“BE nuk i përjashton sanksionet ndaj politikanëve të Ballkanit”, vjen paralajmërimi i zyrtarit të SHBA pas “non grata’-s së Berishës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“BE nuk i përjashton sanksionet ndaj politikanëve të Ballkanit”, vjen paralajmërimi i zyrtarit të SHBA pas “non grata’-s së Berishës

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE), shpesh i kanë kritikuar liderët politikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si përgjegjës për pengimin e reformave, por edhe për mungesë vullneti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, BE-ja deri më tani ka hezituar që ndaj tyre të zbatojë sanksione, të ngjashme me ato që është duke zbatuar administrata amerikane.

Por, kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, sepse edhe në BE tashmë kanë nisur përgatitjet edhe për sanksione ndaj politikanëve, të cilët shihen si pengesë e reformave dhe rrezik për stabilitetin e vendeve dhe rajonit në përgjithësi.

Bashkimi Evropian ka rritur kohëve të fundit presionin ndaj politikanëve në Bosnje e Hercegovinë, ku këtë vit zhvillohen zgjedhjet, por ende nuk është arritur pajtim për reformat zgjedhore, pa të cilat këto zgjedhje nuk do të konsiderohen të jenë në përputhje me standardet evropiane.

Të hënën, më 21 shkurt, në takimin e tyre në Bruksel ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë për situatën në Bosnje e Hercegovinë. Dhe, për herë të parë, krahas përpjekjeve për reforma kushtetuese dhe zgjedhore, në rend dite do të jenë edhe sanksionet ndaj atyre që rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi, shkelin parimet e Marrëveshjes së Dejtonit dhe unitetin e vendit.

Advertisement

Për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat tashmë i kanë vendosur sanksione liderit të serbëve në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, BE-ja i është qasur kësaj çështjeje me shumë kujdes.

Në një dokument të përgatitur nga shërbimet e BE-së për diskutimin e ministrave, thuhet se masat ndëshkuese “do të vendosen vetëm si mjet i fundit nëse të gjitha përpjekjet tjera dështojnë”.

Këto masa të BE-së, sipas një kornize që tashmë ekziston, do të përfshinin ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimit për politikanët, të cilët konsiderohen përgjegjës për shkeljet, të cilat shihen si rrezik për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Në BE thonë se në këtë moment prioritet është situata në Bosnje e Hercegovinë pasi atje janë rritur aktivitete secesioniste të Republikës Sërpska dhe situata, sipas ekspertëve të BE-së, “paraqet krizën më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në vitin 1995”. Prandaj, edhe sanksionet ndaj liderëve të Ballkanit Perendimor mund të zbatohen së pari për ata nga Bosnja e Hercegovina.

Advertisement

Hezitimi i BE-së nga zyrtarët e saj në Bruksel, me disa prej të cilëve ka biseduar Radio Evropa e Lirë, më së shpeshti arsyetohet me “dëshirën që t’i japim mundësi dhe kohë dialogut politik”. Këta diplomatë të BE-së janë të mendimit se vendosja e sanksioneve ndaj atyre liderëve politikë që kanë marrë votat e qytetarëve, do të zvogëlonte gjasat për sukses në negociatat për reforma.

“Ata kanë marrë votat e qytetarëve dhe ne nuk mund t’ua imponojmë atyre qytetarëve se për kë duhet të votojnë, pa marrë parasysh a na pëlqejnë apo jo. Por, nëse i realizojnë kërcënimet e tyre për rrezikimin e unitetit dhe sovranitetit të shtetit, atëherë nuk do të kemi zgjidhje tjetër dhe do të veprojmë”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

Arsye tjetër është edhe fakti se në BE nuk ka pajtim të plotë mes 27 shteteve anëtare rreth sanksioneve ndaj liderëve të rajonit.

Në anën tjetër, BE-ja është duke u kujdesur që sanksionet, nëse do të vendosen, të mos kenë pasoja për qytetarët. Në rastin e Bosnje e Hercegovinës, siç përmendet në dokumentin e përgatitur për diskutim të ministrave të jashtëm, BE-ja tashmë ka paralajmëruar se do të kushtëzojë nënshkrimin e marrëveshjes për 600 milionë euro që janë dedikuar për projektet rrugore dhe hekurudhore në entitetin e Republikës Sërpska.

Advertisement

Kjo marrëveshje, sipas burimeve në BE, do të realizohet vetëm nëse kthehet normaliteti në funksionimin e institucioneve në nivelin shtetëror.

Shumë prej atyre institucioneve janë paralizuar si pasojë e bojkotit, ndërsa Republika Sërpska ka nisur procedurat për marrjen e disa kompetencave shtetërore në duart e entitetit. Kjo ka shkaktuar shqetësim në BE.

Ngjashëm sikur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian nuk përjashton mundësinë që sanksione të ketë edhe ndaj politikanëve nga vendet e ndryshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një varg sanksionesh ndaj disa politikanëve në rajon, përfshirë edhe ndalesën e hyrjes në SHBA, por edhe sanksione financiare dhe ekonomike. Mes atyre që janë vendosur nën masat e tilla është lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, politikanë nga veriu i Kosovës që dyshohet se janë të lidhur me krimin e organizuar, por edhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Advertisement

I dërguari amerikan për rajonin, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se në të ardhmen administrata amerikane mund të vendosë masa edhe ndaj politikanëve të tjerë.

Në BE thonë se administrata amerikane bashkëpunon edhe me Bashkimin Evropian në rajon, sepse kanë interesat e njëjta. Por, sa i përket sanksioneve në BE përsërisin se “ne kemi kornizën dhe sistemin tonë”./REL

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy