Osmani dhe Szijarto: Kemi obligim të përbashkët t’i tejkalojmë sfidat dhe të ofrojmë zgjidhje

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i Ministrit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili ndodhet në vizitë njëditore pune në vendin tonë.

Dy ministrat diskutuan për zhvillimin e bashkëpunimit multisektorial ndërmjet dy vendeve, ndërsa theks i veçantë u vendos në aktualitetet në situatën e brendshme politike në vend si dhe ngjarjet e fundit në lidhje me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit.

Me këtë rast, Osmani përshëndeti suksesin e Presidencës sllovene në sigurimin e konsensusit për Raportet e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për konkluzionet e Bashkimit Evropian për rajonin, i cili është argument se pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballemi, Bashkimi Evropian mbetet i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Gjithsesi ky sukses i pjesshëm i Presidencës sllovene, të paktën këtu tek ne, hyri nën hijen e thellë të mos-suksesit të Unionit që të sigurojë konsensus në operacionalizimin e vendimit të tij nga marsi i vitit të kaluar për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona kanë mirëkuptim për atë se në çfarë mënyre dhe me çfarë argumentesh përdoret ky privilegj nga disa shtete anëtare”, theksoi Osmani.

Advertisement

Ministri Szijjártó e riafirmoi mbështetjen hungareze me zotimet që e njëjta të vazhdojë po me këtë intenzitet, në periudhën e mëtejmë. Dy ministrat konkluduan se integrimi i Ballkanit Perëndimor është një interes gjeostrategjik i Bashkimit Evropian, gjë që kontribuon në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit dhe parandalimin e ndikimeve dhe interesave joadekuate nga vendet e treta.

Të dy ministrat shkëmbyen mendime për situatën në rajon dhe konkluduan se angazhimi i shtuar i Unionit është i domosdoshëm, me qëllim arritjen e një partneriteti të dyanshëm, i cili do të kontribuojë për një rajon më stabil dhe më prosperues.

U mirëprit rritja e vazhdueshme e shkëmbimit tregtar dhe pritshmëria se ekzistojnë potenciale për rritjen e mëtejshme të së njëjtës. Riaktivizimi i punës së Komitetit të Përbashkët të Përzier mes dy vendeve dhe mbajtja e seancës së 4-të vitin e ardhshëm, do t’i japë një shtysë pozitive shtesë shkëmbimit tregtar, me qëllim gjetjen e mundësive për një klimë më të favorshme investimi reciprok.

Osmani dhe Szijarto: Kemi obligim të përbashkët t’i tejkalojmë sfidat dhe të ofrojmë zgjidhje shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy