Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të enjten në qytetin Brest të Francës, ku një çift shqiptar u gjet i pajetë në apartamentin e tyre, raportojnë mediat franceze.
Alarmi është dhënë rreth orës 16:30, pasi një banor i lagjes Europe telefonoi policinë duke deklaruar se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet.
Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku gjetën trupat e Andon Janaqit (36 vjeç) dhe Anjeza Zenelit (30 vjeçe). Pranë tyre u gjet edhe një armë gjahu, ndërsa shenjat paraprake sugjerojnë se gruaja është vrarë fillimisht dhe më pas autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.
Sipas hetuesve, pista kryesore e ngjarjes po trajtohet si vrasje e ndjekur nga vetëvrasja.
Çifti ishin prindër të dy fëmijëve.
Autoritetet franceze po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e kësaj tragjedie të rëndë që ka tronditur komunitetin.
Floresha Ilo, nëna e autorit ka folur për mediat. Ajo kërkon ndihmë nga shteti për të sjellë trupin e të birit në atdhe.
“Dua të më ndihmojë shteti, të më sjellë trupin e djalit këtu. Shiko në ç’gjendje jam, nuk di çfarë ka bërë djali. Ishin mirë, ishin bukur, probleme ka çdo shtëpi por nuk e dija që do bënte vrasje.
Na thanë nga Franca, mori nusen e djalit që kam në Greqi, dhe më thotë Flora mblidh mendjen sepse djali jot kështu kështu ka bërë, ka vrarë nusen dhe veten e tij.
Nuk di nëse kishin fërkime me njeri tjetrin në shtëpi.
Nuk kam folur me familjen e vajzës, evlat e kanë dhe ata, nuk u më vjen mirë, u kërkoj falje”, thotë ajo.
