
Një orë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lideri i opozitës Sali Berisha doli si zakonisht para gazetarëve, duke sqaruar se e priste këtë vendim.
Tashmë që masa e sigurisë ndaj tij ka marrë formë të prerë, ish-kryeministri Berisha akuzoi gjykatën se është vendosur në shërbim të liderit të mazhorancës Rama.
Sali Berisha
“Nuk ka asnjë risi në vendimet, të cilat dëshmojnë kontrollin e plotë dhe total të sistemit të drejtësisë, shndërrimin e saj në degë ekzekutivi nga narkodiktatura dhe Edi Rama.”
Lideri i opozitës Berisha akuzoi ashpër prokuroren që po e heton, Enkelejda Millonai.
“Unë dua t’u informoj ju se dje në sallën e gjyqit, famozja për lidhjet obskure me Taulant Ballën, ka deklaruar sa vijon: Sipas saj, korrupsioni konsumohet edhe duke zbatuar ligjin. Nuk ka standard më amoral sesa ky. Dhe është e regjistruar kjo.”
Akuza të ashpra Berisha artikuloi edhe ndaj prokurorit tjetër që po heton çështjen e kompleksit “Partizani”, Arben Kraja.
“Atë e ka shkruar Edi Rama me larot e tij, ish-oficerin e Sigurimit famëzi të Shtetit, Arben Kraja. I cili qëndron në detyrë në kundërshtim me ligjin aktual të prokurorisë. Dhe mendon se do zgjasë nën sqetullat e Edi Ramës, duke u përdorur si zagar i tij.”
Lideri i opozitës Berisha ashpërsoi akuzat edhe pse Jamarber Malltezi, dhëndri i tij, u lirua nga burgu, duke theksuar se këtë dosje ai do ta çojë në Strasburg.
“Malltezi nuk u nxor nga burgu, ai u la në arrest shtëpie. Kjo nuk përbën asgjë.”
Edhe pse vendimi i Apelit është i formës së prerë Sali Berisha është i vendosur të mos e zbatojë, pasi sipas tij kufizimi i lirisë së deputetit nuk mund të vendoset pa autorizimin e parlamentit.