Ulet numri i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoni, qytetarët nuk binden që të vaksinohen

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Numri i rasteve të reja me Covid në vend është ulur për 8.7%, tregon Raporti i fundit të Institutit për Shëndet Publik. Gjatë javës së kaluar, nga gjithsej 7.682 të testuar, pozitivë kanë rezultuar 3.477 qytetarë. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, pastaj Kavadari, Negotina dhe Ohri. Mjeku Zllate Mehmedoviq nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse thotë se kulmi tashmë ka kaluar, por duhet të jemi të kujdesshëm.

“Kjo është tashmë java e dytë me radhë që kemi ulje të numrit të të infektuarve të rinj, gjë që tregon se tashmë numri i infeksioneve të reja është në rënie. Kjo do të thotë se me shumë gjasa kulmi ka kaluar dhe se mund të presim që situata të përmirësohet nga aspekti i asaj se si do të jetë gjendja epidemiologjike në vend”, deklaroi Zllate Mehmedoviq.

Për momentin në Maqedoni qytetarët mund të vaksinohen me dozë të katërt të vaksinës kundër koronavirusit, kurse të njëjtën mund ta marrin personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me tre doza. Mehmedoviq thotë se ka interes vetëm tek njerëzit që tashmë janë vaksinuar dhe se është e vështirë t’i bindësh qytetarët që nuk janë vaksinuar.

“Ka gjasa që në periudhën e ardhshme të mos presim rritje të numrit të vaksinimeve, mbi të gjitha sepse e shihni se edhe kjo valë ngadalë filloi ta humbë fuqinë e saj. Në prag të valës së vjeshtës, e cila nuk e dimë se në çfarë forme dhe sa e rëndë do të jetë, sigurisht se apeli i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është që të vaksinohen të gjithë ata që nuk janë vaksinuar deri më tani, ata që kanë dozë të tretë të imunizohen me dozën e katërt shtesë për ta përforcuar imunitetin, sepse nuk e dimë se cili variant i virusit do të jetë gjatë muajve të vjeshtës dhe nëse do të jetë i njëjti që kemi tani”, pohoi Mehmedoviq.

Advertisement

E derisa në Maqedoni ende nuk ka masa për mbrojtje nga Covid-19, nga vendet e rajonit, në Mal të Zi, për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike, është vendosur masa për mbajtje të detyrueshme të maskave mbrojtëse, ndërsa autoritetet shëndetësore apelojnë që qytetarët të vaksinohen kundër Covid-19. Autoritetet shëndetësore në Greqi, thonë se synimi i tyre është të mos ketë masa të detyrueshme dhe se gjithçka do të varet nga situata në vjeshtë, por, siç shtojnë, edhe pse mbetet pandemi, duan që Covidin ta trajtojnë si sëmundje endemike “ku nuk do të ketë nevojë për masa të rrepta apo të detyrueshme”.

 

 

Ulet numri i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoni, qytetarët nuk binden që të vaksinohen shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy