Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri (Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim lidhur me skemën e mashtrimit që përdornin me personat e sëmurë me kancer.
Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vet nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre.
Skandali i zbuluar disa ditë më parë u shoqërua me reagime të forta. Ditën e sotme, kreu i qeverisë, Edi Rama ka mbledhur drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky është reagimi i parë i Ramës lidhur me skandalin e bluzave të bardha. Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra dhe tha se të përdorësh uniformën e bardhë për të nxjerrë para nga sëmundjet është krim kundër njerëzimit.
Rama: Në një moment shumë të errët që krijoi për të gjithë komunitetin e bluzave të bardha dalja në dritë ë veprimtarisë kriminale të disa individëvë në spitalin Onkologjik mu kujtuan fjalët e njërit prej heronjve të shëndetësisë shqiptare, profesorit Besim Elezi, ditën kur ishim së bashku në hapjen e spitalit ultra modern të sëmundjeve të brendshme: “As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se sa spitalet më të mirë të Evropës”. Profesori Elezi dhe vëllezërit e gjeneratës së tij i dhanë jetë një shëndetësie në kushtet më minimale, në një spital që s’kishte më shumë se sa pastërtinë dhe mjetet e spitalit të Mesjetës në Francë, në ato pak qendra të zhvilluara të Evropës asokohe.
Në këtë territor ku jemi sot mungonte gjithçka nga çfarë kemi sot, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut. Ndërsa sot, nuk mungon thuajse asgjë nga çfarë nuk kishim dje, por fatkeqësisht, jo gjithnjë, figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e Hipokratit. Të mos jesh në lartësinë e detyrës në shumë profesione të tjera është problem jo i vogël, por të mos jesh në lartësinë e detyrës në profesionin tuaj është më shumë se një problem i madh, është një hall shumë i madh për njeriun kur me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij, të kesh marrë diplomën dhe licencën dhe ta përdorësh uniformën më simbolike njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave për të nxjerrë para me gjakun dhe ilaçet e të sëmurëve është krim jo vetëm kudnër tyre por kundër gjithë njerëzimit./vizionplus.tv