“Shantazhet e Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës – instruksione nga Beogradi”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Shantazhet e Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës – instruksione nga Beogradi”

Shantazhet ndaj institucioneve të Kosovës nga ana e përfaqësuesve të Listës Serbe, sipas njohësve të zhvillimeve politike, po shihen si instruksione që vijnë nga Beogradi. Kjo për shkak, të mos formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendimin për caktimin e seancës së radhës. Artan Muhaxhiri – njohës i zhvillimeve politike, për REL ka thënë se veprimet e Listës Serbe, marrë parasysh mbështetjen ekskluzive që merr nga Beogradi zyrtar, janë të instrumentalizuara dhe të diktuara nga ky i fundit.

“Po, këto janë indikacione, por vendimi definitiv për bojkotimin ose jo të punës së Kuvendit dhe të Qeverisë nga ana e Listës Serbe do të merret pas një koordinimi me faktorët relevantë që kanë ndikim në vendimmarrjen dhe funksionimin e kësaj liste. Asnjë vendim i Listës Serbe nuk duhet të konsiderohet si vendimmarrje tyre, por si një instruksion që vjen nga Beogradi”, është shprehur Muhaxhiri.

Ai vlerëson se autoritetet e Kosovës duhet të bisedojnë me përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Lista Serbe nuk ka mundësi që t’ia diktojë punë Qeverisë për shkak të mos themelimit të Asociacionit”.
“Por, këtë mundësi e kanë aleatët tanë sepse themelimi i Asociacionit po konsiderohet si një kusht që Kosova gjithsesi duhet ta plotësojë dhe pastaj me një ‘domino efekt’, hap pas hapi, që të ndikohet edhe në vazhdimësinë konstruktive të bisedimeve në Bruksel për të arritur deri te zgjidhja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Advertisement

Në anën tjetër, Politologu serb, Ognjen Gogiç, vlerëson se Lista Serbe deri më tani në disa raste ka treguar se bojkotin, braktisjen dhe kërcënimet për braktisje të institucioneve i kanë mënyrë të veprimit politik.
“Do të befasohesha në qoftë se ata do të ishin konstruktivë. Por, ato kërcënime dhe ato akte të bojkotimit janë gjithmonë të kufizuara dhe të kontrolluara, dhe ata gjithmonë janë të kujdesshëm që të mos shkojnë shumë larg me ato veprime”.

“Pra, ata gjithmonë gjejnë një mes që të mos sjellin paralizim të institucioneve dhe të mos e destabilizojnë së tepërmi jetën politike, por që me ato aksione ta marrin vëmendjen”, ka thënë ai për REL.

Ndërkaq, të martën e 16 nëntorit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para gazetarëve ka thënë se Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit.

“Kjo është e papranueshme për ne, nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq Lista Serbe po bën shantazh në mënyrë publike pa e fshehur dhe me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”.

Advertisement

“Sapo filluam të mbajmë mbledhjen e kryesisë në mbledhjen e kaluar, Sllavko Simiç sapo e pa që ne jemi në pragun e kuorumit të nevojshëm, ai u largua nga mbledhja dhe ne nuk mund të vazhdonim më tutje. Ai këtë e bëri edhe sot, u largua, dhe përmes kësaj Lista Serbe po do të tregojë një lloj kushtëzimi, i cili nuk pranohet dhe refuzohet”, shtoi Konjufca.

Ani pse mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, po ndodhë të dështojë që disa herë, Konjufcës si kryeparlamentar i lejohet nga Kushtetuta e Kosovës që të caktojë datën e seancës së radhës në mënyrë që kuvendi të mos bllokohet dhe të jetë funksional.

“Që disa herë kryesia e Kuvendit nuk po mund të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit. Është shqetësuese për funksionimin e Kuvendit të Kosovës megjithatë, institucionet tona dhe kushtetuta e ka paraparë që kuvendi nuk mund të bllokohet nga ndonjë trupi të veçantë”, shprehej Konjufca.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy