Spanjë, akuza ndaj një ish-ministrit të Brendshëm të kohës së diktatorit Franko

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Spanjë, akuza ndaj një ish-ministrit të Brendshëm të kohës së diktatorit Franko

Një gjykatëse argjentinase, e cila ka hetuar një sërë çështjesh që lidhen me periudhën e diktatorit Franko në Spanjë, ka ngritur akuza ndaj një ish-ministri spanjoll për katër raste të dyshuara vrasjesh, sipas dokumenteve të gjykatës që i kanë rënë në dorë agjencisë së lajmeve Reuters.

Gjyqtarja Maria Servini de Kuba, e gjykatës së Buenos Aires-it në Argjentinë, nxori vendimin kundër 87 vjeçarit Rodolfo Martin Villa, ministër i brendshëm midis viteve 1976 dhe 1979 gjatë diktaturës në Spanjë.

Në aktpadi, gjyqtarja shprehet se ajo e konsideron të akuzuarin Villa si autorin kryesor, përgjegjës për krimin e rëndë të vrasjeve në katër raste, ku viktimat ishin Pedro María Martínez Ocio, Romualdo Barroso Chaparro, Francisco Aznar Clemente dhe Germán Rodríguez Saíz.

Çështja u hap në vitin 2010 kur gjyqtarja argjentinase filloi hetimin e krimeve të qeverisë së dikatatorit Franko në bazë të parimit të drejtësisë universale.

Advertisement

Gjyqtarja Servini shkruan në vendimin e saj se i akuzuari Villa luajti një rol kyç në strukturën shtypëse të diktaturës e cila vazhdoi për disa vite pas vdekjes së Franco-s në vitin 1975.

Gjykatësja urdhëroi ndalimin e të akuzuarit Villa, i cili është banor i Madridit, por tha se kjo nuk kishte gjasa të ndodhte.

Spanja, si shumë vende të Amerikës Latine në tranzicionin drejt demokracisë, miratoi një ligj amnistie në vitin 1977 që falte krimet e kryera nga diktatura Franko. Avokatët përpiqen ta anashkalojnë këtë rregull duke u mbështetur tek ligji ndërkombëtar.

Qindra spanjollë i janë drejtuar një gjykate argjentinase në kërkim të drejtësisë për krime që dyshohet se janë kryer kundër tyre dhe familjeve të tyre gjatë diktaturës 36-vjeçare të udhëhequr nga Francisco Franko.

Advertisement

“Është lajm mjaft i mirë për viktimat që kanë ngritur pretendime prej shumë vitesh”, tha për agjencinë Reuters Maximo Castex, avokat për të afërmit e viktimave. Fernando Goldaracena, avokati i të akuzuarit Villa, nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy