Maqedoni: Barrierat në shoqëri më të rënda se invaliditeti

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Më shumë se invaliditeti, për mua problem paraqesin barrierat tektonike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ertan Shakiri, një 28-vjeçar nga Shkupi.

Ai, çdo ditë, ballafaqohet me trotuare të bllokuara nga parkimi i veturave, gjatë rrugës që bën nga shtëpia deri në objektin e hotelerisë, ku është i angazhuar me punë.

“Për fat të keq, këtu ku jetoj në Komunën e Çairit në Shkup, nuk kemi as trotuare, as vendkalime për personat me nevoja të veçanta. Jam i varur nga personat e tjerë për ta bërë këtë rrugë, të zbres nga shkallët apo trotuari, me karrocën time”, thotë Erkani.

Çdo 3 dhjetor, në të gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta.

Advertisement

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2011, është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me invaliditet – dokument ky që paraqet instrumentin e parë ligjor, me të cilin përcaktohen standardet minimale për të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

Nga tetë fushat me prioritet të kësaj konvente, nën pikën 7 gjendet shëndetësia, e cila ka të bëjë me qasjen e barabartë të personave me nevoja të veçanta në shërbimet dhe institucionet shëndetësore.

Por, Erkan Shakiri thotë se kjo e drejtë vështirë që gjen zbatim në Maqedoninë e Veriut.

“Edhe pse çdo institucion e ka për obligim që të sigurojë qasje për personat me nevoja të veçanta, kjo nuk zbatohet. Isha në takim me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjatë këtij viti, dhe, paramendoni, pasi nuk kisha qasje për të hyrë në këtë ministri me karrocë, ministri u detyrua të zbresë poshtë godinës për ta realizuar takimin, sepse nuk kisha qasje për të lëvizur me karrocë deri te kabineti i tij”.

Advertisement

“Pra, as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka hapësira që mundësojnë lëvizjen e personave me nevoja të veçanta. Imagjinoni si është gjendja në institucionet e tjera”, thotë Shakiri.

Personat me invaliditet kanë të drejtë që çdo pesë vjet të marrin falas një karrocë elektrike, shpenzimet e së cilës i mbulon Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë së Veriut.

Por, Erkani thotë se kjo nuk mjafton, pasi karrocat prishen shumë më shpejt, si pasojë e rrugëve të këqija.

Shoqata që drejton ai, “Sos Vita-Shkup”, edhe këtë vit është duke ndarë falas karroca elektrike për personat me nevoja të veçanta.

Advertisement

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thonë se të drejtat e saj janë të përfshira në ligjet përkatëse, të cilat janë në harmoni me standardet evropiane, porse këto të drejta, sipas tyre, vështirë gjejnë zbatim në praktikë, sidomos kur bëhet fjalë për përfshirjen e kësaj kategorie në marrëdhënie pune në institucionet e shtetit.

Rilind Dauti, i cili ndjek studimet e doktoratës dhe është me nevoja të veçanta, thotë se kjo kategori çdo ditë përballet me mungesa në infrastrukturë e mjete.

“Te personat me nevoja të veçanta hasen shumë njerëz të talentuar apo me nivel të lartë inteligjence, që nëse u mundësohen kushtet, ata do të arrinin të jenë kontribuues të fortë për të tjerët… Prandaj, do të ishte humbje e madhe nëse një njeri kufizohet nga realizimi i potencialit të plotë mendor, për shkak të ndonjë kufizimi fizik”, thotë Rilindi.

Mario Mickovski, 21-vjeçar, i cili gjithashtu i takon kategorisë së personave me nevoja të veçanta, thotë për Radion Evropa e Lirë se vullneti dhe puna kanë qenë vendimtare për realizimin e synimeve të tij.

Advertisement

“Mbarova shkollën e mesme të fizkulturës në Shkup. Nuk jam ndalur së sfiduari veten. Si pjesë e ekipit me nevoja të veçanta, kam arritur t’i sjell vendit edhe medalje. Por, e theksoj se pa ndihmën e prindërve dhe sakrificave të mëdha nga ana e tyre, këtë sukses do ta kisha të pamundur ta arrij”, thotë Mario.

Personat me nevoja të veçanta në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritjen e ndihmës sociale që ndan shteti për ta.

Kjo ndihmë ka vlerën e 5,100 denarëve (83 euro) për personat e kësaj kategorie deri në 26 vjeç dhe 7,100 denarëve (115 ero) për ata që janë mbi 26 vjeç.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi thotë se në Maqedoninë e Veriut janë bërë hapa shumë të vegjël në drejtim të realizimit të të drejtave të kësaj kategorie të qytetarëve.

Advertisement

“Për fat të keq, mendoj se është bërë shumë pak progres në mbrojtjen e të drejtave ekzistuese dhe promovimin e tyre”, thotë Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Sipas saj, gjendja bëhet edhe më alarmante në mungesë të një regjistri, ku do të përfshihej numri i saktë i personave me nevoja të veçanta, si dhe lloji i aftësisë së kufizuar me të cilën përballen këta persona.

Në mungesë të një numri të saktë nga institucionet, organizatat joqeveritare thonë se në Maqedoninë e Veriut kjo kategori përben rreth 20 për qind të popullsisë.

“Ne ekzistojmë dhe rreth 20 për qind e popullsisë ka nevoja specifike. Kur shteti do të na pranojë si të tillë, atëherë ne nuk do të jemi persona me nevoja të veçanta, por do të jemi pjesë e shoqërisë”, thotë Sandra Peshevska, aktiviste për të drejtat e njeriut./REL/

Advertisement

Maqedoni: Barrierat në shoqëri më të rënda se invaliditeti shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy