FOTOT: Nga kontrolli me dron tek “ahengu” me këngë serbe, brenda botës së bllokuar në veri të Kosovës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
FOTOT: Nga kontrolli me dron tek “ahengu” me këngë serbe, brenda botës së bllokuar në veri të Kosovës

Në ditën e nëntë të bllokadës në Jarinjë, serbët po qëndrojnë në shatorët e ngritur përgjatë rrugës dhe afër policëve të Njësisë Speciale të Kosovës. Aty, ndezin zjarre, dëgjojnë dhe këndojnë këngë serbe. Në anën tjetër, policët kosovarë po monitorojnë situatën, që nga dita e parë e vendosjes së reciprocitetit ndaj targave serbe. Përveç tyre, tani në Jarinjë po patrullojnë edhe ushtarët e KFOR-it. Në dy anët e rrugës, që të çon drejt pikës kufitare në Jarinjë, valojnë flamuj të Serbisë, përmes të të cilëve pretendojnë të thonë se po kaloni përmes një pjese të Serbisë.

Derisa rruga të afron me pikën kufitare, nisin të dalin automjetet e vendosura si bllokadë nga serbët.

Banorët serbë kanë ngritur tendat në të cilat qëndrojnë për të protestuar kundër shtetit në të cilin jetojnë, por e mohojnë sa herë që marrin një urdhër matanë kufirit.

Advertisement

Brenda tendave ata kujdesen që gjatë gjithë kohës tinguj të muzikës serbe, derisa fare pranë tyre qëndrojnë kamionët e automjetet tjera me të cilat kanë bllokuar qarkullimin.

Në fillim të rrugës së bllokuar nga serbët, që çon drejt pikës kufitare, qëndron Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Përgjatë kësaj rruge, të martën u panë edhe ushtarë të KFOR-it polak, të cilët po monitoronin situatën në Veri.

“Korridoret” që gjenden ndërmjet automjeteve të rënda që serbët kanë vendosur për të bllokuar rrugën janë të ngushta. Aty sheh edhe kamionë nga Maqedonia Veriore, të cilët janë bllokuar bashkë me mallrat që kanë brenda, tash e nëntë ditë.

Sapo kalon bllokadën e vendosur nga serbët, në anën e djathtë të rrugës sheh të varur, në një kamion, mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave serbe”, derisa pak metra larg tij, gjenden serbët që kanë ngritur shatorë në të cilët qëndrojnë, ndezin zjarre, këndojnë, pinë e hanë, e lëshojnë fjalë provokuese herë pas here.

Advertisement

Në anën e majtë, përballë shatorëve, gjendet një autoblindë e Njësisë Speciale të Kosovës. Pak metra më larg, është një tjetër autoblindë, me policë të cilët mbajnë nën vëzhgim gjatë gjithë kohës lëvizjet përgjatë asaj rruge, por edhe ato matanë lumit, në kodrat përballë. Situata monitorohet edhe me dron. Policët e përcjellin nga lartë situatën, lëvizjet e protestuesve e bllokadën që po qëndron aty që nëntë ditë.

Policët e përcjellin nga lartë situatën, lëvizjet e protestuesve e bllokadën që po qëndron aty që nëntë ditë.

Gjatë gjithë ditës, serbë që kalojnë në këmbë pikën kufitare në Jarinjë, kalojnë përmes forcave të Policisë Speciale të Kosovës.

Disa prej tyre, që duken të lodhur nga kilometrat që janë të detyruar t’i ecin në këmbë, për shkak të bllokadës së vendosur nga vetë serbët, edhe të përshëndesin me një “Zdravo”, derisa vazhdojnë drejtimin e tyre.

Advertisement

Megjithëse nata rrallon pak lëvizjet e serbëve, disa prej tyre ecin përgjatë rrugës deri te pika kufitare, për t’u kthyer më pas në tendat në të cilat tashmë kanë ndezur zjarrin dhe qëndrojnë duke kënduar e qeshur me zë të lartë, gjatë gjithë kohës.

Aty, numri i serbëve që qëndrojnë për të protestuar sa vjen e rritet. Derisa ajo që bie në sy është se shumica e tyre janë gra. Kontrollimi i situatës bëhet pak më i vështirë gjatë natës, por policët shtojnë patrullimet dhe lëvizjet deri te pika kufitare. Ata qëndrojnë në krye të detyrës për të monitoruar secilën lëvizje, afër e larg territorit ku po qëndrojnë.

Derisa gjatë kthimit në rrugën e njëjtë, përmes bllokadës së vendosur nga serbët, kënga serbe jehon përsëri. Protestuesit të cilët duket se janë mbledhur për ndonjë festë, qëndrojnë duke ngrënë e pirë aty, derisa nuk përtojnë të lëshojnë ndonjë fjalë kur pranë tyre kalojnë gazetarët.

Pas rreth gjysmë ore ecjeje dhe kalimit të bllokadës së vendosur nga serbët, kur rruga tashmë është e lirë, në disa vende mund të shohësh vetura me targa serbe të parkuara në qoshe të rrugës, derisa jashtë tyre qëndrojnë nga dy a tre serbë që qëndrojnë për të përcjellë çdo lëvizje, të çdo kalimtari./GazetaExpress

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy