BE: Ndihmë me ekspertë për sulmet/ Ambasadorja flet për Vizion Plus: Reformat të bëhen realitet, s’ka tolerim ne negociata

Pinterest LinkedIn Tumblr +
BE: Ndihmë me ekspertë për sulmet/ Ambasadorja flet për Vizion Plus: Reformat të bëhen realitet, s’ka tolerim ne negociata

Për rimbëkëmbjen dhe forcimin e sistemeve digjitale pas sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga Irani, Bashkimi Evropian angazhohet të sjellë ekspertë të tjerë. Në të parën intervistë për mediat vendase, Christiane Hohmann tha për Vizion Plus, se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë përbën një kërcënim për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

 

CHRISTIANE HOHMANN

AMBASADORE E BASHKIMIT EVROPIAN NE TIRANE

Advertisement

 

Ka qenë shumë e qartë, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka dalë me një deklaratë që i dënon këto sulme në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, çka do të thotë se ai flet në emër të 27 Shteteve Anëtare. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë dhe këtë do ta përshpejtojmë duke sjellë më shumë ekspertë, sidomos tani, për qëndrueshmërinë e sistemit, për t’u mbrojtur më mirë ndaj sulmeve armiqësore.

Me nisjen e procesit “screening”, pra skanimit të legjislacionit tonë mbi përputhshmërinë ose jo me atë të Bashkimit Evropian dhe hapjen e kapitujve, që përbën edhe fillimin e vërtetë të negociatave anëtarësuese, diplomatja e lartë thotë  se kryeçështjet që mund të vonojnë apo të përshpejtojnë bërjen e Shqipërisë në një vend anëtar të BE-së  janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

 

Advertisement

CHRISTIANE HOHMANN

AMBASADORE E BASHKIMIT EVROPIAN NE TIRANE

 

Vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, mund t’ju them edhe në qendër të vëmendjes së Shteteve Anëtare të BE-së, pasi është e rëndësishme të kuptohet që Shtetet Anëtare të BE-së marrin vendimin se si do të ecet me këtë proces. Ky është edhe besimi që ata i japin vullnetit politik shqiptar dhe rrugës së reformave për të ecur përpara me procesin apo për të thënë, jo, nuk kemi parë progres të mjaftueshëm, prandaj nuk do të vazhdojmë. Kështu që është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar që sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe pastrimit të parave janë thelbësore dhe duhet të mbeten thelbësore.

Advertisement

Vlerësuese për reformën në drejtësi, sot pas 6 vitesh të zbatimit të saj, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në vendin tonë kërkon garanci që ajo të ketë ketë rezultate të prekshme.

 

Advertisement

CHRISTIANE HOHMANN

AMBASADORE E BASHKIMIT EVROPIAN NE TIRANE

 

Kanë kaluar gjashtë vjet nga kalimi i kësaj reforme themelore në drejtësi përmes procesit të vetingut dhe kjo, pikë së pari, na ka ndihmuar të pastrojmë sektorin, por nuk kemi mbaruar, dhe së dyti, duhet të sigurohemi se është rrënjosur fort dhe se do të zbatohet edhe në periudhën afatgjatë, jo vetëm në periudhën afatshkurtër. Pra, duhet marrë vërtet seriozisht, që të kemi standarde të larta profesionale të prokurorëve, gjyqtarëve, në mënyrë që sistemi të nisë të japë drejtësi, që njerëzit të kenë ndjesinë se tani kanë mundësi të barabartë për të shkuar në gjykatë. Pra, është diçka që duhet të ndryshojë edhe për njerëzit në realitet.

Advertisement

E ndërsa vendi ynë është në vigjilje të procesit anëtarësues dhe paralelisht pritet të ndërmerren disa nisma ligjore, si pasaportat e arta, amnistia fiskale apo legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, ambasadorja e BE-së është e qartë kur thotë se ato nuk duhet të cënojnë ligjet mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian.

 

CHRISTIANE HOHMANN

Advertisement

AMBASADORE E BASHKIMIT EVROPIAN NE TIRANE

 

Është shumë e rëndësishme, kemi korpusin e legjislacionit, dhe sigurisht ne presim që të mos kalohet asnjë ligj që e shkel këtë korpus ligjor të BE-së. Ky është një fakt dhe tjetri, siç e thashë më parë, është që Shtetet Anëtare të BE-së po e ndjekin me shumë kujdes gjithë zhvillimin në vend dhe nëse keni nisma ligjore që nuk përqendrohen tek përafrimi me korpusin ligjor të BE-së, por shkojnë në drejtim të kundërt, atëherë kjo do të ndryshojë edhe përshtypjen për vendin. Është çështje besimi dhe perceptimi, në kuptimin që a është drejtuar jeta politike në vend 100% drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, çka do të thotë që pritshmëritë për çdo veprim të ndërmarrë do të shkojnë në këtë drejtim apo ka edhe veprime të tjera që lënë vend për të ngritur pyetje.

Për diplomaten Christiane Hohmann Shqipëria ka shancin që të mos presë gjatë për të qenë nga vendet e BE-së, por koha tha ajo varet nga udhëheqja politike dhe përfshirja e drejtpërdrejt e qytetarëve në ndryshimet që Shqipërisë i kërkohen.

Advertisement

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy