Të dhënat dixhitale ndihmojnë për dokumentimin e krimeve të luftës në Ukrainë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Të dhënat dixhitale ndihmojnë për dokumentimin e krimeve të luftës në Ukrainë

Me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, Ukraina po punon për mbledhjen e provave për krime e lufte, duke përdorur një teknologji të shekullit të 21-të për të vendosur përgjegjësit para drejtësisë.

 

Më shumë se 50,000 oficerë policie janë dislokuar në zonat e luftës në Ukrainë, jo vetëm për të zmbrapsur agresionin rus, por edhe për të hetuar për krime të mundshme lufte.

 

Advertisement

“Janë hapur pothuajse 21,000 procedime penale për krime të kryera sipas ligjit ushtarak. Mes tyre, pothuajse 9,000 procedime penale bazuar tek të dhënat për krime të kryera në territorin e Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe bashkëpunëtorët e tyre.”

 

Një mision ekspertësh dërguar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka identifikuar siç i quajnë ata “modele të qarta të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

 

Advertisement

“Ka pasur raste vrasjesh, ka pasur raste torturash, ka pasur raste përdhunimesh“, thotë kreu i Misionit të Ekspertëve të OSBE-së, Wolfgang Benedek.

 

Situata e rrezikshme nuk i lejoi ata të punonin në terren, por kjo nuk ishte e nevojshme, pasi ka të dhëna të shumta dixhitale.

 

Advertisement

“Mund të gjesh të dhëna në internet në formatin video, fotografi si edhe dëshmi nga viktimat.”

 

Mjekësia ligjore e shekullit 21 po ndihmon edhe Prokuroren e Përgjithshme të Ukrainës, Iryna Venediktova. Ajo ka mbledhur mijëra foto dhe video duke kataloguar burime në një faqe zyrtare në internet.

 

Advertisement

“Mediat sociale janë po ashtu shumë të rëndësishme, sepse ne mund t’i përdorim këto burime të hapura dhe kemi një ekip prej afro 100 prokurorësh që punojnë me to. Për ne është shumë e dobishme të analizojmë këto informacione”, thotë zonja Venediktova.

 

Një organizatë britanike, që ka krijuar një aplikacion të quajtur “EyeWitness to Atrocities”, “Dëshmitarë të Mizorive”, ka objektivin që këto të dhëna të pranohen si prova në një proces gjyqësor. Aty mund të regjistrohet koha, vendndodhja dhe të dhëna të tjera verifikimi që prokurorët mund t’i çojnë në gjykatë.

 

Advertisement

“Së pari të sigurohemi se ku dhe kur është bërë videoja, të sigurohemi që videoja nuk është modifikuar në mënyrë që integriteti i saj të jetë i paprekur dhe të sigurohemi që mund të konfirmojmë që askush nuk ka pasur qasje për të bërë ndryshime“, thotë Wendy Betts, drejtore e organizatës.

 

Autoriteteve ukrainase u duhet të kontrollojnë një sasi jashtëzakonisht të madhe informacioni. Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë për mbrojtjen e këtij informacioni kritik nga hakerat.

 

Advertisement

“Lufta që po zhvillohet në sferën e informacionit është po aq aktive sa ajo që po ndodh në terren. Ne po përpiqemi të ofrojmë një gamë të gjerë mbështetjeje për autoritetet ukrainase për t’i ndihmuar ata të përballen me të gjithë skenarët e mundshëm ndërsa shqyrtojnë këto krime“, thotë Clint Williamson, ish-ambasador i SHBA-së për çështjet e krimeve të luftës.

 

Në Kombet e Bashkuara, prokurori Karim Khan i Gjykatës Ndërkombëtare Penale i tha Zërit të Amerikës se teknologjia nuk zëvendëson mjetet tradicionale mjeko-ligjore, por përforcon kujtesën njerëzore.

 

Advertisement

“Një dëshmitar vazhdon të jetë i traumatizuar me kalimin e kohës. Kujtimet e tyre natyrshëm mund të ndryshojnë, mund të zbehen. Nëse provat mjeko-ligjore mblidhen siç duhet, ato konsiderohen të besueshme nëse jenë analizuar dhe konfirmuar”, thotë prokurori Khan.

 

Mund të duhen vite përpara se provat të arrijnë në Gjykatën Penale. Autoritetet ruse, të cilat mohojnë krimet e luftës, nuk iu përgjigjën kërkesave të shumta për intervista.

 

Advertisement

Ka gjithashtu akuza për krime lufte nga ukrainasit, megjithëse janë shumë më të pakta. Prokurorja e përgjithshme ukrainase, Venediktova i tha Zërit të Amerikës se do të hetojë dhe do të bashkëpunojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare./VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy