Samit “Maqedonia 2025”: Zhvillimi ekonomik përmes aplikimit më të madh të teknologjive të reja, inovacioneve dhe transformimit të plotë digjital të shoqërive

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zhvillimi i përshpejtuar përmes përdorimit të teknologjive të reja, inteligjencës artificiale dhe inovacionit po bëhet një çështje gjeopolitike dhe strategjike në shekullin e 21-të, e cila është po aq e rëndësishme për çdo vend. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të investohet në edukimin e duhur në kohë. Pikërisht edukimi, teknologjitë e reja, si dhe përfaqësimi i duhur gjinor në shkencat teknologjike dhe informative ishin temat kryesore të paneleve që u diskutuan në ditën e dytë, të fundit në Samitin e sivjetëm “Maqedonia 2025”.

Në suaza të panelit përkushtuar barazisë gjinore, përfaqësueset e bashkësisë së biznesit nga vendi ynë dhe vendet e huaja, duke i prezantuar historitë e tyre të suksesshme, theksuan se përmes përkushtimit të përbashkët të biznesit dhe të qeverive, si dhe përmes investimit strategjik në arsim, mund të arrihet barazi gjinore.

Pjesëmarrësit në këtë panel u pajtuan se nuk ekzistojnë profesione të meshkujve dhe femrave, por ekzistojnë vetëm profesione të së ardhmes, në të cilën të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta. Kati Iceva, inxhinier softuerësh në Mikrosoft dhe anëtare e bordit drejtues të “Maqedonia 2025” i prezantoi trendet e fundit në kulturën koorporative dhe sistemin për punësim dhe avancim.

Përvojat dhe hapat që i ka bërë Kanadaja në drejtim të arritjes së barazisë më të madhe gjinore dhe përfshirjen e vajzave dhe grave në shkencat teknologjike dhe informatike i transmetoi Xhajls Norman, ambasadori kanadez për Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi.

Advertisement

Në ditën e dytë të samitit është diskutuar edhe për tema aktuale, siç janë: inteligjenca artificiale, “bllok-çejn” teknologjitë, e ardhmja e zhvillimit të fuqisë punëtore dhe trendet globale, por edhe për potencialin e tyre për zhvillim të vendeve dhe të gjithë rajoneve, përmes bashkëpunimit më të madh.

Aco Momçilloviq, drejtor i Institutit global për etikë dhe inteligjencë artificiale i prezantoi rezultatet e hulumtimit për përparimin e vendeve dhe vlerën për investim të shpejtë dhe trajnim të kuadrit në këtë fushë.

Në njërën nga panelet është diskutuar edhe për potencialin e “bllok-çejn” teknologjive të popullarizuara dhe kriptovalutave, gjegjësisht për qasjet e mundshme në implementimin e tyre, si dhe për përfitimet të cilat i sjellin ato teknologji. Pjesëmarrësit ishin pajtuar se bëhet fjalë për teknologji të reja të cilat kanë një numër të madh përparësish, por edhe rreziqesh, për shkak të të cilave duhet me kujdes të ndiqen dhe në mënyrë adekuate të përdoret potenciali i tyre në drejtimin e vërtetë.

Liderë të shumtë të biznesit, aktorë politik, përfaqësues të bashkësisë akademike dhe të biznesit dhe sektorit civil, si dhe nga kompanitë e mëdha dhe ato startap, morën pjesë në Samitin e 11-të “Maqedonia 2025”, që dje dhe sot mbahet në Shkup dhe përmes ndarjes së ideve për bashkëpunim, kontribuuan në ndërtimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.

Advertisement

Samit “Maqedonia 2025”: Zhvillimi ekonomik përmes aplikimit më të madh të teknologjive të reja, inovacioneve dhe transformimit të plotë digjital të shoqërive shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy