Rillogaritja e taksë së banesës nga ana e bashkisë Tiranë që nga muaji gusht ka rritur faturën e ujit të pijshëm, aty ku përfshihet kjo taksë. Agron Haxhimali, i ftuar në E-ZONE në Vizion Plus, evidentoi se si pasojë e rishikimit të çmimeve të referencës së ndërtesave vetëm për Tiranën, rritja mujore shkon maksimalisht deri në 2500 lekë, në varësi edhe të zonave.
“Në varësi të rritjes së referencave, taksa e banesës e rishikuar nis nga 350 lekë deri në 2500 lekë në muaj, në varësi dhe të zonave. Kjo rritje ende nuk është konstatuar nga familjet, pasi ata nuk janë njoftuar më parë. Kjo është një situatë e paprecedentë, pasi taksa ndryshon në mes të vitit. Është detyrë e këshillit bashkiak që të kërkojë llogari lidhur me këtë ndryshim që ndodh në mes të vitit”, – u shpreh Haxhimali për E-ZONE.