Fshati i “pllajës së Dajtit”, ku edhe sot ecet me gomerë dhe mushka

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kur je në Tufinë dhe futesh në grykën e Tujanit, pasi ke kaluar urën e betonit, pranë gurores së vjetër, ku edhe sot disa vazhdojnë të punojnë, ndodhesh në hapësirën e fshatit Tujan.

Nga ura e riparuar më 1942 dhe e ngritur në lartësi më 1964 duhet të përshkosh edhe gati 3 km rrugë deri në qendër të fshatit, rrugë e pashtruar, e cila në fillim është malore e me kthesa dhe zbutet deri te bokat e argjilës.

Emri i fshatit është i shënuar në regjistrin e vitit 1432 me tri fise, sigurisht me shumë kurorë, kurse në regjistrin turk të vitit 1583 kishte rreth 40 shtëpi me 150 frymë.

“Më 1641-1660 në fshat filloi të ndihej islamizimi. Në kodrën konike me lartësi 573 metra aty pranë, ka qenë ndërtuar një kala e vogël mesjetare (banorët përreth e quajnë edhe qytezë), si qendër-rojë e rrugës së vjetër strategjike lindje-perëndim. Kjo kala bizantine mesjetare me gjatësinë e mureve 160×190 metra e rrethon majën nga tri drejtimet sepse ana lindore është e mbrojtur nga pjerrësia e madhe natyrale e shkëmbinjve të kodrës.”,- shprehet për gazetën “Si”, Skëndëri, një banor i zonës së Tiranës, i cili është marrë me mbledhjen e të dhënave dhe studimin e fshatrave të zonës së Dajtit dhe më gjerë.

Advertisement

Kalaja daton në vitet 400 dhe është riparuar në vitet 600 nga perandori Justinian (si njëra prej 29 kalave që u riparuan), sipas analeve historike të asaj kohe.

Muret prej guri me 80 cm trashësi të japin të kuptosh se aty ka pasur ndarje për banesa, si dhe një depo uji me diametër 3 metra. Midis gurëve janë gjetur fragmente qeramike të antikitetit.

Atje ngjan se ngjiten vetëm barinj që kullotin bagëtinë andej rrotull.

Origjina dhe historia

Advertisement

Sipas një gojëdhëne emri Tujan vjen nga përgjigja: “Tu jam… Këtu jam…”, që me kohë u bë Tujan, pas pyetjes: “Ku je?” kur thirreshin nga kalaja.

Nga lartësia e kodrës së Tujanit shikohen bukur e qartë dy lagjet e Tujanit: mali i Dajtit duket aty pranë dhe shihen fshatrat Brar, Ferraj mbi kodrat e tyre të mbuluara me gjelbërim dhe Tirana, pamje kjo nga një pikë e ndërmjetme midis lartësisë1152 metra të fushës së Dajtit dhe lartësisë 573 metra të majës së kodrës, kur qëndron aty midis shkurreve.

Rruga e vjetër Lindje-Perëndim, tepër e vështirë dhe që ka marrë emrin rruga e Shkallës së Tujanit, si rruga më e shkurtër Tiranë-Burrel-Dibër gjatë qindvjeçarëve ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve atje.

Gjatë ditëve të nxehta me etje për ujë rrugës, ose të dimrave të acarë, kur rruga e Shkallës së Tujanit mbulohej nga bora e ngrirë ose akulli, kishte raste që njerëz a kafshë me ngarkesat e tyre rrëzoheshin poshtë në greminë, shpesh pa lënë gjurmë, ndërkohë që edhe shumë gra shtatzëna kanë humbur fëmijët e tyre.

Advertisement

Në këto kushte njerëzve në fshat u është dashur të jenë pritës për të ndihmuar nevojtarët-rrugëtarë, njerëz e kafshë, që kishin nevojë për pushim e ushqim, mjekim e strehim.

Kështu, në Tujan kanë funksionuar dy hane, për njerëzit dhe kafshët e tyre. Po kështu, çdo shtëpi ishte një pritëse e kujdesshme, duke kultivuar mikpritjen tradicionale.

Jo rrallë me udhëtarët është lidhur miqësi, është lidhur krushqi, apo janë bërë nun të fëmijëve të lindur.

Prodhimi i vajit dhe ‘zhdukja’ e veprimtarive artizanale

Advertisement

Ekonomia e fshatit bazohet në bujqësi, blegtori dhe pemëtari, ku vendin e nderit e zë ulliri. Ullinjtë këtu janë nga më të vjetrit në komunë. Mosha e tyre prej 1500 vjetësh nuk i pengon që edhe sot të jenë në prodhim.

Prania e ullinjve bënte që shumë familje aty të kishin mullinjtë e tyre të vajit, që i ndërtonte mjeshtri Mexhid Hala. Pemët frutore, si: fiku, rrushi, kumbulla, shega, arra, hidja janë nga varietet më të mira dhe të veçanta të vendit, por që për arsye të ndryshme nuk arrijnë në treg.

Fshatarët kujdesen për një ose dy lopë që mbajnë, por edhe për dele dhe më shumë dhi, duke plotësuar nevojat e tyre, por pa mundur të kenë peshë në treg në qytet.

Gjithashtu ata rritin shpendë, midis tyre pula dhe gjela deti.

Advertisement

Disa veprimtari të vjetra artizanale dikur të aplikuara, si: kultivimi i linit për litar dhe prodhime të tjera, po kështu nxjerrja e pllakave të gurit, ajo e prerjes dhe shitjes së druve të zjarrit në Tiranë, punimi i drurit për prodhim govatash, nxjerrja e kallëpeve të borës, për ftohjen e limonadës në Tiranë etj., sot vetëm kujtohen.

Terreni shumë i thyer i fshatit ka bërë që për banorët, kafshët, si gomerët, kuajt dhe mushkat të jenë shumë të nevojshme për punë dhe transport.

Nëse flet për biznes, banorët të kujtojnë se pllaja e Dajtit aty në lartësinë 1152 metra ka qenë pronë e tyre, por atje sot biznes vetëm ata nuk bëjnë, sepse me ligjet e pronave dihet se ç’është bërë, por edhe sepse pjesa tjetër e pllajës vazhdon të jetë zonë ushtarake.

Ai që sot quhet Ballkoni i Dajtit është vetëm 5% e ballkonit të tij të vërtetë, ai vazhdon deri në malin e Krujës, që duket shumë pranë, më tej me kanionin e Brarit dhe pamjen piktoreske përreth, ku shikimi tretet në Adriatik.(si)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy