Norma e indeksimit të pensioneve prej 8.6% reflekton inflacionin e pensionistëve, ndaj dhe për qeverinë kjo normë mbulon çmimet e rritura. Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, thotë se inflacioni i pensionistëve që ka një tjetër matje nga ai për popullatën ka rezultuar 8.6%, ndërsa inflacioni për qytetarët është 6.1%. Dukshëm kostoja për pensionistët është edhe më shtrenjtë.
“Ne kemi marrë për bazë inflacionin e një viti. Në shpenzimet e pensionistëve zëri kryesore që mban dhe peshën më të madhe është ai i ushqimeve. Një pensionist harxhon 55% të pensionit për tu ushqyer. Ndaj dhe prej disa vitesh indeksimi i pensioneve bazohet në matjet e një grupmallrash që konsumon një i moshuar. 8.6% është ekzaktësisht aq sa është rritja e çmimeve për këtë grup të shoqërisë”, – u shpreh Hado.
E thënë ndryshe, janë 3.2 miliard lekë që do të shpërndahen deri në fund të viti me këtë indeksim, ndërsa efekti për vitin që vjen arrin në 12 miliard lekë apo 120 milion dollarë. Paralelisht në fund të viti parashikohet edhe bonusi prej 5 mijë lekë. Por eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, thotë se qeveria nuk ka ndikuar me këtë indeksim në rritjen e mirëqenies.
“Aq sa janë rritur çmimet aq ka dhënë qeveria me këtë vendim të fundit. Pra s’ka asnjë rritje fondesh në xhepat e pensionistëve. A quhet kjo mirëqenie? Jo”, – u shpreh Muço në E-ZONE.