zeit”, Elias Hirschl shkruan se është duke menduar që fjalinë “Tani sërish ka ndodhur diçka” ta bëjë tatuazh në trupin e tij. Sepse Austria është vend ku pothuaj çdo ditë bën vaki diçka, por diçka irituese. Në katër vitet e fundit Austria ka pasur gjashtë kancelarë: Christian Kern, Sebastian Kurz, Hartwig Löger, Brigitte Bierlein, Sebastian Kurz dhe tani Alexander Schallenberg. Në këtë laborator politik ndodhin gjërat e pamundshme: në qytetin e Grazit, në kufi me Slloveninë, zgjedhjet i fitojnë komunistët me mbi 30 për qind, në landin Oberösterreich (Austria e Epërme) partia MFG, një grup i kundërshtarëve të vaksinimit kundër koronës, fiton 6 për qind të votave dhe futet në parlamentin rajonal, në Vjenë kancelari i ri bie nga pushteti brenda 4 ditëve.

Elias Hirschl e përshkruan politikën në Austri si telenovelë. “Por si austriak/e nuk turpërohesh më, si austriak/e as nuk e tund kokën i dëshpëruar. Krejt kjo nuk perceptohet si diçka e veçantë”, nënvizon Hirschl. Pastaj autori numëron arsyet se përse nuk befasohet më çfarë po ndodh në Austri. Nuk befasohet kur lexon se ministri i financave i shtyp në letër mijëra faqe emaila dhe i fut në 30 kartonë për t’i dërguar në parlament – me gjasë për të pamundësuar që të kontrollohen në mënyrë digjitale. Nuk befasohet kur gruaja e ministrit të financave e fsheh laptopin e burrit të saj në karrocën e fëmijës dhe del për të shëtitur, ndërsa policia po vinte për të bastisur shtëpinë e ministrit. Por kjo metodë për mashtrimin e policisë nuk funksionoi. Gazeta austriake “Der Standard” shpotiti për një laptop që doli për të shëtitur. Autori Hirschl nuk befasohet kur në komunikimet mes Kurzit dhe shokëve të tij flitet për këtë ide: hajde “ta ndërsejmë” një krahinë (land) austriak kundër krerëve të partisë për t’i larguar ata më lehtë dhe për të marrë partinë. Operacioni u krye me sukses.

Shkrimtari Elias Hirschl nuk befasohet kur kryetari i parlamentit Wolfgang Sobotka propozon që nga ligji të hiqet obligimi për të thënë të vërtetën në komisionet hetimore parlamentare (në rastin konkret bëhet fjalë për “aferën Ibiza”, e cila e rrëzoi qeverinë e parë të Kurzit, pasi u publikua një video ku dy politikanë të partnerit të koalicionit po flisnin për pazare me një gjoja mbesë të një oligarku rus në një vilë në ishullin spanjoll Ibiza). Si ministër i brendshëm Wolfgang Sobotka ka kërkuar që hapësira publike të mbikëqyret me sa më shumë kamera. Mbikëqyrja është e dobishme tha ai dhe tregoi një shembull personal: Sobotka vazhdimisht kishte konstatuar se një person i panjohur rregullisht po e kryente nevojën para shtëpisë së tij. Pas instalimit të një kamere, problemi ishte zgjidhur. Shkrimtari Elias Hirschl e quan “hero patriotik” atë tipin që ia ka dhjerë pragun Sobotkas.

Advertisement

“Këta njerëz”, potencon Hirschl, “janë parodia e vetvetes. Janë klisheja e tyre lëvizëse”. Dhe vazhdon: “Kurz dhe rrethi i tij, ata nuk janë ekspertë të marrëdhënieve publike, nuk janë talente politike, ata janë djem 15-vjeçarë në një shtëpizë sekrete prej druri, ku nuk lejohen të hyjnë vajzat (…) Fëmijë të pasur që në moshën 12-vjeçare babai ua jep ca para për të lozur në fushën e investimeve”.

Hirschl ankohet se si autor e ka vështirë të përshkruajë diçka për shkak se realiteti është edhe më i çmendur se fantazia e shkrimtarit. Kurz dhe ekipi i tij dyshohet se e kanë paguar me para të buxhetit një botues të një gazete bulevardeske. Dhe botuesi Wolfgang Fellner ka botuar tekste dhe anketa pozitive mbi yllin e ri të politikës austriake, pra Sebastian Kurzin. Hirschl thotë: “Le ta marrim me mend sikur unë mund t’ia paguajë Wolfgang Fellnerit 116 mijë euro para të taksapaguesve nga ministria e ekonomisë që ai të shtyp dy faqe raporte pozitive mbi romanin tim të ri në gazetën bulevardeske me shtrirjen më të madhe në vend”. Le ta marrim me mend…

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy