Qeveria shqiptare do të nisë punën për një skemë të re sigurimi për qytetarët nga fatkeqësitë natyrore.
Ky hap u bë me dije nga vetë Kryeministri Edi Rama, i cili në Konferencën Vjetore të Organizatës Botërore të Mbikëqyrësve të Sigurimeve sqaroi se është i nevojshëm sigurimi i detyrueshëm i banesave edhe si një direktivë e Bashkimit Europian.
“Përfshirja e sigurimit në politikat tona publike, duke e lidhur me rezistencën klimaterike, bujqësinë, infrastrukturën dhe rrjetat e sigurisë sociale, do të përmirësojnë jashtëzakonisht qasjen tonë ndaj financimit të rrezikut nga katastrofat. Një strategji gjithëpërfshirëse që bën bashkë sigurimet, fondet rezervë dhe buxhetimin, mund të zbusë në mënyrë të jashtëzakonshme, rreziqet fiskale nga katastrofat natyrale”, tha Rama.
Mungesa e sigurisë në raste fatkeqësie për Ramën, dëmton qytetarët por edhe bizneset e vogla.
“Dëmi i katastrofave të tilla si përmbytjet, zjarret e tërmetet, mund të fshijnë vite pune të mundimshme duke i lënë ata të pambrojtur, të vuajnë me gjatë e të investojnë shumë më pak për të ardhmet e tyre. Rruga përpara është e qartë; na duhet të zgjerojmë rrjetet tona të sigurisë për të përfshirë më shumë individë, sektorë e lloje rreziqesh e të sigurohemi që këto zgjidhje të jenë të mundshme për t’u marrë nga gjithkush po natyrisht, aq sa është e qartë, po aq është më e lehtë kjo rrugë për t’u thënë e për t’u parë se sa për t’u ndërtuar”, tha kreu i qeverisë.
Gjatë konferencës, kreu i qeverisë tha se edhe nisma të tjera si mikro sigurimet mund të jenë një ndihmë shtesë.
“Nisma si mikro-sigurimet mund të ndihmojnë me zgjerimin e mbulimit për të përfshirë bizneset e vogla dhe individët me të ardhura të ulëta duke lidhur ngushtë sigurinë shoqërore me zgjidhjet e orientuara nga tregu”, tha Rama.
Për Ramën pasojat e mosveprimit tashmë po ndihen qartë dhe se industria e sigurimeve po përballet me një situatë gjithnjë e më komplekse.
