Ish-shefi i shërbimit sekret të Kosovës nën akuzë për deportimin e “Gulenistëve”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ish-shefi i shërbimit sekret të Kosovës nën akuzë për deportimin e “Gulenistëve”

Prokuroria e Posaçme e Kosovës i tha BIRN se ka ngritur akuza për tre persona për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq në mars 2018. Mes të akuzuarve është edhe ish-kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Driton Gashi.

Nga Adelina Ahmeti, Arta Sopi

Prokuroria e Posaçme e Kosovës konfirmoi për BIRN se një aktakuzë është dorëzuar kundër tre individëve në lidhje me deportimin kontrovers të gjashtë shtetasve turq për në Turqi më 29 mars 2018.

BIRN mësoi se mes tre individëve është edhe Driton Gashi, ish-kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit të Shtetësisë dhe Migrimit në Ministrinë e Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, Drejtor i Migrimit dhe të Huajve në Policinë Kufitare të Kosovës.

Advertisement

Gashi dhe Krasniqi akuzohen për “abuzim me detyrën” ndërsa Sylejmani akuzohet njëkohësisht për “abuzim detyre” dhe për “heqje të paligjshme të lirisë.”

Krasniqi i tha BIRN se ai është informuar për aktakuzën por nuk e ka marrë atë zyrtarisht. Sylejmani tha se nuk është informuar por ishte në dijeni se po hetohej.

Sylejmani shtoi se ai dhe Policia Kufitare kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë procesit të deportimit duke argumentuar se institucioni ishte pika e tretë në seri pas Agjencisë së Inteligjencës dhe Ministrisë së Mbrojtjes. “Ne i kryem procedurat në përputhje me ligjin,” i tha ai BIRN. “Do të përballemi në gjykatë, nuk ka problem.”

BIRN kontaktoi edhe ish-kreun e Agjencisë së Inteligjencës Driton Gashi por ai nuk ishte i disponueshëm për koment në kohën e publikimit.

Advertisement

Gashi u hoq nga detyra pas arrestimit dhe ekstradimit të gjashtë shtetasve turq në mars 2018. Ramush Haradinaj, në atë kohë kryeministër, deklaroi se ngjarja ka ndodhur pa dijeninë e tij.

Një hetim parlamentar i publikuar në shkurt 2019 zbuloi 31 shkelje të ligjeve dhe procedurave që ndodhën gjatë deportimit. Anëtarë të komisionit parlamentar që shkruan raportin akuzuan ish-presidentin Hashim Thaçi si përgjegjës për ngjarjen.

Disa nga grupi i ekstraduar në Turqi janë dënuar me afate të gjata burgimi për anëtarësi në një “grupim terrorist të armatosur” për shkak të lidhjeve me lëvizjen e klerikut Fethullah Gulen, të cilës Ankaraja i referohet si “Organizata Terroriste Fethullah”, FETO, dhe e akuzon si përgjegjëse për grushtin e dështuar të shtetit më 2016. Në janar 2020, një gjykatë në Stamboll dënoi Hasan Hyesin Gunakan, një nga të ekstraduarit, me tetë vjet dhe një muaj burg.

Raporti i komisionit parlamentar të Kosovës citoi specifikisht deportimin e Gunakan si të paligjshëm, duke argumentuar se ai dhunonte kushtetutën e Kosovës, institucionet administrative dhe parime të ndryshme të ligjit humanitar ndërkombëtar.

Advertisement

Pesë nga të arrestuarit punonin në institucione arsimore të njohura si “Guleniste” në Kosovë, përfshirë shkollat fillore dhe të mesme Mehmet Akif në Prizren dhe Gjakovë.

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy