Familja Çokaj ka depozituar një kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ndaj katër punonjësve të Policisë së Malësisë së Madhe, në lidhje me vdekjen e Mirel Çokajt, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në fshatin malor Kozhnje.

Trupi i tij u nxor nga terreni i vështirë një ditë pas ngjarjes, më 19 shtator, me ndihmën e Forcave të Ushtrisë që u angazhuan me helikopter. Familjarët dyshojnë se Mirel Çokaj është vrarë nga bashkëpunëtorët e tij, me të cilët pretendohet se kishte një parcelë kanabisi, e cila u zbulua dhe u asgjësua më pas nga policia. Sipas tyre, vdekja nuk është aksidentale, siç u raportua fillimisht nga policia lokale dhe më pas nga Drejtoria Vendore e Shkodrës.

Në kallëzimin e tyre, familjarët akuzojnë katër efektivët, dy oficerë krimesh dhe dy punonjës të tjerë të shërbimit, se nuk kanë kryer siç duhet veprimet procedurale dhe hetimore. Ata pretendojnë se ka pasur shpërdorim detyre dhe mungesë të mbledhjes së provave që, sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”, duke mos pranuar mbylljen e çështjes si aksidentale. Pas denoncimit të familjes, prokuroria po merr në pyetje palët e përfshira dhe po mbledh të gjitha provat e mundshme për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje apo një incident të rastësishëm.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Nëna dhe motra e viktimës, si edhe një kushëri i tyre nga SHBA, ish-oficer policie, kanë deklaruar publikisht se besojnë se Mirel Çokaj është vrarë për shkak të konflikteve të mundshme me bashkëpunëtorët e tij lidhur me ndarjen e përfitimeve nga parcela e drogës, e cila ishte në prag të korrjes. Përveç denoncimit në prokurori, familja ka bërë edhe kallëzimin e ri në AMP, i cili është dërguar me postë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të verifikojë nëse katër efektivët e përmendur kanë kryer shkelje në procedurat./vizionplus.tv