
18 të arrestuarit e operacionit “tempulli” në vlorë po njihen me vendimin e masës së sigurisë nga gjykata. Mes 18 persona të prangosur, 3 janë gra.
Në total në vlorë janë prerë 32 fletë-arreste për prodhim dhe shitje narkotikësh, nga të cilët 28 persona janë arrestuar dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ditën e djeshme, gjykata la në qeli 10 personat e parë që u njohën me masën e sigurisë, një kërkesë kjo e bërë edhe nga organi i akuzës.
Edhe në Gjykatën e Fierit këtë paradite 4 personat që ranë në prangat e uniformave blu, po njihen me masën e sigurimit personal. Ndërkohë, më herët gjykata vendosi që 6 të arrestuar të hetohen në gjendje të lirë.
Nga operacioni ‘tempulli’, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Fier u goditën në total 23 grupe që prodhonin dhe shisnin drogë, ndërsa në pranga përfunduan 233. Lëndët narkotike që grupet shisnin përfshinin drogëra të ndryshme, nga kanabisi, kokaina, ekstazia dhe mdma.
Policia e shtetit ka sekuestuar afro 120 kg cannabis, 190 gramë kokainë, 100 gramë Ekstazi, 135 gramë MDMA, 4 pistoleta, 2 armë sportive, municion luftarak, 35 automjete, targa, 199 celularë, peshore elektronike, 6 armë të ftohta, 1 elektroshok, mulli për bluarjen e lëndës narkotike, një uniformë policie, jelek policie, dokumente policie dhe afërsisht 5 milionë lekë.
Ndërkaq, “Tempulli” vijon të jetë aktiv për të goditur edhe të tjera grupe kriminale.