Pas takimit me Ramën, Erdogan pret Vuçiç: Dakordësi për të ndërmjetësuar krizën në Ballkan

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pas takimit me Ramën, Erdogan pret Vuçiç: Dakordësi për të ndërmjetësuar krizën në Ballkan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të martën se ai dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ranë dakord të ndërmjetësojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës në Bosnjë, pas zgjedhjeve në Serbi, që pritet të mbahen në fillim të muajit prill.

Kriza u thellua pasi ligjvënësit nacionalistë në entitetin gjysmë autonom serb të Bosnjës së pasluftës, miratuan një mocion jodetyrues vitin e kaluar, për të filluar tërheqjen e rajonit nga forcat e armatosura, sistemi tatimor dhe gjyqësori i vendit, një veprim i mbështetur prej kohësh nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik.

Turqia, e cila ka lidhje të thella historike në Ballkan, e ka kritikuar veprimin si “të gabuar e të rrezikshëm” dhe është ofruar të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës, e cila ka nxitur frikën e një rikthimi në konfliktin etnik në Bosnje.

Pas luftës shkatërruese etnike të viteve 1992-95, që la pas vetes 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy rajone gjerësisht autonome; Republikën Serbe (RS) dhe Federatë e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore.

Advertisement

Duke folur me gazetarë së bashku me presidentin serb, Vuçiç, pas bisedimeve në Ankara, presidenti Erdogan tha se serbët, kroatët dhe boshnjakët duhet të përmbahen nga hapat që rrezikojnë tërësinë tokësore të Bosnjës dhe se të gjithë duhet të veprojnë “me një ndjenjë përgjegjësie”.

“Pas zgjedhjeve (serbe), ne duam të mbledhim udhëheqësit e tre grupeve në një takim dhe me të, të ndërmarrim hapa për të siguruar tërësinë tokësore të Bosnjës,” tha ai.

“Ne duam të mbledhim tre udhëheqësit e boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve dhe ta realizojmë këtë. Ne ramë dakord për këtë”, tha presidenti Erdogan, duke shtuar se bisedimet do të mund të mbaheshin në Stamboll ose në Beograd.

Turqia mbështeti udhëheqësin e ndjerë mysliman boshnjak të kohës së luftës, Alija Izebegoviç dhe ka krijuar marrëdhënie të mira me presidencën boshnjako-serbo-kroate të Bosnjës së pas luftës.

Advertisement

Më herët, presidenti Erdogan u citua nga mediat lokale të ketë thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, Milorad Dodiku dhe zyrtarë të tjerë rajonalë, kishin shprehur mbështetjen për ofertën e tij të ndërmjetësimit dhe se Ankaraja do të intensifikonte diplomacinë e saj për të zgjidhur krizën.

Presidenti serb Vuçiç tha në konferencën me gazetarë se Serbia është e përkushtuar ndaj Bosnjës si një shtet i paprekshëm dhe se ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan është parësore së bashku “me respektimin e dallimeve”.

Presidenti Vuçiç i bëri thirrje Dodikut javën e kaluar që të kthehet në institucionet shtetërore të cilat Republika Serbe i ka bojkotuar që nga mesi i vitit 2021, për shkak të një ligji që dënon mohimin e gjenocidit.

Vendimet e gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës e kanë cilësuar si gjenocid masakrën e vitit 1995, kur forcat serbe vranë 8,000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë, gjë që mohohet nga nacionalistët serbë.

Advertisement

Serbia ishte mbrojtësja e separatistëve serbë boshnjakë të kohës së luftës dhe mbetet e afërt me entitetin serb të Bosnjës së pasluftës.

Retorika secesioniste e Milorad Dodikut, nxiti tubime dhe incidente nacionaliste serbe në qytetet anembanë Republikës Serbe.

Më herët gjatë këtij muaji, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Milorad Dodikut për korrupsion dhe kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës.

Bashkimi Evropian tha gjithashtu javën e kaluar se udhëheqja serbe e Bosnjës do të përballet me sanksione të BE-së dhe humbje të ndihmës, nëse vazhdon të nxisë tensione.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy