
Udhëheqësit e BE-së kanë nominuar kryetaren aktuale të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për një mandat të dytë pesë-vjeçar në postin kryesor të bllokut në një samit në Bruksel.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, u nominua si shefe e ardhshme e çështjeve të jashtme të BE-së dhe ish-kryeministri portugez António Costa u nominua si kryesuesi i ardhshëm i samiteve të BE-së. Të tre kandidatët janë nga fraksionet centriste pro-BE.
Parlamenti Evropian do të votojë për kandidatët muajin e ardhshëm. Ursula von der Leyen është nga qendra e djathtë e Gjermanisë, António Costa është një socialist dhe Kaja Kallas një liberale.
Megjithatë, kandidaturat u kundërshtuan nga kryeministrja italiane, Georgia Meloni, e cila theksoi se nga tri të nominuarit, asnjëri nuk është nga radhët e së djathtës.
Përpara samitit ajo tha se kandidaturat injoronin sukseset e partive të djathta të forta si ajo e saj në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian. Meloni abstenoi nga votimi për von der Leyen dhe votoi kundër Costa dhe Kallas.
Miratimi nga Parlamenti Evropian mund të jetë një sfidë më e ndërlikuar.
“Unë do të doja të shpreh mirënjohjen time për liderët që miratuan nominimin tim për mandatin e dytë si president i Komisionit Evropian,” tha von der Leyen pas votimit.