
Një tërmet me magnitudë 4.8 te shkallës riter tronditi Italinë fqinje në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Fatmirësisht nuk raportohet për dëme në njerëz, por lëkundjet e forta shkaktuan panik tek qytetarët të cilët u dyndën në rrugë.
Epiqendra e tërmetit u shënua në një provincë të Firences në orën 5 e 10 të mëngjesit dhe u pasua nga të paktën 8 paslëkundje në orët në vijim.
Ndërkohë që kontrollet vijojnë, mbrojtja civile e Firences ka raportuar se pavarësisht telefonatave të shumta deri më tani raportohet vetëm për dëme materiale. Si pasojë autoritetet kanë evakuuar një shtëpi të moshuarish në Forli, struktura e të cilës mbeti e dëmtuar.
Kryebashkiaku i provincës ku ishte epiqendra e tërmetit njoftoi për mbylljen e shkollave si masë paraprake. Po ashtu edhe në Ravena u mbyllën shkollat fillore dhe gjimnazet deri sa të kryhen kontrollet e nevojshme për ndonjë rrezik të mundshëm.
Trenat e shpejtësisë së lartë të linjës Firence-Faenza, pjesërisht u pezulluan ndërsa në disa zona të tjera u devijuan ndërsa kryhen kontrolle për dëmtime në hekurudha.