Dibra ka mungesë të mjekëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Spitali i përgjithshëm në Dibër vite me radhë ballafaqohet me mungesën e kuadrit mjekësor. Por, ky problem sidomos erdhi në shprehje me paraqitjen e pandemisë në mars të vitit të kaluar, për çka drejtoria e spitalit ishte e detyruar të kërkojë kuadër mjekësor të specializuar nga spitalet tjera të vendit. Por, kohëve të fundit mungesa e kuadrit shëndetësor thellohet edhe për shkak të largimit të këtij kuadri në shtetet të Unionit Evropian.

Për problemin në fjalë biseduam me drejtorin e Spitalit të Dibër, Baki Alili. Alili thekson se Spitalit të Dibrës i cili mbulon me aktivitete e tij komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe një pjesë të Komunës Mavrovë Rostush, i kanë munguar disa specialistë, por problemi është zgjidhur gjithmonë duke angazhuar specialistë nga Spitali i Strugës. Përforcime të reparteve të Spitalit të Dibrës me mjekë specialistë, deri tani ka patur në repartin e gjinokologjisë, transfuziologjisë, kurse me paraqitjen e pandemisë drejtoria angazhoi mjekë nga klinika e Shkupit dhe spitale të tjera, kryesisht në repartet e sëmundjeve interne, pediatrisë dhe infektologjisë.

“Gjithmonë i kemi dhënë ndihmë të nevojshme shëndetësore popullatës me që kemi angazhuar në kohë kuadro, të cilët na kanë munguar”, thotë për gazetën Koha, drejtori Baki Alili.

Por sipas tij, kohëve të fundit edhe në këtë spital, siç është prezent edhe në spitalet e tjera të vendit, probleme ka me largimin punëtorëve shëndetësor në shtetet e Unionit Evropian. Alili shton se kohëve të fundit janë larguar nga puna katër mjekë dhe 6 infermiere. Ky problem është i madh, prandaj insistojmë të gjithë të rinjtë, të cilët kanë mbaruar fakultetin e medicinës, të angazhohen në institucionin tonë shëndetësor.

Advertisement

“Kemi punësuar të gjithë mjekët dhe motrat medicinale të cilët kanë përfunduar shkollimin adekuat. Tendenca jonë është që gjithmonë të sugjerojmë gjeneratat e reja të studiojnë shkencat e medicinës. Duke marrë parasysh se kemi nevojë për mjekë specialistë, u mundësojmë kuadrove tona që të nisin specializimin. Këto ditë shtat mjekë të përgjithshëm të spitalit tonë u dha mundësia në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë që të specializojnë në degët e medicinës, të cilët janë deficitare në Spitalin e Dibrës. Bëhet fjalë për specializime që më së shumti u duhet dibranëve”, thotë Alili dhe potencon se aktualisht ka studentë në shkencat e medicinës nga Dibra në disa universitete të vendit dhe jashtë tij.

Në drejtorinë e Spitalit besojnë se këta mjekë të përzgjedhur në kohë do të krijojnë specializimin në Klinikën e Shkupit. Deri sa të kthehen nga specializimi, mjekët tanë, thotë Alili, ne si drejtori e Spitalit do të angazhojmë ,mjekë specialistë me qëllim që pacientët në asnjë moment të mos mbeten jashtë mbrojtjes shëndetësore.

Përndryshe, frekuentimi i pacientëve në Spitalin e Dibrës është i madh. Përveç pacientëve nga Dibra, Qendër Zhupa dhe Mavrovë-Rostushë, këtu çdo dit takojmë pacientë nga viset kufitare të Shqipërisë. Afërsia e banorëve të fshatrave kufitare të Shqipërisë, i detyron pacientët nga Shqipëria që të shërohen edhe në Dibër./koha.mk/

 

Advertisement

Dibra ka mungesë të mjekëve shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy