“E kam këshilluar patriarkun serb të hapë edhe TikTokun dhe në inaugurimin e ardhshëm t’i thërrasë edhe disa valltare striptizi“

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“E kam këshilluar patriarkun serb të hapë edhe TikTokun dhe në inaugurimin e ardhshëm t’i thërrasë edhe disa valltare striptizi“

Nga Enver Robelli

Nga një intervistë ironike, therëse dhe argëtuese e shkrimtarit nga Beogradi Svetisllav Basara, ku flet për identitetet negative në Ballkan, për kombet e vonuara, për rrenat e mëdha të ndërtuara përmes mitit të Kosovës, për popullizmin e Aleksandar Vuçiqit, për Serbinë si despoti orientale që nga principata e Serbisë deri te pushteti i sotëm.

■ Svetisllav Basara është shkrimtar nga Beogradi. Me gjasë nuk i pëlqen ta quajnë shkrimtar serb. Korniza nacionale për të është e ngushtë. Basara është provokator fantastik dhe qëllimmirë. I ngjan Thomas Bernhardit, autorit austriak për të cilin thuhet se askush nuk e ka sharë Austrinë më mirë se ai. Për Basarën mund të thuhet: askush nuk i demonton më mirë mitet serbe se Basara.

■ Së fundi Basara ka qenë në Kroaci, ku është botuar romani i tij “Kontraendorfin”. Në këtë roman ai i zbret nga froni shkrimtarët e personalitetet e mëdha të kulturës serbe, duke filluar nga Ivo Andriqi. Hiperbola dhe humori janë armët më efikase të Basarës. Gjatë qëndrimit në Zagreb Basara i ka dhënë një intervistë gazetës „Novosti“. Në vijim disa nga mendimet goditëse të Basarës.

Advertisement

■ Politikat e këtushme (ballkanike, v.j.) bazohen në identitete negative. Jam serb për shkak se nuk jam kroat, katolik apo mysliman. S’jam ky, s’jam ai, e ne fund nuk jeni asgjë, përveç se nuk jeni çdo gjë. Jemi kombe të vonuara. Serbëve dhe kroatëve u mungon rruga zhvillimore nga renesansa deri te iluminizmi. Ndoshta këtë do ta arrijmë një ditë, por ndoshta edhe jo.

■ Siç ka treguar Claude Lévi-Strauss, mitet është e pamundur të dekonstruktohen. Aletet janë të gabueshme, sepse miti nuk është ngrehinë racionale. Ta marrim mitin e Kosovës. Thuhet: ajo betejë nuk është humbur, osmanët okupuan Serbinë pas 90 e kusur viteve. Nëntë të dhjetave të atij miti është krijuar nga mesi i shekullit 19-të, domethënë kemi të bëjmë me traditë. Megjithatë, Miodrag Popoviqi, i cili në vitet 1970-të këtë e ka dokumentuar në mënyrë shkencore në librin “Vidovdan i časni krst” është shpallur antiserb që punon me urdhër të Vatikanit. Për pak nuk e kryqëzuan. Çfarë kemi nga dekonstruktimi i mitit? Asgjë. Miti është rezistues ndaj përpjekjeve të tilla. Vetëm mund të shkruhet për pasojat e mitomanisë, mitologjisë dhe veprimit të mitit.

■ Pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit më 2003, punët i morën në dorë Vojisllav Koshtunica dhe Boris Tadiqi. Deri në vitin 2012 çdo gjë e kthyen në matricën e vjetër, duke menduar se po punojnë me dorëza, në mënyrë qytetare. Në të vërtetë nuk është bërë kurrfarë diskontinuiteti dhe ka qenë e logjikshme që forcat populliste do ta marrin sërish pushtetin. Kjo nuk do të kishte ndodhur po ta kishin menduar seriozisht demokracinë liberale. Vuçiqi e ka marrë pushtetin në tabak. Përveç kësaj ai është popullist më i shkathtë.

■ Vuçiqi thjeshtë e di si funksionon serbi mesatar dhe atij ia përshtat politikën. Ky është sekreti i suksesit të tij. Sistemi i qeverisjes në Serbi mund të përshkruhet si despoti e vazhdueshme orientale, pak a shumë e dhunshme, që nga principata e Serbisë deri te pushteti i sotëm. Dy ndërprerje të shkurtra kanë qenë qeveria e Millan Piroçanacit në fund të shekullit të 19-të dhe qeveria e Gjingjiqit.

Advertisement

■ Zgjidhja është ndryshimi i matricës politike dhe kulturore, që gjë është mision i pamundur. Demokracinë në Serbi nuk e kanë pranuar kurrë. Përherë ka qenë kështu apo më keq, e zor se do të jetë më mirë ndonjëherë, përveç se nëse ndodh ndonjë mrekulli. Nuk jam pesimist, por realist. Ky sistem zgjat qe 160 vjet dhe inercioni është shumë i madh.

■ Në lidhje me inaugurimin e metropolitit të Kishës Serbe në Mal të Zi, Basara thotë: Ardhjen me desant në një ngjarje fetare e shoh si turp të madh për kishën serbe. Helikopterët, pushkët, pancirët, kjo mua m’u ka dukur si kur ushtarët amerikanë i dërgonin talibanët në Guantanamo. Malazezët nga Serbia i ka dëbuar politika serbe. Po të mos ishte kështu, jam i sigurt se do të ishin në ndonjë lloj bashkësie. Malazezët kanë histori të gjatë të shtetësisë, më të suksesshme se Serbia. Prej saj nuk do të heqin dorë kurrë. Në Serbi ajo që dikur konsiderohej serbe dhe është shkëputur prej saj, konsiderohet territor armiqësor. Sepse serbët ndihen si skllevër kudo ku nuk janë sundimtarë, ndonëse skllevër janë përherë edhe në vendin amë.

■ Kërkimfalja është mision i pamundur, kurrë apo shumë rrallë e kam dëgjuar Serbinë që të kërkojë falje për diçka. Ai që do e bënte këtë, do ishte i detyruar të largohet nga pushteti apo nga froni i patriarkut. Kështu krijohet rrethi vicioz. Siç thotë Joseph de Maistre, mëkati për të cilin nuk pendohesh është parakusht themelor për të kryer mëkatin tjetër.

■ Sa i përket patriarkut të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, Basara thotë: Privatisht ai është i krishterë i vërtetë dhe në bisedimet tona ka pasur mendim mjaft të ngjashëm mbi nacionalizmin dhe etnofiletizmin. Në fillim ka dhënë deklarata shumë të mira dhe kësisoj është larguar nga ajo matricë, por shpejt u kthye aty sepse në atë sistem nuk mund të funksionojë si i tillë. Bëhet fjalë për një makinë e cila ose e vë nën kontroll ose e shkatërron. Jo fizikisht, por nuk mund të qëndrojë në atë funksion. Duhet të përshtatet apo të dalë nga sistemi. Përndryshe, pati thënë se rrallë do japë intervista, por s’po hiqet nga televizioni. Ka hapur edhe profil në Instagram. E kam këshilluar të hapë edhe TikTokun dhe në inaugurimin e ardhshëm t’i thërrasë edhe disa valltare striptizi.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy