“PD, drejt ndarjes”/ Patozi: Përplasja mes Berishës dhe Alibeajt, ilustrim që kriza në selinë blu ka agravuar

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“PD, drejt ndarjes”/ Patozi: Përplasja mes Berishës dhe Alibeajt, ilustrim që kriza në selinë blu ka agravuar

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, e konsideroi përplasjen në Kuvend mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt një shfaqje që duhet të përfundojë me zgjedhjen e krizës në PD.

 

Në një intervistë për gazetarin Roland Zili në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Patozi u shpreh se incidenti i sotëm tregoi që plagët në kampin blu jo vetëm nuk janë mbyllur, por janë thelluar.

 

Advertisement

“Një shfaqje e vrazhdë, por kam përshtypjen që më shumë ishte një ilustrim i faktit që plagët e krizës së PD, jo vetëm nuk janë mbyllur, por janë agravuar më shumë që prej 8 janarit. Ndaj, në fakt është kriza e përfaqësisë apo e numrit brenda grupit parlamentar të PD më tepër sesa përpjekje për t’u përballur me Edi Ramën apo mazhorancën.”

 

Sa i përket zgjedhjes së Presidentit me konsensus, për Patozin, opozita duhet të marrë pjesë në këto negociata. Sipas tij, kërkesa e Berishës për të vetëpërjashtuar PD-në nga ky proces, është një qasje e gabuar.

 

Advertisement

“Debatet për Presidentin ka shërbyer si benzinë për t’i hedhur zjarrit. Mendoj se PD sot gjendet përpara dilemës a duhet të përfshihet apo jo në negociata për një president të mundshëm konsensual. Është qasje e gabuar e Berishës që kërkon që PD të vetëpërjashtohet nga ky proces me paragjykimin që Rama tashmë e ka të zgjedhur Presidentin, dhe tashmë po bën teatër. Kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por, opozita duhet të marrë pjesë në këto negociata sepse e ka detyrim kushtetues dhe politik. Mendoj që PD, nëse do të ishte e mençur, duhet të merrte vendimin që të merrte pjesë në negociata, qoftë edhe për të demaskuar atë që ajo e konsideron si farsë për zgjedhjen e Presidentit konsensual…Unë besoj që PD po shkon drejt ndarjes, jo drejt bashkimit. Mund të flitet për dy aktivitete politike të ndryshme, ka një pjesë që mund të jetë shumica sipas zgjedhjeve të 6 marsit, e cila gjen zgjidhjen te Berisha, dhe pjesa tjetër që nuk e pranon Berishën si perspektivë për të ardhur në pushtet. Ka pasur një përpjeke për të krijuar iluzion që palët duan të bashkohen, por unë nuk shoh asnjë shenjë.”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy