SHBA: Rusia po synon ta destabilizojë Moldavinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
SHBA: Rusia po synon ta destabilizojë Moldavinë

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë se po tenton të destabilizojë ish-republikën sovjetike, Moldavinë, përfshirë edhe përmes protestave, me qëllim që eventualisht të instalohet një qeveri pro-Moskës.

 

“Ne besojmë se Rusia po ndjekë opsionet për të dobësuar Qeverinë moldave, ndoshta me qëllim përfundimtar që të ketë një administratë më miqësore me Rusinë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

 

Advertisement

Qeveria e Moldavisë po kërkon që të krijojë lidhje më të ngushta me institucionet perëndimore dhe është e afërt me Qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës fqinje, e cila për më shumë se një vit po përballet me pushtimin rus.

 

Një pjesë e territorit moldav, rajoni i Transnistrisë, kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe Uashingtoni beson se Moska po synon që të nxisë zgjerimin e jostabilitetit.

 

Advertisement

“Aktorët rusë, disa prej të cilëve kanë lidhje me inteligjencën ruse, po kërkojnë që të organizojnë dhe të përdorin protestat në Moldavi si bazë për të nxitur një kryengritje të fabrikuar kundër Qeverisë moldave”, tha Kirby.

 

Zyrtari amerikan tha se “ne kemi besim në institucionet demokratike dhe ekonomike të Moldavisë dhe në aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve dhe natyrisht ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje të fuqishme”.

 

Advertisement

Kirby tha se SHBA-ja po ndan informacione me Moldavinë për aktivitetet ruse në këtë shtet, “në mënyrë që ata të mund të hetojmë më tej dhe të pengojnë planet ruse”.

 

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, javë më parë ka thënë se inteligjenca ukrainase ka ndarë me autoritetet moldave një plan të Moskës, që sipas saj, synon një grusht-shtet në Moldavi. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Moska./rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy